Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Përdorimi i sigurt i barnave gjatë verës

August 2, 2025

Vera është një periudhë e mbushur me udhëtime, ekspozim të shtuar në diell dhe temperatura të larta, që mund të ndikojnë ndjeshëm në përdorimin e sigurt të barnave. Shumë pacientë nuk janë të vetëdijshëm se kushtet gjatë muajve të verës mund të ulin efikasitetin e terapisë, madje edhe të shkaktojnë efekte anësore.

Një nga sfidat kryesore është ruajtja e barnave në temperatura të larta. Pjesa më e madhe e terapive, veçanërisht insulina, hormonet, pikat për sy, shurupet dhe antibiotikët, duhet të ruhen në frigorifer ose në temperaturë nën 25°C. Mbajtja në makinë ose çantë të ekspozuar në diell të drejtpërdrejtë mund të shkaktojë prishjen e përbërësit aktiv dhe humbje të plotë të efektit të barnës. Prandaj, gjatë udhëtimeve, përdorni qese frigoriferike ose çanta të posaçme me ftohje.

Rrezik shtesë paraqesin barnat që shkaktojnë fotosensibilitet – gjendje në të cilën lëkura bëhet tepër e ndjeshme ndaj rrezeve të diellit. Të tilla janë disa antibiotikë (tetraciklinat, fluorokinolonët), diuretikët (hidroklorotiazidi), retinoidet dhe disa antidepresivë. Pacientët që i përdorin këto barna duhet të shmangin ekspozimin në diell dhe të përdorin mbrojtje të lartë ndaj rrezeve UV.

Vera gjithashtu sjell rrezik më të lartë për dehidratim, që mund të ndikojë drejtpërdrejt në përthithjen dhe eliminimin e barnave. Për shembull, dehidratimi rrit rrezikun për dëmtime të veshkave te pacientët që përdorin barna anti-inflamatore jo-steroide, diuretikë apo disa produkte antivirale. Është e nevojshme të rritet marrja e lëngjeve dhe të ndiqet rregullisht funksioni urinar.

Gjatë udhëtimeve jashtë shtetit, është e rëndësishme që barnat të mbahen në paketimin origjinal, bashkë me recetën dhe mundësisht një raport mjekësor të përkthyer në anglisht. Disa shtete kanë rregulla të rrepta për futjen e barnave të caktuara (p.sh. benzodiazepinat, barnat kundër dhimbjeve apo terapi psikiatrike), prandaj është e nevojshme kontroll paraprak me ambasadën apo shërbimin e aeroportit.

Gjatë verës shpesh përdoren edhe suplemente dhe bimë natyrore, si kantarioni, aloe vera, xhenxhefili apo vaji i rigonit. Edhe pse duken të padëmshme, këto preparate mund të kenë ndërveprime serioze me barnat – veçanërisht kantarioni, i cili ul efikasitetin e terapisë hormonale, antidepresivëve dhe barnave për kontrollin e presionit të gjakut.

Për trajtimin e problemeve të zakonshme verore si alergjitë, helmimet nga ushqimi, diarreja e udhëtimeve, insektet dhe djegiet, është e nevojshme të zgjidhet me kujdes terapia. Antihistaminikët mund të shkaktojnë përgjumje dhe të ulin vëmendjen, prandaj nuk rekomandohen para ngasjes së automjetit. Antibiotikët për helmim ose diarre nuk duhet të përdoren pa konfirmim laboratorik, sepse nuk janë gjithmonë të nevojshëm. Për pickime insektesh – kremrat lokalë me hidrokortizon dhe kompresat e ftohta janë të mjaftueshme në raste të lehta.

Përveç efekteve fizike, vera ndikon edhe në rregullsinë e marrjes së terapisë. Udhëtimet, ndryshimet në rutinën ditore dhe angazhimet më të mëdha shoqërore shpesh çojnë në kalimin e dozave apo mospërfilljen e orarit të saktë të marrjes së barnave. Te pacientët kronikë kjo mund të rezultojë në destabilizim të sëmundjes. Prandaj, është e dobishme të përdoren alarme, aplikacione për kujtesë apo ndarje të dozave në kuti portative për tableta.

Gjithashtu, pacientët që përdorin pajisje fizike të lidhura me terapinë – si pompa për insulinë, inhalatorë, injeksione me terapi biologjike apo pajisje kontraceptive – duhet të kontrollojnë nëse kanë kushte të përshtatshme për transport, si dhe bateri rezervë apo pjesë zëvendësuese, sidomos gjatë fluturimeve apo udhëtimeve të gjata në kushte të nxehta.

Është e domosdoshme të kihet kujdes me konsumimin e alkoolit gjatë periudhës së verës, sepse ai mund të rrisë ose të zvogëlojë efektin e shumë barnave – veçanërisht të qetësuesve, barnave për ankth, depresion, madje edhe antibiotikëve. Alkooli rrit dehidratimin, që e komplikon më tej metabolizmin e barnave, prandaj duhet të kufizohet ose shmanget gjatë trajtimeve aktive.

Në fund, është e rëndësishme të kujtojmë se konsultimi me farmacistin apo mjekun amë para udhëtimit ose në rast ndryshimesh në regjimin e trajtimit është gjithmonë masa më e mirë parandaluese. Vera nuk duhet të jetë rrezik për shëndetin, por kohë për kënaqësi – me pak më shumë kujdes, terapia dhe pushimi mund të ecin krah për krah

Shkruan
Sonja Karevska
– Farmaciste

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>