Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

BETTY farmacist – Shëndeti vaginal

January 1, 2022

Martina Dimeska
Magjistre e farmacisë
Barnatorija Menta Prilep

|

јан-2022

Shëndeti i mirë vaginal ruhet duke u siguruar që të jeni në gjendje të përgjithshme shëndetësore të mirë. Kjo përfshin ushqimin e shëndetshëm dhe stërvitjen. Ushtrimet normale ndihmojnë në ruajtjen e funksionit të mirë vaginal, pasi ecja dhe vrapimi ndihmojnë për të tonifikuar dyshemenë e legenit dhe për të siguruar një shëndet të përgjithshëm të mirë.

Sekrecionet vaginale

Me përjashtim të periodave, si pjesë e ciklit tuaj menstrual natyral, është normale të prodhoni sekrecion (rrjedhje) të pastër ose të bardhë nga vagina. Kjo mukozë prodhohet natyrshëm nga qafa e mitrës.
Sekrecioni vaginal nuk është gjithmonë një shenjë e keqe. Ekziston një mit që rrjedhjet e rënda, të pastra ose të bardha, shoqërohen me infeksione seksualisht të transmetueshme (SST).

Ndryshimet në sasinë e rrjedhjes mund të jenë 100% hormonale, me fjalë të tjera, të lidhura me ciklin menstrual, shtatzëninë ose menopauzën. Pamja dhe sasia e sekrecioneve vaginale ndryshojnë gjatë gjithë ciklit menstrual. Kur vezorja juaj lëshon qelizën vezë (ovulacioni), rrjedhja zakonisht bëhet më e trashë dhe më elastike, si e bardha e vezës së papërpunuar.

Një rrjedhje e shëndetshme nuk ka erë apo ngjyrë të fortë. Ju mund të ndieni lagështi të pakëndshme, por nuk duhet të keni kruajtje ose dhimbje rreth vaginës. Nëse ka ndonjë ndryshim në sekrecionin tuaj që nuk është normale për ju, si p.sh. ndryshon ngjyra ose fillon të mbajë erë ose të kruhet, vizitoni mjekun e familjes apo gjinekologun, pasi mund të keni një infeksion.

Bakteret e pranishme në vaginë

Ka shumë baktere në vaginë dhe ato janë aty për ta mbrojtur atë. Vagina përmban më shumë baktere se gjithçka tjetër në trup, përveç zorrëve, por bakteret ndodhen aty për një arsye.

Bakteret e mira në vaginë:
- ofrojnë "dominim numerik", gjegjësisht janë më të shumta në numër se bakteret e tjera me gjasë të dëmshme që mund të hyjnë në vaginë
- ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të pH-së së vaginës (sa acidike është vagina) në një nivel të barabartë, gjë që ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të baktereve
- mund të prodhojë bakteriocina (antibiotikë natyralë) për të pakësuar ose vrarë bakteret e tjera të dëmshme që hyjnë në vaginë
- prodhojnë përbërës që ndalojnë bakteret invazive që ngjiten në muret e vaginës, gjë që i parandalon bakteret që të pushtojnë indet

Nëse prishet ekuilibri i baktereve, mund të vijë deri te infeksioni dhe inflamacioni. Bakteret probiotike ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të pH-së të vaginës në një nivel normalisht të ulët (pH më të vogël se 4.5), gjë që gjithashtu parandalon rritjen e organizmave të tjerë. Nëse pH-ja e vaginës rritet (bëhet më pak acidike), cilësia ose sasia e baktereve prebiotike mund të bie ndjeshëm, ndërsa bakteret e tjera mund të shumohen. Kjo mund të rezultojë në infeksione të tilla si vaginoza bakteriale ose kandida, të cilat mund të shkaktojnë simptoma që përfshijnë kruajtje, acarim dhe rrjedhje jonormale.

Kur paraqiten infeksionet?

Infeksionet e natyrës gjinekologjike mund të paraqiten në çdo moshë, por janë më të shpeshta në moshën riprodhuese. Ato karakterizohen me rritje të sekrecioneve vaginale, të cilat karakterizohen me intensitet, ngjyrë dhe erë të caktuar, por mund të shoqërohen me çrregullime të gjendjes së përgjithshme, si dhimbje barku, temperaturë të ngritur, plogështi etj.

A nënkuptojnë gjithmonë sekrecionet vaginale infeksion?

Jo, pasi rritja e sekrecioneve vaginale mund të ndodhë gjatë ndryshimeve fiziologjike ose normale në trup. Për shembull, rritja e sekrecionit vaginal mund të lidhet me nivelin e estrogjenit në gjak, si gjatë pubertetit, shtatzënisë dhe përdorimit të pilulave kontraceptive.

Nga ana patologjike, por jo infektive, sekrecioni vaginal mund të shtohet edhe në gjendje të tilla si prania e një trupi të huaj në vaginë (tampon, prezervativ etj.), mund të jetë simptomë e ndonjë lloj kanceri gjenital etj. Për më tepër, mund të jetë edhe simptomë shoqëruese e ekzistimit të një fistule gjenitale, por edhe rezultat i ndryshimeve të tjera beninje, madje edhe reaksioneve alergjike.

A është rrjedhja jonormale vaginale shenjë infeksioni?

Është normale që gratë të kenë sekrecion vaginal gjatë dhe pas pubertetit. Në fakt, mukoza vaginale luan një rol të rëndësishëm për t'i ndihmuar gratë të mbeten shtatzënë. Ajo gjithashtu luan rol në mbrojtjen e fetusit në rritje. Sasia, ngjyra dhe struktura e mukozës ndryshojnë gjatë ciklit menstrual të gruas. Megjithatë, kjo sugjeron që rrjedhja jonormale vaginale mund të jetë një shenjë infeksioni. Shumë faktorë mund të luajnë rol në shfaqjen e infeksioneve vaginale dhe rrjedhjes vaginale.

Çfarë i shkakton sekrecionet jonormale vaginale dhe infeksionin?

Sekrecioni jonormal vaginal është i ndryshëm nga rrjedhja normale e përmuajshme vaginale. Ka të ngjarë të shoqërohet me djegie ose kruajtje ose të dyja së bashku, dhe mund të ketë një erë të fortë. Kjo lloj rrjedhjeje nuk duhet të shpërfillet, pasi është shenjë e një problemi që duhet trajtuar.

Ndonjëherë infeksioni mund të shkaktohet nga një rritje e tepërt e baktereve normale vaginale, e cila mund të shkaktojë kruajtje dhe rrjedhje. Për shembull, infeksioni i majave është irritues dhe i pakëndshëm. Në raste të tjera, infeksioni është seksualisht i transmetueshëm. Gonorrea dhe klamidia, për shembull, janë infeksione seksualisht të transmetueshme, të shkaktuara nga bakteret që rezultojnë në kruajtje dhe rrjedhje vaginale. Nëse nuk trajtohen, SST-të mund të shkaktojnë sëmundje serioze, madje edhe vdekje. Për fat të mirë, shumica e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme mund të trajtohen në mënyrë efektive me antibiotikë.

A transmetohen seksualisht të gjitha infeksionet në gjinekologji?

Jo, ka disa infeksione që nuk transmetohen seksualisht dhe paraqiten kur prishet ekuilibri i mikroorganizmave normalë në vaginë, i njohur edhe si “çrregullim i imunitetit lokal”. Kur ky ekuilibër prishet, disa mikrobe mund të shumohen dhe të shkaktojnë një gjendje patologjike që ndikon në shëndetin riprodhues të gruas. Një nga ato gjendje është e ashtuquajtura vaginoza bakteriale, për të cilën në fakt trajtohet vetëm gruaja, jo partneri i saj, për dallim nga infeksionet seksualisht të transmetueshme.

Si trajtohen infeksionet në gjinekologji?

Çdo gjendje e rritjes së sekrecioneve vaginale duhet të vlerësohet në mënyrë adekuate dhe, pas diagnozës së duhur, edhe të trajtohet. Trajtimi varet nga shkaku dhe, në rast të infeksioneve seksualisht të transmetueshme, trajtimi bëhet gjithmonë me një antibiotik të caktuar dhe trajtohet si gruaja, ashtu edhe partneri i saj.

Cilat janë pasojat e infeksioneve?

Spektri i pasojave është i gjerë, nga infeksioni lokal deri te sëmundjet inflamatore të legenit që mund të prekin të gjithë traktin riprodhues dhe të gjithë organizmin, apo e ashtuquajtura sëmundje difuze.

Komplikimet mund të ndodhin si te femrat ashtu edhe te meshkujt. Për shembull, një nga ndërlikimet e klamidias seksualisht të transmetueshme është sindroma Reiter, e cila është më e zakonshme te meshkujt dhe karakterizohet nga inflamacioni i kyçeve, uretrës dhe konjuktivitit. Si pasojë duhet theksuar infertiliteti, si dhe rritja e rrezikut për shtatzëni ektopike.

Infeksionet vaginale gjatë shtatzënisë

Infeksionet vaginale mund të ndodhin edhe gjatë shtatzënisë. Gratë shtatzëna mund të marrin infeksione vaginale gjatë shtatzënisë për shkak të çrregullimit të ekuilibrit hormonal dhe ndonjëherë për shkak të rënies së imunitetit. Në shtatzëni, pasojat e infeksioneve mund të jenë shumë të rënda dhe për këtë arsye, diagnostikimi dhe trajtimi i tyre në kohë është një nga detyrat thelbësore të gjinekologut.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.8-9 të botimit elektronik të revistës BETTY (JANAR 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>