spec. dr. Nikolina Grozdanovska Specialiste e
biokemisë mjekësore dhe e mjekësisë labaratorike
|
Kolesteroli është një substancë dylli që gjendet në gjak. Trupi ka nevojë për kolesterolin për të ndërtuar qeliza të shëndetshme, por niveli i lartë i kolesterolit mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Kolesteroli i lartë, mund të çojë deri te zhvillimi i depozitave të yndyrës në enët e gjakut. Këto depozita dalëngadalë rriten, duke e bërë të vështirë që të qarkullojë sasi e mjaftueshme gjaku nëpër arterie. Ky grumbullim i depozitave njihet si arteriosklerozë, gjendje që mund të çojë në sëmundje të arterieve koronare, ku arteriet e zemrës ngushtohen ose madje bllokohen duke shkaktuar sulm në zemër ose sulm në tru nga arteriet karotide. Kolesteroli i lartë mund të trashëgohet, por zakonisht është rezultat i një jetese jo të shëndetshme, e cila mund të parandalohet dhe trajtohet me një dietë të shëndetshme, ushtrim të rregullt dhe nganjëherë ilaçe, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e kolesterolit të lartë.
Kolesteroli nuk është i tretshëm në ujë, kështu që nuk mund të udhëtojë përmes gjakut më vete. Për të ndihmuar në transportimin e kolesterolit, mëlçia prodhon lipoproteina. Lipoproteinat janë grimca të përbëra nga yndyrna dhe proteina. Ato mbartin kolesterol dhe trigliceride (një lloj tjetër lipidesh) përmes qarkullimit të gjakut. Dy format kryesore të lipoproteinave janë lipoproteinat me densitet të ulët (LDL) dhe lipoproteinat me densitet të lartë (HDL). Nëse gjaku juaj përmban shumë kolesterol LDL (kolesteroli nga lipoproteinat me densitet të ulët), i cili njihet si kolesterol i lartë.
Niveli i përgjithshëm i kolesterolit në gjak përbëhet nga:
- lipoproteinat me densitet të ulët (LDL)
- lipoproteinat me densitet të lartë (HDL)
- trigliceridet
|
vlerat e rekomanduara |
lipoproteinat me densitet të ulët (LDL) |
3,4 ose më pak |
lipoproteinat me densitet të lartë (HDL) |
1 ose më shumë |
trigliceridet |
2,3 ose më pak |
kolesteroli i përgjithshëm |
5,2 ose më pak |
LDL-ja quhet edhe si kolesterol "i keq" sepse bllokon enët e gjakut dhe rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës. HDL-ja konsiderohet si kolesterol "i mirë" sepse ndihmon në mbrojtjen kundër sëmundjeve të zemrës. Sa më e lartë HDL-ja juaj, aq më mirë. Së fundi, kolesteroli i përgjithshëm përfshin trigliceridet. Këto janë një lloj tjetër i yndyrnave që mund të grumbullohen në trup dhe konsiderohen si "blloqe ndërtuese" të kolesterolit. Nivelet e larta të triglicerideve dhe nivelet e ulëta të HDL-së rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Kolesteroli i lartë nuk shkakton simptoma! Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kontrolloni rregullisht nivelet e kolesterolit.
Kolesteroli te të rriturit
Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që të gjithë të rriturit të kontrollojnë kolesterolin e tyre çdo 4 deri në 6 vjet, duke filluar nga mosha 20 vjeç, e cila është mosha kur nivelet e kolesterolit mund të fillojnë të rriten. Ndërsa plakemi, nivelet e kolesterolit rriten. Burrat janë zakonisht në rrezik më të lartë se gratë për kolesterol më të lartë. Sidoqoftë, rreziku i gruas rritet pasi të hyjë në menopauzë. Testimi i shpeshtë rekomandohet për ata me kolesterol të lartë dhe faktorë të tjerë të rrezikut kardiak, siç është diabeti.
Kolesteroli tek fëmijët
Fëmijët që janë fizikisht aktivë, kanë një dietë të shëndetshme, nuk janë mbipeshë dhe nuk kanë histori familjare të kolesterolit të lartë, janë në rrezik më të ulët për të pasur kolesterol të lartë. Rekomandohet që të gjithë fëmijët të kontrollojnë kolesterolin e tyre midis moshave 9 dhe 11 vjeç dhe pastaj përsëri midis moshave 17 dhe 21. Fëmijët me faktorë të shumtë rreziku, të tilla si diabeti, obeziteti ose një histori familjare e kolesterolit të lartë, duhet të kontrollohen në moshën 2 deri në 8 vjeç dhe përsëri në moshën 12 deri në 16 vjeç.
Parandalimi
Të njëjtat ndryshime në stilin e jetës për shëndetin e zemrës mund të ulin kolesterolin. Për të parandaluar kolesterolin e lartë:
- Përmbajuni një diete me pak kripë dhe kryesisht me bazë frutash, perimesh dhe drithërash integrale
- Kufizoni yndyrnat me prejardhje shtazore (byrekë me mish, salsiçe dhe mish me dhjam, gjalp, sallo, djathë krem dhe djathë të fortë, ushqime që përmbajnë vaj kokosi ose vaj palme)
- Përdorni yndyrna të mira me masë (peshk në vaj, si skumbri dhe salmoni, arrat dhe farat)
- Humbni peshën e tepërt dhe mbani një peshë të shëndetshme të trupit
- Lëreni duhanin
- Ushtroni në shumicën e ditëve të javës për të paktën 30 minuta
- Pini alkool me masë ose aspak
- Menaxhoni stresin
Terapia me ilaçe mund të përshkruhet nga një mjek pasi të vlerësojë shëndetin tuaj!
AJO QË ËSHTË MË PAK E NJOHUR për kolesterolin është se merr pjesë në:
- Ndërtimin e membranave qelizore
- Brenda membranës qelizore, kolesteroli gjithashtu merr pjesë në transportin ndërqelizor, sinjalizimin e qelizave dhe përcjellshmërinë nervore.
- Prodhimin e të gjitha hormoneve steroide (testosteroni, estradioli, kortizoli, progesteroni etj.)
- Sintezën e vitaminës D
- Krijimin e acideve biliare që lejojnë tretjen e ushqimit
- Ndërtimin e mbështjellësve Schwann të fibrave nervore dhe përcjellshmërisë nervore
dhe një sërë funksionesh të tjera të rëndësishme në trupin e njeriut, për shkak të të cilave duhet pasur kujdes që niveli i kolesterolit të përgjithshëm të mos jetë nën
3.4 mmol/L.
Shprehitë e shëndetshme të jetesës me ushqimin e duhur, aktivitetin fizik dhe zvogëlimin e stresit duhet të jenë një përparësi për shëndetin tonë të përgjithshëm, si dhe për ruajtjen e niveleve normale të kolesterolit.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-15 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHTATOR 2021).