Dr. Sanja Bojçeva
Doktoreshë e mjekësisë
IPSH "Dr. Katica" - Demir Kapi
|
Tremujori i parë i shtatzënisë përfshin tre muajt e parë të shtatzënisë, pra trembëdhjetë javët e para të zhvillimit embrional të fetusit. Periudha e embrionogjenezës zgjat nga momenti i fekondimit ose fertilizimit, deri në javën e 10 të shtatzënisë, e ndjekur nga periudha fetale, pra periudha e zhvillimit të organeve të fetusit. Mosha gjestacionale e shtatzënisë llogaritet në javë të gjestacionit, duke e llogaritur si ditë të parë ditën e parë të ciklit të fundit menstrual.
Zhvillimi i fetusit sipas javëve të gjestacionit
Java e 4-të e gjestacionit - periudha e implantimit
Embrioni bie në kontakt me endometriumin dhe implantohet në të. Disa gra mund të përjetojnë gjakderdhje të lehtë gjatë kësaj periudhe, e cila quhet gjakderdhje e implantimit, e cila në vetvete nuk është shkak për shqetësim dhe shumë gra të njëjtën e interpretojnë si gjakderdhje menstruale.
Nga java e 5-të deri në javën e 10-të të gjestacionit - periudha embrionale
Është periudha në të cilën zhvillohet tubi primitiv i zemrës, gjatë së cilës mund të zbulohen tonet e para të zemrës së fetusit tuaj. Fillojnë të formohen edhe truri dhe shtylla kurrizore, domethënë fillon zhvillimi i organeve vitale. Njëherësh është edhe periudha më e rrezikshme e zhvillimit, sepse embrioni është më i ndjeshëm ndaj agjentëve teratogjenikë nga mjedisi.
Java e 10-të e gjestacionit - periudha fetale
Fillon periudha fetale, e cila zgjat deri në fund të shtatzënisë. Gjatë kësaj periudhe fetusi vazhdon të rritet dhe zhvillohet.
Ekzaminimet që duhet t'i bëni në tremujorin e parë
- Skriningu per sindromën Down - ky skrining duhet t'u ofrohet të gjitha grave shtatzëna pavarësisht nga mosha. Kryhet nga java e 11-të deri në javën e 14-të të gjestacionit. Kryhet një test i kombinuar (PRISKA 1) i cili përfshin: moshën e nënës, matjen e translucencës nukale, B-HCG dhe PAPP-A (pregnancy associated plasma protein A). Rritja e translucencës nukale është një shenjë jospecifike e anomalive të fetusit, si anomalitë kongjenitale të zemrës, aneuploiditë, omfalocela, displasia skeletore.
- Skriningu infektiv (rutinë) për mikoplazma dhe ureoplazma, Chlamydia trachomatis, hepatitis B dhe C, HIV, Cytomegalovirus, Rubella, Toxoplasma, Sifilis.
- Skriningu për diabet gjestacional - te gratë shtatzëna me rrezik të shtuar të diabetit, për të bërë OGTT
- Skriningu për preeklampsi - përfshin një sërë parametrash, siç janë faktorët e rrezikut tek nëna, PAPP-A (pregnancy associated plasma protein A), PIGF (placental growth factor), PP13 (placental protein 13), hemoglobina fetale në gjakun e nënës, cell free fetal DNA, indeksi pulsativ i arteries së mitrës dhe presioni i mesëm arterial.
- Skriningu për hipotiroidizëm/hipertiroidizëm - përcaktimi i TSH dhe FT4 dhe administrimi i terapisë së përshtatshme, nëse është e nevojshme.
Gjakderdhja në tremujorin e parë të shtatzënisë
Gjakderdhja vagjinale në tremujorin e parë është e zakonshme. Shkaqet e gjakderdhjes në tremujorin e parë mund të jenë: gjakderdhja e implantimit, infeksionet, kërcënimi i abortit, hematoma retrokorionike, shtatzënia ektopike, sëmundja trofoblastike dhe gjakderdhja e shkaktuar nga manipulimet e qafës së mitrës.
Pacientët me gjakderdhje në tremujorin e parë duhet të kontaktojnë gjinekologun e tyre për të gjetur shkakun e gjakderdhjes dhe për ta trajtuar atë në mënyrë të përshtatshme.
Këshilla për tremujorin e parë
- Të rishikohen shprehitë shoqërore dhe të lihet duhani, sepse nikotina ndikon në qarkullimin në placentë.
- Të ndalohet konsumi i alkoolit, sepse shkakton anomali të fetusit.
- Të konsumohet një shumëllojshmëri ushqimesh të pasura me proteina, fibra dhe yndyrë. Të gjitha gratë shtatzëna duhet të marrin shtesa të acidit folik dhe hekurit, kurse nëse janë vegjetariane, edhe të vitaminës B12.
- Pacientët që kanë pasur aborte të përsëritura, lindje të parakohshme, plasje të parakohshme të ujërave dhe gjakderdhje vagjinale, duhet të shmangin marrëdhëniet seksuale.
- Udhëtimi me aeroplan mbart rrezik të trombozës venoze, ndaj rekomandohen çorapet ngjeshëse.
- Udhëtimi jashtë vendit mbart rrezik të sëmundjeve endemike, që mund të jenë të rrezikshme për gruan shtatzënë dhe fetusin. Për të vizituar disa vende nevojitet vaksinim i detyrueshëm, ndërsa disa nga vaksinat janë kundërindikuar në shtatzëni.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTOR 2021).