Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

BETTY nëna – Gjumi dhe temperamenti

March 1, 2022

Sanja Gjorgjeva
Trajnere e certifikuar e gjumit për foshnja dhe fëmijë

|



Gjumi dhe temperamenti. Si ndikon temperamenti mbi gjumin?

Gjumi dhe temperamenti i foshnjave dhe fëmijëve janë të lidhur ngushtë dhe për këtë arsye, shpesh nevojiten strategji të veçanta gjumi dhe stërvitje për të arritur te netët me gjumë të plotë që i dëshironi.

A ju duket e njohur ndonjëra prej këtyre?

"Më duhet të kërcej mbi topin e pilates për ta vënë në gjumë“.

“Sikur ka frikë se mos humb diçka. Thjesht nuk dëshiron të humbasë kohë duke fjetur."

“Vëren GJITHÇKA. “Nuk i shpëton asgjë”.

“Sapo e fus në krevatin e vet, i hap sytë dhe më duhet të filloj nga e para”.

“Gjumi ka qenë i vështirë që kur ka lindur. "Thjesht nuk dëshiron të flejë... kurrë."

SI LIDHEN GJUMI DHE TEMPERAMENTI I FOSHNJËS?

Disa fëmijë kanë reagime më të qeta ndaj informacionit që marrin. Gjumi zakonisht nuk është problem për ta, sepse janë në gjendje t’i qetësojnë emocionet e tyre, të "shkëputen" nga bota e jashtme dhe të zhyten në një gjumë të thellë.

Disa të tjerë, të cilët shpesh i quajmë "shumë temperament", kanë shumë më tepër vështirësi me gjumin. Ata marrin shumë më tepër informacion dhe bombardohen nga shqisat e tyre gjatë ditës, duke e pasur të vështirë për t'i kontrolluar ato, gjë që e bën të vështirë qetësimin dhe "shkëputjen" nga bota e jashtme dhe rënien në një gjumë të thellë.

CILAT KARAKTERISTIKA NDIKOJNË MBI GJUMIN?

Intensiteti

Gjithçka është më e theksuar. Nëse janë të lumtur, janë vërtet të lumtur. Kur shqetësohen, shpërthejnë si bomba. Për këta foshnja, prindërit thonë: "Nëse nuk e qetësoj për disa sekonda, atëherë asgjë nuk mund ta qetësojë". Nëse vendosni të bëni stërvitje gjumi, duhet ta trajtoni me shumë kujdes, si stërvitjen, ashtu edhe metodën të cilën do ta përdorni. Intensiteti është një nga arsyet kryesore pse stërvitja e gjumit mund të dështojë. Këta foshnja, nuk “qajnë vetëm 15 minuta”; ata mund të vazhdojnë me të qarën histerike edhe një orë e më shumë, shumë netë rresht, pa asnjë ndryshim. Prandaj, duhet të zgjidhni me shumë kujdes metodën dhe qasjen me të cilën do të bëni stërvitjen, për të pasur sukses.

Qëndrueshmëria

"Përshtatshmëria" dhe "fleksibiliteti" nuk janë në fjalorin e fëmijëve me temperament. Ata nuk heqin dorë lehtë nga ajo që duan dhe bëjnë gjithçka për ta marrë atë. Ky është një tipar i shkëlqyer te të rriturit, por te fëmijët mund të jetë rraskapitës për prindërit. Është e rëndësishme të dini se kur përpiqeni t'ua ndryshoni shprehitë, ata do të luftojnë me ju. Por nëse jeni këmbëngulës, të qëndrueshëm dhe i mbështesni gjatë gjithë procesit, ata do të kuptojnë shpejt dhe do të mësojnë rutina dhe metoda të reja, gjë që do t'ju sjellë gjumë të plotë të gjithëve.

Perceptimi

Ata vërejnë gjithçka, por vërtet gjithçka.  Nëse e shikojmë këtë nga një këndvështrim tjetër, është një aftësi e jashtëzakonshme. Këto mendje të vogla të shkëlqyera vërejnë emocione dhe lidhje. Vërejnë se diçka ka ndryshuar ose që ka ndryshime të vogla në rutinë. Ata gjithashtu vërejnë nëse jeni në mëdyshje për qasjen tuaj ndaj gjumit dhe nëse nuk jeni të sigurt për veprimet tuaja. Do t'ju duhet të jeni më të qëndrueshëm dhe këmbëngulës se kurrë më parë, nëse dëshironi t'i stërvitni dhe të shihni përmirësim në gjumin e tyre. Duhet të keni një plan dhe rutinë të mirëmenduar, të qartë dhe të përsëritur.

Gjallëria/aktiviteti

Fëmijët me temperament janë aktivë gjatë gjithë ditës. Truri i tyre punon gjatë gjithë kohës dhe nxjerr ide të reja. Po e them edhe një herë: është një aftësi e shkëlqyer, por fëmijët kaq të vegjël mund t'i acarojë shpejt dhe t'u shkaktojë lodhje. Mund të keni vënë re se ata janë më aktivë dhe më me energji në mbrëmje. Kjo, sepse nuk i ka zënë gjumi në kohë. Për këta fëmijë është shumë e rëndësishme t'i kushtohet vëmendje dritares së zgjimit, të mos anashkalohet gjumi i ditës dhe të flenë në kohë në mbrëmje.

Rritja e ndjeshmërisë së shqisave

Te fëmijët me temperament, shqisat janë shumë të shprehura. Disa tekstura, tinguj, drita dhe situata të ndryshme të vogla mund t'ua vështirësojnë gjumin. Ashtu si historia e "princeshës dhe bizeles", ata do ta ndiejnë një bizele të vogël nën një grumbull dyshekësh dhe nuk do t'i marrë gjumi. Pikërisht me këtë përballen prindërit kur përpiqen t'i vënë në gjumë: ndryshimi ose problemi më i vogël me ambientin e gjumit do të thotë se ata nuk do t'i marrë gjumi.

Ata reagojnë ndryshe në situata të caktuara. Disa prej tyre irritohen nga tingujt dhe mbulojnë veshët kur dëgjojnë një sirenë, ose shpërthejnë me zemërim në vende të mbushura me njerëz dhe me zhurmë. Nga ana tjetër, disave u pëlqen dhe kërkojnë më shumë intensitet dhe zhurmë. Këta janë zakonisht fëmijë të cilëve u pëlqen të bien në gjumë me një lëkundje të fortë ose duke kërcyer mbi topin e pilates.

Si prind i një fëmije të ndjeshëm, është shumë e rëndësishme t’i njihni ndjenjat e tij, t'i vëzhgoni dhe të kuptoni se çfarë i ndihmon, çfarë i stimulon dhe çfarë i irriton e të ngjashme. Vetëm në këtë mënyrë do t'i ndihmoni të qetësohen, të bien në gjumë dhe të flenë natën.

Nëse keni një fëmijë që u përgjigjet karakteristikave të lartpërmendura dhe nuk fle natën, mos u dëshpëroni - problemi nuk është tek ju, fajin e ka temperamenti. Por edhe fëmijët më me temperament, me plane, rutina dhe mënyra të stërvitjes së gjumit të realizuara si duhet, mund të mësojnë të flenë gjatë gjithë natës.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.6-7 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>