Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Infeksionet e traktit urinar: si diagnostikohen, parandalimi dhe trajtimi

November 1, 2023



Shkruan: Dr. Tanja Veliçkovska - Mjeke e mjekësisë së përgjithshme

Shkaqet
Normalisht, urina është e pastër, sterile dhe pa baktere. Infeksionet zakonisht shkaktohen nga bakteret që arrijnë në traktin urinar përmes rrugëve të ndryshme.

Më shpesh, është hapja e jashtme urinare, por ato mund të arrijnë edhe përmes gjakut, limfës ose përmes përhapjes së drejtpërdrejtë nga organet dhe indet e tjera që janë të infektuara.

Në shumicën e rasteve, bakteri Escherichia coli shfaqet si shkaktar.

Është një banor i zakonshëm i traktit tretës, i cili në kontakt me mukozën e sistemit urinar mund të fillojë të shumohet shpejt dhe të shkaktojë inflamacion, të ndjekur nga dhimbje dhe simptoma të tjera të shoqëruara.

Faktorët që ndikojnë në zhvillimin e infeksionit urinar
Infeksioni i traktit urinar ndodh pasi bakteret hyjnë në traktin urinar. Shanset për këtë janë shumë më të larta tek femrat sesa tek meshkujt, sepse fshikëza tek femrat është shumë më afër organeve gjenitale.

Përveç gjinisë, disa faktorë të tjerë konsiderohen të predispozojnë zhvillimin e infeksioneve të traktit urinar:
- Gratë seksualisht aktive – pjesërisht sepse uretra femërore është më e shkurtër dhe për këtë arsye bakteret mund të arrijnë më lehtë në fshikëz;
- personat me kateter urinar;
- diabetikët – ndryshimet në sistemin imunitar e bëjnë një person me diabet më të ndjeshëm ndaj infeksionit.

Gjithashtu, një nivel më i lartë i sheqerit në urinë e bën më të lehtë rritjen e baktereve;
- meshkujt me prostatë të zmadhuar - kjo mund të shkaktojë zbrazjen e fshikëzës vetëm pjesërisht;
- gurët në veshka;
- menopauza;
- imuniteti i reduktuar;
- përdorimi i tamponëve;
- gratë shtatzëna;
- përdorimi i diafragmës si kontracepsion.

Simptomat e zakonshme të një infeksioni të traktit urinar përfshijnë:
- nxitje e shpeshtë dhe e fortë për të urinuar;
- urinë e turbullt që mund të përmbajë edhe gjurmë gjaku;
- erë e pakëndshme e urinës;
- dhimbje ose ndjesi djegieje gjatë urinimit;
- të përziera dhe të vjella;
- dhimbjet e muskujve dhe dhimbjet e barkut;
- një dëshirë e fortë për të urinuar, dhe vetëm një sasi e vogël urinohet.

Diagnostifikimi
Diagnoza e infeksioneve urinare bazohet në gjetjet mikrobiologjike nga një mostër e urinës e marrë siç duhet dhe tampon uretral.
Megjithëse asnjë test standard nuk mund të tregojë dallimin midis një infeksioni të traktit urinar të sipërm dhe atij të poshtëm, prania e temperaturës së lartë (ethe) dhe dhimbjes së shpinës mund të tregojë se infeksioni është përhapur në veshka.

Mjekimi
Trajtimi i infeksioneve urinare bazohet, para së gjithash, në gjendjen klinike të pacientit. Nëse keni simptoma që janë karakteristike për një infeksion urinar dhe në përgjithësi jeni në gjendje të mirë shëndetësore, antibiotikët janë zgjidhja e parë. Cilat barna do të përshkruhen dhe sa do të zgjasë terapia, varet nga gjendja e përgjithshme shëndetësore dhe lloji i baktereve që është përcaktuar në laborator.

Zakonisht, simptomat e infeksionit zvogëlohen tashmë pas disa ditësh nga fillimi i terapisë, por në shumicën e rasteve, përdorimi i terapisë së vendosur vazhdohet për një javë ose edhe më gjatë.
Përveç terapisë standarde medikamentoze, trajtimi i infeksioneve urinare me bimë mjekësore ka rezultuar shumë të suksesshëm.

Bimët që përdoren në mjekimin e këtij lloj infeksioni janë: boronica, manaferra, mështekna, angjelika (Angelica archangelica), ehinacea, bishtkali (Equisetum arvense), rrika (lloj rrepe), majdanozi, lulja ononis spinosa, hithra, etj. Ato veprojnë si antiseptikë urinare, anti-inflamatorë, antispazmatikë dhe diuretikë.

Kombinimi i këtyre bimëve antiseptike mund të ndihmojë ndjeshëm në luftimin e infeksionit. Meqenëse ekskretohen në urinë, ato natyrshëm bartin veprimin e tyre antiseptik dhe antimikrobik në zonën e infektuar dhe, në këtë mënyrë, veprojnë drejtpërdrejt në agjentët shkaktarë të infeksionit.

Parandalimi
- higjienë adekuate personale në rajonin gjenital
- pini një sasi të mjaftueshme uji
- urinoni sa herë të keni nevojë
- shmangni lëngjet, si alkooli dhe kafeina, të cilat mund të irritojnë fshikëzën
- preferoni dushet dhe shmangni përdorimin e vajrave të dushit
- nëse është e mundur, zëvendësoni tamponët me peceta higjenike (lines)
- shmangni të brendshmet e ngushta dhe mundësisht mbani të brendshme pambuku
- mos qëndroni me rroba banje të lagura për një kohë të gjatë
- merrni sasi të mjaftueshme të vitaminës C
- pini lëng boronice ose çaj

Këshillat e mësipërme mund t'ju ndihmojnë në trajtimin tuaj, por nuk duhet të konsiderohen si zëvendësim për trajtimin mjekësor. Infeksionet e traktit urinar nuk janë problem serioz nëse trajtohen në kohë.

LËNG BORONICE
Lëngu i boronicës së kuqe përmban një agjent antibakterial të quajtur acid hipurik.
Një gotë në ditë mund të zvogëlojë rrezikun e infeksioneve të traktit urinar.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-15 të botimit elektronik të revistës BETTY (Nëntor 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>