Natalina Sindilieva
Trajnere personale e certifikuar nga NASM për ushtrime korrigjuese
Instruktore e certifikuar e jogës
Instruktore në Pole People Skopje (Pole fitness, Aerial hoop, Joga)
|
Aerial hoop është një sport (akrobacion, art) të cilin e kemi parë më shpesh në cirk, si një nga pikat që na lë pa frymë nga ngazëllimi, frika dhe pritja se çfarë do të ndodhë më tej. Kushdo që ka qenë në cirk të paktën një herë, nuk ka se si të mos i ketë lënë mbresa mënyra se si lëvizin dhe lehtësia me të cilën interpretojnë artistët e cirkut. Ka disa vite që
Aerial hoop është tashmë një disiplinë sportive dhe pjesë e garave evropiane dhe botërore, me rregulla dhe lëvizje të përcaktuara saktësisht për vlerësim.
Çfarë është Aerial hoop?
Aerial hoop në fakt paraqet një rreth metalik që varet nga tavani pa prekur tokën, në të cilin kryhen akrobacione të ndryshme, tendosje, hedhje dhe vallëzim.
A mund të ushtrojnë të gjithë Aerial hoop?
Sigurisht që mund të ushtrojnë të gjithë. Të mësuarit e tij nis nga fillimi, gjegjësisht nga ushtrimet më themelore. Edhe pse rrethi qëndron i varur, ushtrimet që bëjmë janë përgatitje për të fituar forcë më tej. Orët e tendosjes janë gjithashtu të përfshira, pasi fleksibiliteti, ashtu si forca, është një element mjaft i rëndësishëm i
Aerial hoop.
Çfarë përgatitje fizike nevojitet para orës së parë të Aerial hoop?
Nuk keni nevojë për ndonjë përgatitje fizike paraprake. S'do mend se do ta keni më të lehtë nëse jeni të përgatitur ose keni ushtruar më parë, por prapëseprapë ajo nuk është masë për asgjë. Ka raste kur disa vajza, të cilave nuk u ka shkuar asnjëherë për dore sporti ose të cilat nuk janë ndjerë asnjëherë të sigurta në ndonjë disiplinë, e kanë gjetur veten mjaft mirë në stërvitjen
Aerial hoop.
Çfarë lloj veshjeje nevojitet për orët e Aerial hoop?
Aerial hoop ushtrohet me triko dhe këmishë me mëngë të shkurta (këmisha me mëngë të gjata është po ashtu e mirëpritur). Në parim nuk është mirë që rrethi të bie në kontakt me lëkurën e zhveshur, ndonëse edhe mund të ndodhë, por për fillestarët është mjaft e dhimbshme dhe këshillohet që prekja të jetë me rrobat dhe jo drejtpërdrejt me lëkurën. Gjatë stërvitjes ka shumë mundësi që lëkura të mavijoset vende-vende, por natyrisht kjo është pjesë e sportit dhe me kalimin e kohës lëkura mësohet dhe nuk ka asnjë problem.
A është e frikshme të ushtrosh Aerial hoop?
- Në shikim të parë, Aerial hoop duket një gjë mjaft e frikshme dhe sfiduese, sidomos kur sheh se nuk ka stabilitet dhe se rrethi lëviz në ajër gjatë gjithë kohës dhe ju duhet të lëvizni me të pa mos e prekur tokën. Është e çuditshme mbase 2-3 orët e para, por pastaj, kur e kap thelbin dhe fillon të bësh disa elemente e madje edhe koreografi, rutina bëhet mjaft zbavitëse.
Cilat janë përfitimet nga stërvitja Aerial hoop?
- Së pari dhe më kryesorja për mua është përballja me frikën, rritja e vetëbesimit dhe lumturia e pamasë kur arrin të bësh diçka. Gjithashtu bëheni shumë më të fortë, sepse gjatë gjithë kohës ushtroni me peshën tuaj (duhet të ngriheni në rreth vetëm me forcën tuaj), fitoni lëvizshmëri më të madhe dhe natyrisht bashkërendimi i trupit rritet ndjeshëm. Pas disa stërvitjeve nuk do t'ju besohet se jeni ju dhe se mund të bëni lëvizje të tilla. Rezultatin mund ta shihni shumë shpejt dhe me lehtësi.
A ka kufizim moshe apo kufizim në peshë trupore?
- Nuk ka kufizim moshe dhe as kufizim në kilogramë. Gjithkush mund të vijë, të përpiqet dhe të befasohet me veten. Mund të ushtrojnë fëmijë, të rritur e madje edhe njerëz të moshuar të cilët nuk kanë problem me pozicionin e përmbysjes, gjegjësisht të qëndrojnë me kokën poshtë dhe këmbët lart. Pesha trupore nuk është aspak problem për të ushtruar Aerial hoop. Në fillim, mbase ata që kanë kilogramë shtesë do të kenë vështirësi në stërvitje, por kur të mësohen me forcën e ngritjes së trupit nuk do ta kenë aspak vështirësi, madje do të fitojnë përparësi nga ulja e peshës në të ardhmen.
A mund të dobësohesh nga Aerial hoop?
- Një nga pyetjet më të rëndësishme për ne gratë. Të them të drejtën, motivi im nuk është aspak humbja në peshë, sepse me ushqimin e duhur dhe çfarëdolloj ushtrimi, qoftë edhe minimal, jo vetëm që mund të humbni peshë, por dhe të gëzoni figurë të bukur trupore. Sigurisht që mund të dobësohesh me Aerial hoop, por jo sikur dobësohesh me vrapim ose palestër, pasi humbja e peshës është proporcionale me muskulaturën dhe formën e trupit tuaj. Pse ndodh kjo? - Për shkak se është stërvitje vetëm me peshën vetjake dhe me aktivizim të të gjithë muskujve. Për t'u ngritur në rreth duhet të aktivizoni krahët, të cilët aktivizojnë barkun, i cili më pas aktivizon këmbët, duke e bërë trupin një tërësi të vetme të koordinimit të përsosur në lëvizje. Prandaj, nëse keni duar dhe bark të fortë, por jo në koordinimin të ndërsjellë, ka shumë të ngjarë ta keni të vështirë që të ngriheni dhe të lëvizni në rreth.
A është sport mashkullor apo femëror?
- Si çdo sport tjetër, edhe ky mund të ushtrohet nga të gjithë pavarësisht nga gjinia. Në disa akrobacione, burrat kanë më shumë përparësi sesa gratë, ndërsa në disa ndodh e kundërta. Është gjerësisht e njohur që burrat kanë më shumë forcë dhe gratë më shumë fleksibilitet, por besoj se kjo nuk është më një pikë referimi, sepse ka gra jashtëzakonisht të forta dhe burra jashtëzakonisht fleksibël. Gjëja më e rëndësishme është të bëni atë që doni.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.28 të botimit elektronik të revistës BETTY (MARS 2020).