Katerina Zlatanovska Popova
këshilltare e certifikuar e zhvillimit të karrierës
|
"Janë të fiksuar pas videolojërave, janë gjithë kohës me telefonin në dorë, janë para kompjuterit me orë të tëra"... këto janë vetëm disa nga komentet e zakonshme që dëgjoj gjithnjë e më shpesh dhe si nënë e dy adoleshentëve, unë personalisht mund të dëshmoj se brezat e rinj kalojnë shumë më tepër kohë me forma të ndryshme të teknologjisë, edhe kur janë në shoqërinë e bashkëmoshatarëve të tyre ose transferojnë shoqërimin nga bota reale në atë virtuale të videolojërave.
Shumë ndryshe nga fëmijëria që përjetuam ne si fëmijë, si prindër, shpesh ngelim midis nevojës për të vendosur ndalesa, kufizime dhe kërcënime dhe kënaqësisë së fëmijëve të cilët zhduken për orë të tëra në botën virtuale, gjë që na bën të përballemi me sfidën për t'u pajtuar me një fëmijëri të re dhe krejtësisht të ndryshme, që i takon brezit të ri iGen (termi u referohet të lindurve pas vitit 1997 e deri më sot dhe është i lidhur me faktin e pashmangshëm që fëmijët përdorin që në moshë të re pajisje elektronike, interneti është burimi kryesor i informacionit, ndërkaq rrjetet sociale janë mjedisi i tyre natyror).
Duke luftuar kundër një armiku të fuqishëm dhe të padukshëm, ne prindërit nga viti në vit humbim betejën kundër teknologjisë dhe magjisë që ajo u ofron fëmijëve dhe të rinjve. Edhe unë si prind rezistova për një kohë të gjatë dhe u përpoqa të vendosja rend kur ishte fjala për kohën që u lejohej dhe llojet e lojërave që ishin të disponueshme për fëmijët e mi, por sa më shumë rriteshin, aq më të vështirë e kisha të vendosja rregulla në lidhje me teknologjinë.
Duke punuar në një profesion që është mjaft i ri dhe i panjohur për ne, si këshilltare e zhvillimit të karrierës, më duhet të ndjek të gjitha tendencat dhe risitë, shfaqjen e profesioneve të reja plotësisht të paqarta dhe të panjohura për ne nga ky këndvështrim, siç është shoferi i një taksie fluturuese, për shembull, ose dizajnuesi i personazheve të televizionit me realitet virtual. Në veçanti, e kam për detyrë të jem vazhdimisht me mendje të hapur, duke parë larg nga e ardhmja dhe megjithëse nuk shihet qartë, mendoj se profesionet e së ardhmes do të jenë të lidhura ngushtë me teknologjinë dhe realitetin virtual.
Në një nga sesionet e këshillimit për karrierën me një 23 vjeçar, ai ndau pasionin e tij për videolojërat dhe shtoi me mahnitje: "Kam zhvilluar dhe përmirësuar aq shumë shkathtësi prej se kam nisur të luaj rregullisht!" Nëna brenda meje ishte e habitur, ndërsa këshilltarja e karrierës brenda meje ia bëri pyetjen logjike në vijim: "Cilat, për shembull? "A mund të m'i rendisësh dhe të m'i shpjegosh?"
Si eksperte dhe trajnere e shkathtësive të buta (të cilat quhen edhe të mbartshme, sepse pasi t'i zotëroni bëhen pjesë e juaja dhe e përvojës suaj jetësore, si p.sh. prerja me thikë, çiklizmi, noti, përdorimi i kompjuterit etj.), pyetja që jep një perspektivë krejt të re dhe do t’ju ndihmojë si prindër të shihni luajtjen e videolojërave me një sy tjetër është:
"Çfarë shkathtësish fitohen duke luajtur videolojëra?"
Hidhni një sy listës së shkathtësive (të theksuara nga klienti im, por edhe nga disa adoleshentë të tjerë me të cilët e hap këtë temë, përfshirë djemtë e mi):
- Fokusi - Kjo është një shkathtësi që na ndihmon të kemi vazhdimisht një ide të ndërgjegjshme se ku duam të shkojmë dhe pse është e rëndësishme për ne. Fokusi është një lloj udhërrëfyesi, një orientim, dhe nëse mësojmë që në vegjëli se si të marrim orientimin dhe të kthehemi nga drejtimi që kemi përcaktuar, shumë lehtë do t'i arrijmë qëllimet dhe rezultatet e dëshiruara.
- Vendosja e qëllimeve - Ashtu si fokusi, çfarëdo që të bëjnë në jetë fëmijët, ata duhet të mësojnë të vendosin një qëllim dhe të gjejnë mënyra për ta arritur atë. Kjo shkathtësi ushtrohet në botën virtuale dhe mund të pasqyrohet lehtësisht në botën reale të të rriturve në të ardhmen.
- Përqendrimi - E di që, si prind, ju acarohen nervat kur i flisni fëmijës, kurse ai as që e di se ndodheni në dhomë. Nëse ju ngushëllon, përqendrimi është një nga shkathtësitë më të rëndësishme të buta që do të jetë e dobishme për fëmijën tuaj gjatë kryerjes së detyrave të ndryshme në të ardhmen.
- Koordinimi sy-dorë - Në të kaluarën, këtë superfuqi e kishin daktilografistët, e mbani mend atë profesion të zhdukur? Sa lidhje zhvillohen për t'i përsosur këto shkathtësi motorike?
- Puna në grup dhe koordinimi - A e dini se në botën virtuale, ekipi përbëhet nga lojtarë që nuk i njihni, megjithatë ju bashkëpunoni, ndërtoni strategji, mbroheni dhe mbështeteni mes vete dhe komunikoni në mënyrë aktive, kryesisht në gjuhën angleze, duke zhvilluar edhe njohuritë e gjuhës së huaj në nivel të asaj amtare?
- Qëndrueshmëria dhe këmbëngulja - Për çfarë tjetër mund të përpiqet fëmija juaj kaq shumë dhe me kaq shumë vëmendje dhe madje edhe kur humbet, të fillojë përsëri duke iu gëzuar secilës pikë apo niveli të ri të fituar? Parafytyrojeni të jetë duke punuar në profesionin e ëndrrave dhe të heqë dorë në pengesën apo problemin e parë?
- Zgjidhja e problemeve - Kjo shkathtësi është një nga ato të çmuarat, që do të na dallojë nga makinat në të ardhmen. Të menduarit kritik dhe zgjidhja krijuese e problemeve njihen gjithnjë e më shumë si të nevojshme nga kompanitë dhe do të jetë shkathtësi e paçmueshme në botën e biznesit në vitet në vazhdim.
- Udhëheqja - rezultati dhe përfundimi në lojë varen nga udhëheqja e mirë; a mendoni se është e lehtë të udhëheqësh një skuadër virtuale? Kjo shkathtësi është një nga më të rëndësishmet për shekullin 21, e cila është shumë mirë të ndërtohet përmes lojës dhe, me zhvillimin dhe rritjen, të rrisë vetëbesimin dhe njohjen e vetes.
Dhe tani përpiquni ta vendosni veten në "këpucët e fëmijëve" dhe përpiquni të mendoni në suaza të fëmijërisë që ata njohin dhe e cila i gëzon, si tjetër mund t'i fitojnë fëmijët të gjitha këto aftësi duke ditur se për disa prej tyre kompanitë bashkëkohore investojnë buxhete të mëdha?
Mos kini frikë nga teknologjia dhe përfitimet që u sjell ajo fëmijëve tuaj. E kuptoj që është ndryshe nga ajo me të cilën jeni mësuar, por mos harroni se këta breza të rinj do të jetojnë me realitetin e zhvendosjes në Mars dhe udhëtimeve turistike në hapësirë.
Dhe natyrisht, e fundit por jo më pak e rëndësishme, maturia është çelësi i gjithçkaje, përfshirë kohën që fëmijët duhet ta kalojnë në botën virtuale. Prandaj, në vend që të jetoni në ferrin e grindjeve të vazhdueshme familjare, përpiquni të plotësoni nevojat dhe interesat e fëmijëve dhe së bashku të vendosni kufij të arsyeshëm dhe të pranueshëm.
Kaloni në nivelin tjetër!
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2021).