Ndryshimet klimatike dhe ndikimi i tyre në shëndetin e njeriut: kërcënim i padukshëm që po rritet
September 30, 2025
Në dekadat e fundit, ndryshimet klimatike janë bërë një nga kërcënimet më serioze globale – jo vetëm për ekosistemet dhe ekonominë, por edhe për shëndetin e njeriut. Edhe pse shpesh shihen si problematikë e largët apo e së ardhmes, pasojat e ndryshimeve klimatike tashmë ndihen – gjithnjë e më shpesh, gjithnjë e më afër dhe gjithnjë e më intensivisht. Një numër gjithnjë e më i madh studimesh shkencore dhe institucionesh shëndetësore, përfshirë edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh), paralajmërojnë se ndryshimet klimatike janë një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik global në shekullin XXI.
1. Stresi nga temperaturat dhe valët e të nxehtit
Rritja e temperaturës globale sjell valë të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive. Tek shumë njerëz – veçanërisht të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët – kjo çon në dehidrim, goditje nga të nxehtit, përkeqësim të sëmundjeve të zemrës dhe mushkërive, madje edhe vdekje. Vetëm në Evropë, valët e fundit të të nxehtit morën mijëra jetë, dhe parashikohet që ky numër të rritet.
2. Ndotja e ajrit dhe sëmundjet respiratore
Rritja e temperaturave, industrializimi dhe trafiku i dendur e shtojnë nivelin e ndotjes, sidomos në zonat urbane. Grimcat e imëta, ozoni në nivel të ulët dhe ndotës të tjerë ndikojnë drejtpërdrejt tek mushkëritë, duke shkaktuar astmë, sëmundje pulmonare kronike obstruktive (COPD), bronkit, madje edhe kancer të mushkërive. Kjo prek veçanërisht fëmijët, të cilët kanë një sistem imunitar më të dobët.
3. Përhapja e sëmundjeve ngjitëse
Ndryshimet klimatike ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse përmes ndryshimeve në shpërndarjen e vektorëve si mushkonjat dhe rriqnat. Koha e ngrohtë dhe e lagësht e lehtëson përhapjen e sëmundjeve si sëmundja e Lajmit, ethet e Nilit Perëndimor, denga, malaria – të cilat shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe në rajone ku më parë nuk ekzistonin.
4. Siguria e ushqimit dhe ujit
Përmbytjet, thatësirat dhe ekstreminet e tjera klimatike ndikojnë në prodhimin bujqësor dhe çojnë në uljen e disponueshmërisë së ushqimit të freskët dhe të shëndetshëm. Kjo rezulton me kequshqyerje, rritje të rrezikut nga sëmundjet gastrointestinale dhe varësi më të madhe nga ushqimi i përpunuar me vlerë të ulët ushqyese. Gjithashtu, ndotja e burimeve ujore për shkak të kushteve klimatike e shton rrezikun e infeksioneve virale dhe bakteriale.
5. Shëndeti mendor dhe ankthi klimatik
Përveç shëndetit fizik, ndryshimet klimatike ndikojnë thellë edhe tek shëndeti mendor. Njerëzit që përjetojnë përmbytje, zjarre apo shkatërrim të shtëpive shpesh zhvillojnë stres post-traumatik, depresion dhe ankth. Shumë të rinj sot përballen me fenomenin e “eko-ankthit” – frikën nga e ardhmja e planetit dhe ndjenjën e pafuqisë përballë krizave të mëdha ekologjike.
Sistemet shëndetësore përballë një sfide të re
Institucionet shëndetësore duhet të jenë të përgatitura të reagojnë ndaj këtyre sfidave përmes:
- Zhvillimit të strategjive për adaptim dhe qëndrueshmëri të sistemit shëndetësor
- Monitorimit dhe parashikimit të rreziqeve shëndetësore të lidhura me klimën
- Edukimit të publikut për parandalim dhe vetëmbrojtje
- Nxitjes së politikave për tranzicion të gjelbër dhe zhvillim të qëndrueshëm
Përfundim:
Është koha për veprim
Shëndeti dhe jeta e gjeneratave të ardhshme varen nga aftësia jonë për të njohur dhe adresuar kërcënimet klimatike që sot.
Shkruan
Seida Cigal
KALKULATORI DIETIK
Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.