Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

BETTY personazhi – Violeta Nikolova – Vile

October 1, 2021

okt 2021

Cila është historia pas figurave që pikturoni duke kombinuar abstraksionin dhe realizmin?

Piktura ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime dhe e ekzistencës sime. Nga natyra jam një estete e madhe dhe është shumë e rëndësishme për mua të jem e rrethuar nga e bukura. Piktura më lejon të shpreh ndjenjat e mia të brendshme, kurse shtysat që më përmbushin plotësisht, më lejojnë të shprehem artistikisht dhe gjithë atë bukuri ta përkthej në një pikturë, në një vepër arti.

Kam pasur shumë faza në punën time artistike, por vitet e fundit jam angazhuar në mënyrë aktive në pikturën figurative, kryesisht në portrete, sepse mendoj se çdo portret mbart historinë e vet. Çdo figurë e paraqes me ndjenjat njerëzore, me shprehjen time, qoftë melankoli, trishtim, lumturi, gëzim apo diçka tjetër, duke kombinuar edhe elemente abstraksioni dhe realizmi. Figurat mund të jenë të vërteta ose imagjinarë, nuk ka aspak rëndësi për mua.

Siç e dini, gjithçka është e lejuar në art, kështu që përpiqem t'i paraqes pak më ndryshe figurat që i pikturoj; të jenë realiste, por megjithatë me elemente abstrakte. Për këtë arsye luaj shumë me ngjyrat, ashtu që figurat mund të jenë të kaltra, të kuqe, portokalli, të verdha, gjithçka në funksion të ekspresionit dhe për ta bashkuar të papajtueshmen.

Ndër teknikat që përdor janë vaji, ngjyrat akrilike, sprejet për kanavacë, të cilat i aplikoj me shpatull, furça, lapsa grafit, stilolapsa me majë dhe gjithçka që mund të merret me mend. Kur filloj të pikturoj kam një ide, por gjatë procesit më vijnë ide të ndryshme dhe nuk e di se si do të dalë në fund vepra, por gjëja më e rëndësishme është të jesh i kënaqur me rezultatin përfundimtar. Pa dyshim, gjëja më e rëndësishme është se si do të ndihet publiku në lidhje me atë vepër.

Meqenëse jeni duke bërë diçka krejtësisht të ndryshme nga piktura, si e gjetët veten në këtë art?

Si historiane arti dhe artiste figurative, kam qenë gjithmonë në kontakt me artin dhe në përgjithësi e rrethuar prej tij, herë më shumë e herë më pak, në varësi të kohës sime të lirë dhe nevojave ekzistenciale, por gjithmonë i jam kthyer vazhdimisht. Sidoqoftë, ka gati 20 vjet që jam e punësuar si redaktore e redaksisë së filmit në televizionin Kanal 5 dhe jam vërtet me fat që kjo punë është dashuria ime e dytë pas pikturës. Në njëfarë mënyre, në trazirat e jetës sime, këto dy gjëra më përshtaten dhe më përmbushin plotësisht si person dhe si artist dhe përpiqem që gjithmonë të jap më të mirën nga vetja.

Cili është mesazhi juaj për njerëzit që kanë dëshirë, por nuk kanë guxim ta provojnë veten në pikturë?

Mesazhi im për të gjithë është që të kenë një ëndërr dhe ta ndjekin atë, pavarësisht se cila është ajo ëndërr, qoftë piktura, muzika, sporti apo poezia. Njeriu duhet të jetë këmbëngulës në idenë e tij, se rezultatet dhe suksesi s'ka se si të mos vijnë vetë. Vitet e fundit, rrjetet sociale kanë qenë shumë të dobishme, ku mund ta paraqisni më lehtë atë që bëni dhe doni.

Unë mund t'i paraqes pikturat e mia në platforma të ndryshme, njerëzit mund t'i shohin ato dhe qëllimi përfundimtar është të shprehin dëshirën për t'i pasur në shtëpitë e tyre, me çka kënaqësia ime do të ishte e plotë. Mund të mburrem se jam shumë aktive në platformën Instagram: @ville_artist, ku kam mbi 10.000 ndjekës dhe ku mund të prezantohem para botës me punën time.

Më në fund, siç ka thënë dikush:

Mrekullitë fillojnë të ndodhin kur u kushtoni të njëjtën energji ëndrrave si edhe frikës.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.16 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>