Gabriela Kaçakoska-Naneska
Farmaciste e diplomuar
IPSH Barnatore Biolek 3, Prilep
|
Vitaminat B janë lëndë ushqyese thelbësore, që janë të tretshme në ujë dhe kanë një detyrë të rëndësishme në trupin e njeriut. Ato marrin pjesë në shumë procese metabolike dhe janë të nevojshme për procesin e prodhimit të energjisë, metabolizmin e lëndëve ushqyese më të rëndësishme, gjegjësisht karbohidrateve, yndyrnave dhe proteinave, transmetimin e impulseve nervore, prodhimin e qelizave të gjakut dhe hormoneve steroide, si dhe ruajtjen e niveleve të glukozës në gjak, rregullimin e oreksit dhe ruajtjen e tonit të muskujve.
Grupi i vitaminave B-kompleks përfshin tetë vitamina:
Vitamina B1 – tiamina, është përgjegjëse për shfrytëzimin e energjisë nga ushqimi, si dhe për rritjen, zhvillimin dhe funksionimin normal të secilës qelizë. Tiamina është më së shumti e pranishme në tharm, orizin ngjyrë kafe, drithëra, mishin e derrit dhe bimët leguminoze.
Vitamina B2 – riboflavina, është e rëndësishme për funksionimin e duhur të organizmit dhe është një antioksidant i fuqishëm, përkatësisht parandalon krijimin e formacioneve kancerogjene dhe tumorale. Ajo është më së shumti e pranishme në oriz, bajame, qumësht të freskët dhe kos, brokoli, spinaq dhe sojë.
Vitamina B3 – niacina, ndihmon në metabolizmin e yndyrnave dhe është përgjegjëse për ruajtjen e kolesterolit të mirë. Ajo gjithashtu ndihmon në zvogëlimin e arteriosklerozës, duke zvogëluar kështu rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Është e pranishme në mish, qumësht, peshk, arra dhe perimet me gjethe të gjelbra.
Vitamina B5 - acidi pantotenik, merr pjesë në metabolizmin dhe sintezën e karbohidrateve, yndyrnave dhe proteinave në trupin e njeriut. Ajo lejon qelizat të marrin energjinë e duhur nga ushqimi. Gjendet në avokado, hurma, lakër, vezë, mish dhe drithëra.
Vitamina B6 – piridoksina, ndihmon trurin e njeriut të komunikojë në mënyrë efektive dhe të duhur me pjesët e tjera të trupit. Ajo ushqen mbaresat nervore dhe parandalon sëmundjen e Alzheimerit. Ushqimet e pasura me vitaminë B6 janë fasulet, bishtajoret, arrat, karotat, spinaqi dhe vezët.
Vitamina B7 - biotina, e rëndësishme për proceset metabolike në trup veçanërisht për yndyrnat dhe aminoacidet, është gjithashtu e nevojshme për lëkurën, flokët dhe thonjtë e shëndetshëm. Ajo është e pranishme në ushqimet e detit, mish, bukën e grurit, qumësht dhe vezë.
Vitamina B9 - acidi folik, është një vitaminë e rëndësishme për formimin e qelizave, veçanërisht qelizave të kuqe të gjakut. Marrja e saj në shtatzëninë e hershme është gjithashtu e rëndësishme për formimin e duhur të tubit nervor të fetusit. Ajo gjendet në perimet me gjethe të gjelbra të errëta, fasule, bizele, agrume dhe banane.
Vitamina B12 - kobalamina, është e njohur si vitamina e kuqe cianokobalamina. Së bashku me acidin folik, është e rëndësishme për rigjenerimin e eritrociteve dhe mbron nga shfaqja e anemisë apo pagjakësisë. Gjithashtu vepron në sistemin nervor, për sa i përket ekuilibrit, përqendrimit dhe kujtesës. Është e pranishme në mishin e derrit, qumësht dhe vezë.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.8 të botimit elektronik të revistës BETTY (TETOR 2021).