Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Valët e trurit dhe trajnimi autogjen

October 1, 2021

Prof. Dr. Slagjana Angelkoska
psikolog

|

okt 2021

A keni menduar ndonjëherë se çfarë e përcakton humorin tuaj aktual? A e dini se mund ta ndryshoni humorin tuaj në një çast? Cila është lidhja midis humorit dhe valëve të trurit?

Për t'u njohur me valët e trurit dhe funksionin e tyre, së pari duhet të fillojmë me shkencën që i studion ato, pra neuroshkencën, e cila është një degë multidisiplinare që studion sistemin nervor në kombinim me anatominë, biologjinë molekulare dhe të zhvillimit, citologjinë dhe psikologjinë, në mënyrë që të shpjegohet më mirë funksionimi i trurit të njeriut.

Njohja e natyrës së valëve të trurit na jep mundësinë të përdorim të gjitha potencialet në mënyrën e duhur dhe për ta arritur këtë, duhet të njihemi me valët e trurit dhe karakteristikat e tyre. Ajo që lidhet gjithmonë me trurin janë mendimet e njeriut. Në sfondin e të gjitha mendimeve, emocioneve dhe sjelljes është komunikimi midis neuroneve në tru, i cili zhvillohet me ndihmën e impulseve elektrike. Kur këto impulse sinkronizohen, formohen valët e trurit. Këto valë mund të zbulohen duke përdorur një elektroencefalograf (EEG), pajisje që regjistron intervalin e frekuencave në tru, në bazë të së cilit përcaktohet vala e trurit. Valët e trurit maten në njësi të frekuencës HERC (Hz), i cili përfaqëson numrin e cikleve në sekondë. Matja e valëve të trurit bëhet me ndihmën e një "neurofeedback", i cili mbështetet në dy supozime:

  1. Që aktivitetet elektrike të trurit, valët e trurit, ruajnë një gjendje të caktuar mendore;

  2. Që ne mund t'i ushtrojmë ato aktivitete.


Me ushtrim mund të mësojmë të ngremë ose të parandalojmë valë të caktuara të trurit dhe kështu të arrijmë me vetëdije gjendjen e dëshiruar mendore dhe emocionale.

Është e rëndësishme të theksohet se nuk ka valë të mira apo të këqija të trurit. Të gjitha valët e trurit janë të përshtatshme dhe të mira për një moment të caktuar dhe për një gjendje të caktuar. Truri fleksibël dhe efikas mund të kalojë shumë lehtë nga një valë e trurit në tjetrën, sipas kërkesave të realitetit. Kjo u ngjan pak shpejtësive të makinaës: të gjitha shpejtësitë e makinës janë të nevojshme dhe të mira, por problemi mund të ndodhë kur marshi i shpejtësisë prishet dhe ne nuk mund të përshtatemi me kushtet e ngasjes.

Truri i njeriut funksionon brenda pesë valëve të trurit (alfa, beta, gama, delta dhe theta) dhe të gjitha janë të pranishme në të njëjtën kohë, por vetëm njëra është mbizotëruese në një gjendje të caktuar. Është pikërisht kjo valë mbizotëruese e trurit dhe karakteristikat e saj që përcaktojnë gjendjen tonë aktuale, aftësinë mendore dhe gjendjen e vetëdijes.

Valët delta të trurit (0.5-3 Hz)

Valët delta të trurit lidhen me gjumin e thellë. Këto valë të trurit janë mbizotëruese tek foshnjat dhe mund të shihen edhe në gjendje zgjimi. Tek të rriturit ato shfaqen gjatë meditimit më të thellë dhe gjumit pa ëndërruar. Një frekuencë e caktuar e valëve delta të trurit është e mirë për sekretimin e hormonit të rritjes, i cili është veçanërisht i rëndësishëm për rigjenerimin e organizmit dhe në procesin e shërimit. Prandaj, gjumi i thellë dhe i qetë është i rëndësishëm për procesin e shërimit. Valët delta të trurit janë valët me frekuencën më të ulët dhe amplitudën më të lartë.

Kur shkojmë për të fjetur dhe fikim dritën, mbyllim sytë, valët e trurit tonë ngadalësohen së pari në ritmin alfa, pastaj ngadalësohen edhe më shumë dhe hyjmë në ritmin theta, derisa të na zërë gjumi dhe të zhytemi në gjendjen delta. Dihet se njerëzit flenë në cikle prej 90 minutash. Nga gjumi i thellë në valët delta të trurit, kalohet në frekuencat theta, ku ndodh ëndërrimi aktiv. Në këtë fazë të gjumit, ndodhin lëvizje të shpejta të syve (Rapid Eye Movement, shkurt REM), prandaj kjo fazë e gjumit quhet faza REM.

Kur zgjohemi, futemi ngadalë në gjendjen theta, pastaj në gjendjen alfa. Nëse kemi kohë, vazhdojmë të dremitim zgjuar në gjendjen theta, derisa të na kthehen në vetëdije disa përvoja nga dita e mëparshme ose derisa të na vijë një ide se si ta organizojmë ditën në mënyrë kreative. Më pas vjen realiteti, kur duhet të ngrihemi vërtet për të aktivizuar nervat që të dridhen më shpejt dhe të na ndihmojnë të zgjidhim problemet.

Në gjendjen e gjumit zakonisht ka më shumë se 50% valë delta të trurit. Në gjendje të zgjuar, ato mund të shihen tek foshnjat deri në 6 muaj, te disa fëmijë me probleme në të mësuar dhe tek të rriturit me dëmtim të trurit.

Valët theta të trurit (3-7, 4-7 ose 4-8 Hz)

Valët theta të trurit janë të ngadalta dhe lidhen me gjendje të tilla si ëndërrimi me sy hapur dhe përgjumja. Shfaqen më së shpeshti në gjumë, por gjithashtu mbizotërojnë në gjendje meditimi të thellë. Niveli optimal për të menduarit e thellë është diapazoni i valëve theta të trurit. Në atë diapazon, shqisat tona tërhiqen nga bota e jashtme dhe drejtohen nga sinjalet e brendshme. Valët theta të trurit janë një zonë mistike të cilën më së shpeshti e përjetojmë kur zgjohemi ose biem në gjumë. Meditimi theta rrit kreativitetin, intuitën dhe aftësitë e tjera psikike.

Për shembull, kur ngasim në autostradë dhe befas na bie ndërmend se nuk na kujtohen fare njëzet kilometrat e fundit, zakonisht jemi në gjendje theta. Gjatë kësaj kohe, ndërsa ngasim të relaksuar në gjendje theta, shpesh na vijnë ide të mira pa asnjë censurë.

Valët theta të trurit janë një gjendje pozitive mendore, në qoftë se jemi në gjendje të dalim lehtësisht prej saj dhe të shpejtojmë punën e trurit kur është e nevojshme të përfshihemi në mjedisin e jashtëm, të përqendrohemi dhe të mësojmë.

Aktiviteti i tepërt i valëve theta është karakteristikë e individëve me çrregullimin e mungesës së vëmendjes (ADD). Valët theta të trurit lidhen gjithashtu me ringjalljen e kujtesës, duke u rritur kur kujtojmë diçka, si dhe me aftësinë për të kontrolluar përgjigjen ndaj një stimuli.

Valët theta të trurit mbizotërojnë tek fëmijët nga 6 muaj deri në 6-7 vjeç. Ato lidhen me një gjendje sugjestibiliteti dhe hipnotizmi. Kur mbizotërojnë tek të rriturit, ato më së shpeshti shoqërohen me përgjumje dhe shkëputje. Futja e pacientit në gjendjen theta përdoret në psikoterapi për të lehtësuar ringjalljen e kujtesës, fantazisë dhe asociacioneve, kurse frekuenca prej 7 Hz lidhet me përfytyrimin.

Valët alfa të trurit (8-13 Hz)

Valët alfa të trurit shfaqen pasi të mbyllim sytë para se të flemë dhe gjatë relaksimit të thellë, kur përqendrohemi në përmbajtje të thjeshta shqisore. Ato shfaqen gjatë gjendjes së zgjimit dhe gjatë gjumit. Valët alfa të trurit lidhen me një gjendje relaksimi dhe vëmendjeje të papërqendruar, si dhe me aktivitetet krijuese.

Valët e ulëta alfa të trurit (8-10 Hz) janë të pranishme gjatë ëndërrimit dhe meditimit të lehtë kur i kemi sytë të mbyllur. Në gjendjen alfa vijmë deri te krijimtaria që ndodhet menjëherë nën vetëdijen tonë.

Valët alfa të trurit janë valë të ngadalta me amplitudë më të madhe. Personi që ka bërë ndonjë punë dhe është ulur të pushojë është zakonisht në gjendjen alfa, pasit truri pushon në gjendjen alfa. Edhe kur shëtisim në natyrë pa detyrime ose kur çlodhemi, ndodhemi në  gjendjen alfa.

Valët e larta alfa të trurit (11-12, 11-13 Hz) lidhen me gjendjen mendore të vetëdijes së hapur dhe aftësinë për t'iu përgjigjur një numri ndryshimesh në mjedis. Ajo është gjendja më e dëshirueshme e atletëve të mëdhenj. Gjendja alfa lidhet me stimujt pamorë.

Valët alfa të trurit përforcohen kur mbyllim sytë, ato janë më të forta në hemisferën e djathtë, por raporti nuk duhet të jetë më i madh se 1.5 herë.

Një ndryshim në frekuencën mbizotëruese alfa më i madh se 1 Hz midis hemisferave, tregon një anomali në hemisferën në të cilën ndodhet maja e ulët alfa. Kur i mbyllim sytë, secili prej nesh ka majën e vet tipike alfa (frekuenca alfa mbizotëruese). Njerëzit inteligjentë zakonisht tregojnë një majë alfa me frekuencë më të lartë me sytë mbyllur.

Valë të forta alfa me sy hapur mund të vërejmë edhe tek një person që konsumon marihuanë dhe mund të zgjasë për disa ditë. Gjendja alfa është një gjendje e këndshme, por nuk është e dëshirueshme kur kemi nevojë të mësojmë ose në situata kur duhet të përfshihemi në atë që po ndodh. Valët alfa të trurit shfaqen gjithashtu gjatë trajnimit autogjen.

Valët beta të trurit

Valët beta të trurit hyjnë në aktivitetet me valë të shpejta dhe karakterizohen nga një gjendje e rritjes së vetëdijes, përqendrimit dhe vëmendjes së përqendruar.

Ato mbizotërojnë gjendjen tonë të zgjuar, kur vëmendja përqendrohet në forcat njohëse dhe botën e jashtme. Kur truri është i ngazëllyer dhe merr pjesë aktive në disa aktivitete mendore, ai gjeneron valë beta të trurit. Personi që është në një bisedë aktive ndodhet në gjendjen beta. Diapazoni i valëve beta të trurit është i gjerë (13-36 Hz) dhe ndahet në nënbashkësi më të vogla, secila prej të cilave shoqërohet me një gjendje të veçantë mendore.

Ekzistojnë tre lloje të valëve beta të trurit:

Valët e larta beta të trurit nuk janë të dëshirueshme për trurin në plan afatgjatë, sepse ato konsumojnë një sasi të madhe të energjisë mendore dhe e lodhin personin.

Nëse gjendja e valëve të larta beta të trurit zgjat një kohë të gjatë, truri fillon të punojë jashtë kornizës së shëndetshme, përkatësisht disa zona të trurit pushojnë së qeni në koordinim dhe fillojnë të funksionojnë veçmas nga të tjerat ose krejtësisht në kundërshti. Shumë njerëz i përdorin këto valë të trurit për të zvogëluar ankthin, sjelljen obsesive-kompulsive dhe pagjumësinë.

Paqëndrueshmëria e këtyre valëve të trurit shkakton një tepricë të adrenalinës, ankth, ngazëllim të madh, paaftësi për t'u çlodhur, stres, ADHD, depresion, ulje e aftësisë për njohje, frikëra, acarime, zemërim.

Valët gama të trurit

Valët gama të trurit shoqërohen me funksione të larta mendore, bashkimin e të dhënave nga pjesë të ndryshme të trurit në tërësi dhe perspektivë të lartë. Ato lidhen me një gjendje hiper-vetëdijeje, por edhe me një gjendje stresi të fortë, paniku, zemërimi. Këto janë valët më të shpejta dhe më delikate, frekuenca e të cilave është nga 32 në 100 Hz. Këto valë kanë të bëjnë me përpunimin e njëkohshëm të informacionit nga pjesë të ndryshme të trurit. Valët gama të trurit transmetojnë informacion dhe ndihmojnë në rishpërndarjen e tyre të shpejtë në qendra të ndryshme të trurit.

Duhet të dihet se të gjitha valët e trurit janë të pranishme në çdo kohë, por vetëm njëra është mbizotëruese në një moment të caktuar. Mosha është një faktor që përcakton se cila valë e trurit është mbizotëruese. Frekuenca mbizotëruese e matjes me sy të mbyllur tek një i rritur është tipike për valët alfa të trurit. Në rajonet ballore dhe qendrore tek fëmijët nga 3 vjeç, mbizotërojnë valët delta të trurit. Në moshën nga 3 deri në 5 vjeç, mbizotërojnë valët theta. Valët e ulëta alfa të trurit mbizotërojnë në moshën nga 6 deri në 8 vjeç, kurse më vonë, dalëngadalë kalojnë në frekuenca të larta alfa, rreth 10Hz, kur fëmija arrin adoleshencën.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.28-30 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>