BETTY: Si ishte turneu juaj veror?
Vlatko: Vera ishte e gjatë, e mbushur me shumë udhëtime dhe koncerte në festivale të ndryshme, skena të hapura dhe në vende të bukura historike.
Shumë koncerte me trion time, me Mirosllav Tadiqin, me Ansamblin e Valleve “Tanec”, me Orkestrën Akademike Akordeonike nga Kragujevci... Filluam me një koncert të trios në Pula më 3 qershor dhe përfunduam me një koncert në Nikshiq në 10 tetor. Një verë e gjatë dhe nxehtë.
BETTY: Si reagon publiku i huaj ndaj melodive maqedonase.
Vlatko: Muzika ime është një ndërthurje rock, jazz-rock, folklor dhe edhe shumë rryma të tjera. Nuk pranoj të qëndroj në asnjë sirtar. I jap vetes lirinë për të eksploruar dhe luajtur me zhanre dhe stile të ndryshme muzikore.
Audienca përgjigjet mirë kur njohin diçka autentike dhe të mirë.
Nuk mundohem që të pëlqehem dhe të marr duartrokitje të rreme.
E di që ajo që bëj ka vlerë dhe është origjinale.
Ideja ime është të bëj gjithnjë diçka më të mirë, nga nata në natë.
BETTY: Cili është sekreti për rininë dhe vitalitetin tuaj të përjetshëm?
Vlatko: Mos e gjykoni një libër nga kopertina e tij, thotë një urtësi e vjetër. Unë kam pasur edhe probleme dhe sfida të ndryshme shëndetësore. Megjithatë, përpiqem të jem i moderuar në çdo gjë. Në të ngrënë, në të pirë, në ecje. Gjithsesi kontrollet e rregullta nuk mungojnë. Siç thonë, kujdesu, që Zoti të të ruajë.
BETTY: Kur do të filloni turneun tuaj amerikan dhe ku do të performoni?
Vlatko: Për pak ditë do të iki, duhet të jetë interesante. Çikago, Nju-Jork, Boston, Las Vegas, Los Anxhelos, Sietëll, Montreal, Toronto.
Nuk është hera ime e parë, por çdo fluturim mbi liqenin e madh sjell me vete një emocion të veçantë. Takimi me miq, fansa të vjetër dhe të rinj, performanca në skena të reja, orare të ngarkuara, shumë udhëtime, restorante të reja, dyqane kitarash etj.
BETTY: Si lindi dashuria juaj për bateritë kur ishit të rrethuar nga kitarat në shtëpi?
Jan: Mendoj se dashuria ime për bateritë është e lindur. Më kujtohet kur isha shumë i vogël që kur babai im bënte prova në studion e tij, nuk shikoja askënd përveç bateristit dhe baterisë.
Diçka tek ai instrument më magjepsi që në moshë të vogël. Vazhdon akoma kjo tërheqje për këtë instrument dhe punoj çdo ditë për t'u bërë një nga më të mirët.
BETTY: A ju këshillon babai juaj për bateri apo muzikë në përgjithësi?
Jan: Që prej 3 vitesh që luajmë dhe performojmë së bashku, mund të them se kam mësuar shumë se si duket jeta e një muzikanti.
Jemi përballur me pengesa të ndryshme, probleme teknike, koncerte të shtyra etj., por e gjitha i përket një eksperience për të cilën i jam shumë mirënjohës.
Kur bëhet fjalë për këshilla, unë dhe babai im flasim gjatë gjithë kohës për muzikë, muzikantë, instrumente, koncerte e tema të tjera të tilla, kështu që po, ato biseda sigurisht që përmbajnë këshilla, si nga unë, ashtu edhe nga ai.
BETTY: Thonë se je virtuoz në bateri, ashtu si babai yt në kitarë. A po aspironi të bëheni po aq, nëse jo më shumë, popullor?
Jan: Popullariteti nuk ka qenë kurrë dhe as do të jetë prioriteti im. Merrem me muzikë dhe me bateri sepse më pëlqen dhe nuk më shqetëson fare nëse ia kaloj babait në popullaritet apo jo.
Sigurisht që kam në plan të vazhdoj të luaj muzikë në jetën time, por sa do të ekspozohem për publikun dhe sa do të njihem në të gjithë botën, do ta lë të zbulohet.
„Unë nuk dua të shtyj asgjë, nuk dua të detyroj asgjë, nëse e meritoj popullaritetin, ai do të vijë vetë“
- Jan Stefanovski
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-12 të botimit elektronik të revistës BETTY (NËNTOR 2022).