Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Leximi i shpejtë – aftësi e epokës së re

March 1, 2022

Mr. Gordana Andonovska
Trajnere e certifikuar për metodën e leximit të shpejtë “Power reading”

|



Përvetësimi i metodës "leximi i shpejtë" dyfishon shpejtësinë e leximit, krijon një qëndrim më pozitiv ndaj leximit dhe të mësuarit dhe, si rezultat, personi bëhet më efikas, mund të përqendrohet në një detyrë të caktuar pa shumë përpjekje dhe në të njëjtën kohë të kënaqet dhe të menaxhojë kohën e tij.

Leximi është një proces që kërkon dhe shkakton disa reagime komplekse, edhe atë shqisore, eksperimentale, perceptuese, të të menduarit etj. Njerëzit lexojnë kryesisht për të marrë informacion, për të mësuar dhe për t'u argëtuar, por është vërtetuar se ka shumë dallime individuale në mënyrën se si lexojmë. Shumë prej nesh kanë përvetësuar shprehi të këqija të leximit, të cilat kërkojnë kohë dhe e vështirësojnë të kuptuarit.

Është vërtetuar se, për shkak të nënvokalizimit, me leximin tradicional, lexuesi mesatar i rritur mund të lexojë trillime me një shpejtësi prej një deri në një faqe e gjysmë në minutë ose 250 deri në 400 fjalë në minutë. Mënyra tradicionale e të lexuarit nuk ka ndryshuar me shekuj, kurse neve na duhet të mësojmë gjithnjë e më shumë, që do të thotë se duhet të përmirësojmë teknikat e leximit që ndihmojnë për të përdorur dhe aktivizuar më shumë trurin tonë. Leximi i shpejtë ndryshon rrënjësisht qasjen ndaj leximit dhe të mësuarit, kurse fëmijët që e zotërojnë këtë teknikë janë shumë më të sigurt dhe përparojnë shpejt, duke qenë se nuk kanë frikë nga leximi dhe mësimi.

Nga pikëpamja kognitive, leximi i shpejtë përbëhet nga ushtrimi i përvetësimit të tërësisë së mendimeve, d.m.th. të kuptohet thelbi në disa fjalë që shihen njëherësh, kurse më pas të krijohet një imazh i asaj që lexohet dhe jo të lidhen fjalët e veçanta. Ky quhet lexim  kontekstual ose aktiv, kur ende pa mbaruar atë që po lexon, nxjerr përfundime. Ky lloj leximi bëhet i mundur duke zgjeruar fushën e shikimit, gjë të cilën mund ta bëjë çdokush, duke rritur shpejtësinë e lëvizjes ritmike të syve, e ashtuquajtura "rrëshqitje në tekst", si dhe duke pakësuar nënvokalizimin me rreth 50 përqind. Meqenëse kujtesa shërben si një furnizim afatgjatë informacioni, por edhe si përkujtues kur na nevojitet, ndërsa lexojmë, ne i përkujtojmë imazhet dhe asociacionet e jo fjalët, dhe meqenëse imazhet mbahen mend më gjatë, mendohet se kujtesa është më e fortë kur lexojmë shpejt.

Në të vërtetë, truri ynë nuk di se çfarë kemi lexuar derisa të krijojë një imazh të tekstit dhe është e rëndësishme të dini se aftësia e leximit të shpejtë nxit aktivitetin e njëkohshëm në të dy hemisferat.
Lidhja e shpejtë dhe shndërrimi i asaj që lexoni në imazh ju bën më të pranishëm dhe më me ndikim, diçka që i mungon leximit tradicional, sepse truri ka kohë të mendojë për gjëra të tjera. Për këtë shkak, leximi i shpejtë është edhe një nga mënyrat për të zhvilluar inteligjencë më të madhe, duke qenë se mënjanon në mënyrë të tërthortë stresin e aktiviteteve të të menduarit, rrit ndërgjegjësimin për aftësitë tuaja, jeni në gjendje të organizoni më mirë idetë dhe thjesht keni kohë për gjithçka.

Gjatë shkrim-leximit në shkollë, rreth 50 përqind e fëmijëve mësojnë të lexojnë me lehtësi. Për gjysmën tjetër është një detyrë e vështirë, kurse për 20 deri në 30 për qind prej tyre leximi shndërrohet në një nga detyrat më të vështira kognitive në jetë. Prandaj është e nevojshme që të zotërohet aftësia për të lexuar me zë, me saktësinë, shpejtësinë dhe ekspresivitetin e duhur.

Kur nuk përvetësohet leximi i rrjedhshëm, lexuesit lexojnë ngadalë dhe me mundim, gjë që e bën të vështirë që ta kujtojnë atë që e kanë lexuar dhe t'i lidhin idetë e paraqitura në tekst me përvojën e tyre, duke qenë se ritmi i leximit nuk është i njëtrajtshëm. Nga ana tjetër, ata që e zotërojnë leximin e rrjedhshëm nuk shpenzojnë shumë kohë për të njohur fjalët, kështu që mund të përqendrohen në kuptimin e tekstit. Prandaj, edhe te të rriturit, ata që kanë nevojë më të madhe për të lexuar përjetojnë zhgënjim, gjë që tregon se aftësia për të zotëruar me cilësi informacionin është një çështje e ndjeshme për çdo individ, në çdo moshë.

Termat përqendrim dhe fokus ngatërrohen shpesh. Përqendrimi është bindja e vetëdijshme e vetes për të drejtuar vëmendjen në diçka. Arsyet e shpërndarjes së grimcave të vëmendjes janë motivimi i dobët, mungesa e interesit për temën, shpejtësia joadekuate e leximit, mungesa e fjalorit, organizimi i dobët, por edhe mesazhet afatshkurtra që vijnë nga prania e celularëve, rrjeteve sociale, televizori i ndezur gjatë leximit dhe të ngjashme. Nga ana tjetër, fokusi është një gjendje e shtendosur syhaptësie, që nënkupton lexim, shkrim, zgjidhje detyrash dhe të mësuar me lehtësi, pa ngarkesën e hapësirës dhe kohës. Kjo kënaqësi është e njëjtë si kur merreni me hobin tuaj të parapëlqyer dhe ndërsa e bëni këtë, nuk keni dëshirë të shikoni telefonin apo televizorin.

Metoda e leximit të shpejtë është e dobishme për të gjithë, nga nxënësit, studentët, mësuesit dhe profesorët, deri te të gjithë ata që kërkojnë zhvillim profesional. Ai mund të mësohet në dy mënyra: duke marrë pjesë në një seminar ku trajneri ju udhëzon përmes teknikave të leximit të shpejtë, ose duke ndjekur udhëzimet vetë në doracakë apo internet. Mosha minimale është tetë vjeç dhe nuk ka kufi tjetër për moshën, inteligjencën, përvojën e mëparshme të punës, suksesin në shkollë, notën mesatare të universitetit, profesionin apo të tjera.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.20-21 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>