dr. Elena Karabeleski
specialist i produkteve
Europa Lek Pharma
|
Përdorimi i shtojcave ushqyese orale (ushqimit të lëngshëm)
Kanceri është një sëmundje komplekse që shkakton rritje të pakontrolluar të qelizave dhe mund të ndodhë në çdo pjesë ose organ të trupit. Është rezultat i ndërveprimeve të shumëfishta midis faktorëve të mjedisit dhe predispozitave gjenetike për zhvillimin e sëmundjes, si dhe është një nga shkaqet më të zakonshme të vdekjes në të gjithë botën.
Ushqyerja e pamjaftueshme më shpesh shkaktohet nga paaftësia për të ngrënë, marrja joadekuate e lëndëve ushqyese dhe problemet me tretjen ose përthithjen. Ushqyerja e pamjaftueshme (mosushqyerja) shoqërohet me humbje peshe. Humbja e peshës vërehet te 15-40% e pacientëve me kancer dhe vlerësohet se 40-80% e pacientëve me kancer nuk marrin sasi të mjaftueshme të ushqimit gjatë një periudhe të sëmundjes.
Mosushqyerja ndikon në rezultatin e trajtimit, shërimin e plagëve, mund të zvogëlojë funksionin e muskujve dhe të rrisë rrezikun e ndërlikimeve post-kirurgjikale. Trajtimet e kancerit funksionojnë duke shkatërruar qelizat kancerogjene, por gjithashtu mund të ndikojnë në indet e shëndetshme, prandaj gjendja e mosushqyerjes dhe humbja e masës muskulore si efekte anësore, mund ta vështirësojnë trajtimin.
Ndryshimet në nevojat ushqyese të pacientëve me kancer mund të vijnë për shkak të reagimit të trupit ndaj sëmundjes, efekteve anësore të terapisë dhe barnave. Çdo pacient e përballon trajtimin ndryshe, por të gjithë duhet t'i kushtojnë vëmendje ushqyerjes së tyre. Pacientët duhet të hanë ushqime të pasura me lëndë ushqyese, të cilat mund t'i ndihmojnë të ndihen më mirë dhe më të fortë gjatë dhe pas trajtimit të kancerit. Ushqimi i duhur përfshin ngrënien e vakteve të ekuilibruara (që përmbajnë ushqime të pasura me proteina, karbohidrate, yndyrna, vitamina, minerale), të cilat janë të nevojshme për funksionimin normal të trupit. Ushqimi i mirë mund të ndihmojë në mirëmbajtjen e sistemit imunitar duke ulur rrezikun e infeksioneve, duke pakësuar efektet anësore, duke shkurtuar kohëzgjatjen e qëndrimit në spital dhe duke ndihmuar në procesin e rimëkëmbjes.
Efektet anësore më të zakonshme të trajtimit të kancerit janë: të përzierat, të vjellat, oreksi i dobët, kapsllëku (konstipacioni), diarreja, ulcera e gojës, urthi. Simptomat e të përzierave dhe të vjellave prekin 2 nga 3 pacientë me kancer. Më shpesh shkaktohen nga trajtimi i kancerit, lloje të caktuara të kancerit dhe nganjëherë si simptomë anësore e ankthit dhe depresionit tek pacientët.
Ja disa këshilla për t'ju ndihmuar t’i përballoni më lehtë efektet anësore të trajtimit:
- Shmangni aromat e forta dhe ushqimin e nxehtë. Konsumoni ushqime që janë në frigorifer ose në temperaturë dhome. Xhenxhefili si ushqim, mund të ndihmojë në zvogëlimin e ndjenjës së të përzierit. Xhenxhefili konsumohet si rrënjë e freskët në ushqimin e gatuar, si çaj ose mund të përtypet në copa të vogla.
- Hani vakte më të shpeshta në sasi më të vogla. Pacienti duhet të shmangë urinë, pasi gjendja e urisë përkeqëson të përzierat dhe të vjellat.
- Proteinat do t'ju mbajnë të ngopur më gjatë, ndaj përpiquni t'i përfshini ato në vaktet tuaja, si p.sh. duke shtuar djathë në supë, gjalpë në gatim, duke përdorur shtojca ushqimore orale etj.
- Hani ushqime me më shumë kalori, duke përdorur vajin e ullirit në bukë, duke kombinuar gjalpin e arrave (kikirikë, lajthi) me tost, banane, mollë ose avokado si shtesë. Merrni proteina nga mishi, mishi i bardhë, peshku, produktet e qumështit.
- Pini sasi të mjaftueshme të ujit dhe konsumoni ushqime të pasura me fibra dietike nga drithërat integrale, frutat dhe perimet.
- Disa trajtime mund të shkaktojnë diarre. Gjatë kësaj periudhe është e nevojshme t'i shmangni ushqimet e pasura me fibra dietike dhe të merrni lëngje për të qëndruar të hidratuar. Konsumoni ushqime dhe pije të pasura me natrium dhe kalium (çorba, supa, lëngje frutash, pije sportive, patate, oriz dhe banane).
- Trajtoni ulcerat duke e shpëlarë gojën me kripë ose sodë buke disa herë në ditë. Higjiena e rregullt e dhëmbëve, zgavrës së gojës dhe gjuhës është thelbësore.
- Që të shmanget shfaqja e urthit, është e nevojshme të uleni drejt gjatë ngrënies, të hani vakte më të vogla dhe më të shpeshta. Kur shtriheni, drejtojeni kokën në jastëk.
Përdorimi i shtojcave ushqyese orale (ushqimit të lëngshëm, ushqimit enteral) është një mënyrë e mirë për të rritur marrjen e lëndëve ushqyese dhe për të siguruar kaloritë e nevojshme. Përdorimi i ushqimit të këtillë të lëngshëm si ushqim plotësues, rekomandohet para, gjatë ose pas trajtimit të kancerit, në varësi të gjendjes së pacientit dhe në konsultim me mjekun që e drejton trajtimin.
Me përdorimin e ushqimit të lëngshëm (ushqimit enteral) mund:
- të rritet marrja e proteinave dhe kalorive
- të ruhet pesha e trupit gjatë trajtimit të kancerit
- të merren lëndët ushqyese të nevojshme në sasi të mjaftueshme, në rast të mungesës së oreksit.
Terapia e të ushqyerit parandalon humbjen e peshës duke i plotësuar nevojat përkatëse kalorike dhe ushqyese dhe mund të përfshihet në jetën e përditshme dhe në shprehitë e të ngrënit të pacientëve, në kombinim me ushqimin e rregullt.
Ushqimi i lëngshëm mund të pihet si zëvendësim i vaktit (një shishe 300 kcal/200 ml), si shtesë vakti ose mesvakt. Për shije më të mirë, është mirë të konsumohet i ftohur në frigorifer ose të shërbehet me akull. Nëse duhet të nxehet, përdorni vaskën e nxehtë. Mund të përzihet me lloje të tjera të ushqimit, si akullore dhe kos të ngrirë ose të konsumohet si smoothie.
Terapia dietike përdoret për t’i ndihmuar pacientët me kancer të mbajnë një peshë të shëndetshme, të ruajnë forcën, të ruajnë shëndetin e indeve dhe të ulin efektet anësore gjatë dhe pas trajtimit.
Recetë me Nutridrink
200 ml Nutridrink prej vanilje
1 banane e prerë në copa
Një grusht fruta pylli të ngrira (luleshtrydhe, mjedra, boronica)
2 lugë drithëra
Njomni drithërat dhe bananen me Nutridrink prej vanilje (të ftohur paraprakisht në frigorifer) dhe lërini të qëndrojnë 5 minuta. Shtoni një grusht fruta pylli të ngrira.
Ju bëftë mirë!
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.29 të botimit elektronik të revistës BETTY (KORRIK 2021).