DISFUNKSONI EREKTIL – SHKAQET DHE METODAT E TERAPISË
August 31, 2025
Çfarë përfaqëson disfunksioni erektil
Disfunksioni erektil (DE) ose impotenca është çrregullim i funksionit seksual, i cili karakterizohet nga pamundësia për të arritur ose mbajtur ereksionin e penisit gjatë aktivitetit seksual për të realizuar një akt seksual të kënaqshëm.
Përhapja e disfunksionit erektil sipas moshës është si vijon::
20-30 vjeç 5-10%
40-50 vjeç 20-40 %
mbi 50 vjeç 50-70%
Si shkaqe të impotencës mund të përmenden: mosha e shtyrë, presioni i lartë i gjakut, diabeti, pirja e duhanit, ateroskleroza me nivele të larta të yndyrave në gjak, depresioni, çrregullimet neurologjike, çekuilibrat hormonalë, efektet anësore të barnave, abuzimi me alkool dhe droga, nivelet e ulëta të testosteronit në gjak etj..
Shkaqet e disfunksionit erektil
Për të arritur dhe mbajtur ereksionin nevojiten:
Një sistem nervor i shëndoshë që transmeton impulset nervore në tru, palcën kurrizore dhe penis
Arteri të shëndetshme brenda ose pranë trupave kavernozë
Muskuj të lëmuar dhe ind fibroz i shëndoshë në trupat kavernozë
Nivele adekuate të oksidit nitrik (NO) në penis
Disfunksioni erektil mund të shfaqet nëse një ose më shumë nga këto kushte nuk janë të përmbushura. Është e rëndësishme të përcaktohet shkaku i saktë i disfunksionit erektil dhe të trajtohen sëmundjet që mund të çojnë deri te ai.
Shkaqet e disfunksionit erektil mund të jenë:
3.1 Shkaqe organike
Ekzistojnë katër lloje kryesore gjendjesh shëndetësore që mund të çojnë në probleme fizike që shkaktojnë disfunksion erektil. Ato janë:
Gjendje të lidhura me qarkullimin e gjakut drejt dhe brenda penisit (vasculogjene)
Gjendje të lidhura me sistemin nervor (neurogjene)
Gjendje të lidhura me nivelet hormonale (hormonale)
Gjendje të lidhura me strukturën fizike të penisit (anatomi)
Lëndimet dhe ndërhyrjet kirurgjikale
Lëndimet e penisit dhe ndërhyrjet kirurgjikale shumë shpesh mund të jenë shkak për disfunksion erektil. Gjithashtu, në rastet e lëndimeve të rënda të kokës, tek 15–25% e meshkujve shfaqet disfunksion erektil.
Gjendje vasculogjene
Gjendjet e enëve të gjakut që mund të jenë shkak për disfunksion erektil janë:
Ateroskleroza me sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut
Presioni i lartë i gjakut
Diabeti – sëmundje që dëmton si enët e gjakut ashtu edhe nervat në dhe rreth penisit
Gjendje neurogjene
Shembuj të gjendjeve neurogjene që mund të shkaktojnë disfunksion erektil janë:
Skleroza multiple – sëmundje që çon në dëmtime të përhershme të sistemit nervor periferik dhe qendror
Sëmundja e Parkinsonit
Lëndime dhe sëmundje të shtyllës kurrizore dhe palcës kurrizore
Goditje cerebrale (insult)
Gjendje hormonale
Balanca hormonale është jashtëzakonisht e nevojshme për funksionimin normal të proceseve fiziologjike në organizëm. Disa çrregullime ndikojnë edhe në ereksion, si:
Hipogonadizmi – gjendje që karakterizohet me nivele të ulëta të hormoneve seksuale dhe prekursorëve të tyre
Hipertiroidizmi – sekretim i shtuar i hormoneve tiroide
Hipotiroidizmi – sekretim i ulur i hormoneve tiroide
Sekretim i shtuar i kortizolit ose përdorim afatgjatë i barnave kortikosteroide, që çon në sindromën e njohur si Cushing
Sekretim i shtuar i hormonit kortizol ose përdorim afatgjatë i barnave kortikosteroide, që çon në të ashtuquajturin sindroma e Cushing-ut.
Gjendje anatomike
Sëmundja e Peyronie-s – gjendje që çon në formimin e pllakave fibroze në tunica albuginea (mbështjellësin e bardhë të trupave kavernozë), e cila mund të shkaktojë disfunksion erektil.
3.2 Medikatet
Disa barna mund të shkaktojnë shfaqjen e impotencës, ndër to:
Diuretikët – përdoren për insuficiencë kardiake, hipertension dhe sëmundje të veshkave
Antihipertensivët nga grupi i beta-bllokuesve – për uljen e presionit të gjakut dhe disa aritmi
Fibratet – për uljen e nivelit të kolesterolit
Antipsikotikët – për trajtimin e sëmundjeve mendore, p.sh. skizofrenia
Antidepresivët – për trajtimin e gjendjeve ankth-depresive dhe disa llojeve dhimbjeje
Kortikosteroidet
H2 antagonistët – për trajtimin e shqetësimeve gastrointestinale
Antikonvulsivët – për trajtimin e epilepsisë dhe konvulsioneve neurogjene
Antihistaminikët – për trajtimin e gjendjeve alergjike
Anti-androgjenët – për bllokimin e testosteronit
Citostatikët – barna të përdorura në trajtimin e sëmundjeve malinje, autoimune dhe reumatologjike
3.3 Shkaqe psikologjike
Shkaqet psikologjike që mund të çojnë në disfunksion erektil janë:
Depresioni – ndjenjë trishtimi dhe shtypjeje që mund të zgjasë për një kohë të gjatë
Ankthi – gjendje shqetësimi, frike ose pasigurie
Gjithashtu, njëkohësisht mund të ekzistojë shkak organik dhe psikologjik për disfunksionin erektil. Për shembull, një pacient me diabet ka vështirësi në arritjen e ereksionit, gjë që çon në ndjenjë ankthi për shkak të situatës. Kombinimi i diabetit dhe ankthit mund të shkaktojë një episod të disfunksionit erektil.
Gjendje emocionale që ndikojnë në aftësinë për të arritur dhe mbajtur ereksionin janë:
Probleme në marrëdhënie
Mungesë e edukimit seksual
Probleme seksuale në të kaluarën
Abuzim seksual në të kaluarën, që mund të jetë shkak për disfunksion erektil
3.4 Shkaqe të tjera
Në këtë grup shkaqesh përfshihen:
Përdorim i tepruar i alkoolit
Lodhje kronike
Pirja e duhanit
Përdorimi i drogave si kanabisi, heroina ose kokaina
Mosha e shtyrë
Trajtimi i disfunksionit erektil
Trajtimi përfshin:
Zgjedhjen e barnave për sëmundjet kronike që nuk shkaktojnë disfunksion erektil
Përmirësimin e stilit të jetesës
Përdorimin e barnave orale ose lokalë për trajtimin e disfunksionit erektil
Përdorimin e pajisjeve si pompat me vakum etj.
Trajtimin kirurgjikal (proteza penisi)
Psikoterapinë
Shkruan
Dr. Spec. Nerhim Tufekçioski
Klinika Shtetërore “8 Shtatori”
KALKULATORI DIETIK
Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.