dr. spec. Ivana Temelkovska
IPSH COMFORT DENTAL
|
Nëse ndieni se buzëqeshjes suaj i mungon shkëlqimi ose ka marrë një nuancë të verdhë, nuk jeni vetëm. Në praktikën tonë të përditshme stomatologjike dhe studimet e shumta në fushën e stomatologjisë estetike kanë vërtetuar se një nga pyetjet më të shpeshta nga pacientët është se si të kenë dhëmbë më të bardhë dhe madje 90% e pacientëve kanë kërkuar zbardhje.
Mendoni të zbardhni dhëmbët? Së pari merrni parasysh faktet në vijim.
Pesë nga pyetjet më të shpeshta:
Pse dhëmbët e mi kanë ndryshuar ngjyrë?
Me kalimin e kohës, dhëmbët tuaj mund të kthehen nga të bardhë në të verdhë për arsyet në vijim:
Ushqimet dhe pijet
Kafeja, çaji dhe vera e kuqe janë disa nga shkaktarët kryesorë për njollat e dhëmbëve. Çfarë kanë të përbashkët? Pigmentet me ngjyra intensive, të quajtura kromogjene, të cilat ngjiten në pjesën e jashtme të bardhë të dhëmbit tuaj (smalti).
Përdorimi i duhanit
Dy kimikate që gjenden në duhan, krijojnë njolla të forta, gjegjësisht katrani dhe nikotina. Katrani është i errët nga natyra, ndërsa nikotina është e pangjyrë derisa të përzihet me oksigjen. Më pas kthehet në një substancë të verdhë, që shkakton njolla në sipërfaqen e dhëmbit.
Mosha
Nën shtresën e jashtme të fortë dhe të bardhë të dhëmbëve tuaj (smalt) ndodhet një zonë më e butë, e quajtur dentinë. Me kalimin e kohës, shtresa e jashtme e smaltit bëhet më e hollë për shkak të fërkimit.
Trauma
Nëse ju kanë goditur në gojë, dhëmbi mund të ndryshojë ngjyrë, sepse reagon ndaj dëmtimit duke derdhur më shumë dentinë, e cila është një shtresë më e errët nën smalt.
Barnat
Errësimi i dhëmbëve mund të jetë efekt anësor i disa antihistaminave, antipsikotikëve dhe barnave për presionin e lartë të gjakut. Fëmijët e vegjël që janë të ekspozuar ndaj antibiotikëve si tetraciklina dhe doksiciklina kur u formohen dhëmbët (qoftë në mitër ose si foshnja), mund të kenë ndryshim të ngjyrës së dhëmbëve më vonë në jetë. Kimioterapia dhe rrezatimi në kokë dhe qafë gjithashtu mund të errësojnë dhëmbët.
Si funksionon zbardhja e dhëmbëve?
Zbardhja e dhëmbëve është një proces i thjeshtë. Produktet për zbardhje përmbajnë një nga dy zbardhuesit bazë të dhëmbëve (peroksid hidrogjeni ose peroksid ureje). Këto lëndë zbardhuese i shpërbëjnë njollat në copa më të vogla, duke e bërë ngjyrën më pak të përqendruar dhe dhëmbët më të shndritshëm.
A ndikon zbardhja në të gjithë dhëmbët?
Jo, është e rëndësishme të flisni me dentistin tuaj përpara se të vendosni të zbardhni dhëmbët, pasi zbardhja mund të mos rregullojë të gjitha llojet e ndryshimeve të ngjyrës. Për shembull, dhëmbët e verdhë me shumë gjasë do të zbardhen mirë, dhëmbët kafe mund të mos reagojnë po aq mirë dhe dhëmbët e hirtë mund të mos zbardhen fare. Zbardhja nuk do të funksionojë në kurora ose mbushje. Gjithashtu nuk do të jetë efektive nëse zbardhja e dhëmbëve shkaktohet nga barnat ose dëmtimi i dhëmbëve.
Cilat janë opsionet e mia për zbardhje?
Flisni me dentistin tuaj përpara se të filloni. Nëse jeni kandidat, ka katër mënyra për të rikthyer shkëlqimin në buzëqeshjen tuaj:
Pasta dhëmbësh për heqjen e njollave
Të gjitha pastat e dhëmbëve ndihmojnë në heqjen e njollave sipërfaqësore, nëpërmjet veprimit të gërryesve të butë që pastrojnë dhëmbët. Kërkoni pasta zbardhuese dhëmbësh që kanë fituar vulën e pranimit nga ADA për heqjen e njollave (shkruhet në paketim). Këto pasta dhëmbësh kanë lustrues shtesë, që janë të sigurt për dhëmbët tuaj dhe ofrojnë efikasitet në heqjen e njollave. Ndryshe nga zbardhuesit, këto lloj produktesh të pranuara nga ADA nuk e ndryshojnë ngjyrën e dhëmbëve, ngaqë mund të heqin vetëm njollat në sipërfaqe.
Zbardhja në ordinancë
Kjo procedurë quhet zbardhje në ordinancë dhe zakonisht kërkon vetëm një vizitë në ordinancë. Dentisti do të vendosë një xhel mbrojtës ose një këllëf gome për t'i mbrojtur mishrat tuaja. Procedura tjetër është vendosja e lëndës zbardhuese.
Zbardhja në shtëpi
Dentisti juaj mund t'ju ofrojë një lëndë zbardhuese për në shtëpi. Në këtë rast, dentisti do t'ju japë udhëzime se si ta vendosni tretësirën zbardhuese në sirtar dhe për sa kohë. Ky mund të jetë një opsion i rekomanduar, nëse ndiheni më rehat t'i zbardhni në shtëpinë tuaj me një ritëm më të ngadaltë, por gjithsesi nën drejtimin e një dentisti. Zbardhja jashtë ordinancës mund të zgjasë nga disa ditë deri në disa javë.
Produktet për zbardhje pa recetë
Mund të gjeni opsione të ndryshme në internet ose në tregun tuaj lokal, të tilla si pastat e dhëmbëve ose shirita për zbardhjen e dhëmbëve. Përqendrimi i lëndës zbardhuese në këto produkte është më i vogël se sa do të përdorte dentisti juaj në ordinancë. Nëse po mendoni të përdorni një komplet për zbardhje pa recetë, diskutoni opsionet me dentistin tuaj dhe kërkoni vulën e pranimit nga ADA. Kjo do të thotë se është testuar si i sigurt dhe efektiv për zbardhjen e dhëmbëve. Merrni një listë të të gjitha produkteve për zbardhje në shtëpi të miratuara nga ADA.
A ka ndonjë efekt anësor nga zbardhja e dhëmbëve?
Disa njerëz që përdorin zbardhues dhëmbësh, mund të kenë ndjeshmëri të dhëmbëve. Kjo ndodh kur peroksidi në zbardhues hyn përmes smaltit në shtresën e butë të dentinës dhe irriton nervin e dhëmbit tuaj. Në shumicën e rasteve, ndjeshmëria është e përkohshme. Mund të shtyni trajtimin dhe më pas të provoni përsëri.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.8-9 të botimit elektronik të revistës BETTY (PRILL 2022).