Riniti – inflamacion i mukozës nazale – një nga sëmundjet më të shpeshta të traktit respirator të sipërm. Në fakt, rinisi është rrjedhje hundësh, që është një reagim natyral ndaj infeksionit. Në shikim të parë, kjo sëmundje duket krejtësisht e padëmshme dhe lehtë e kalueshme. Megjithatë, mund të jetë pararendëse e astmës ose inflamacionit të sinuseve.
Rrjedhja e hundës është përgjigje e trupit pas kontaktit të mukozës së hundës me viruse, baktere patogjene, pluhur kimik. Shkaqet e kësaj sëmundjeje gjithashtu mund të lidhen me uljen e përgjithshme të imunitetit, etmoiditin dhe komplikacione të tjera po aq serioze.
Shkaqet
Në përgjithësi, ekzistojnë disa faktorë që shkaktojnë inflamacion të mukozës së hundës:
infeksion viral;
futja e baktereve patogjene në zgavrën nazale;
ulja e imunitetit lokal;
hipotermia, që krijon kushte të favorshme për shumimin e mikroorganizmave patogjenë në zgavrën nazale;
reaksione alergjike;
futja e substancave dhe grimcave të dëmshme (pluhur kimik ose metalik, gaz i ndotur ose avuj) në mukozë;
ekspozim i zgjatur ndaj ajrit të thatë dhe të nxehtë;
dëmtim i mikrocirkulacionit të gjakut në mukozën nazale;
përdorim afatgjatë i preparateve me veprim lokal vazokonstriktor ose vazodilatator.
Simptomat
Kjo sëmundje karakterizohet nga tre faza:
Faza e thatë. Në këtë fazë shfaqet tharje, kruarje dhe djegie në zgavrën e hundës, dhimbje koke të shpeshta. Mund të ketë edhe rritje të lehtë të temperaturës trupore.
Faza e lagësht. Faza pasuese është e kundërta, karakterizohet me sekrecione të bollshme mukoze. Shfaqet rrjedhje hundësh, teshtima, lotim. Këto simptoma shfaqen tek pacienti për 3 deri në 5 ditë.
Faza muco-purulente. Faza e tretë karakterizohet me ndërprerje të replikimit viral dhe reduktim gradual të sekrecioneve muco-purulente.
Trajtimi
Më shpesh është i mjaftueshëm trajtimi simptomatik. Mund të përdoren solucione fiziologjike në formë spreji ose preparate që hollojnë dhe shpëlajnë sekrecionin nga hunda.
Shpesh janë të nevojshme edhe dekongjestivë, pika ose sprej që ulin ënjtjen e mukozës dhe lehtësojnë frymëmarrjen.
Ndihmojnë preparatet e gatshme kundër të ftohtit që përmbajnë edhe antihistaminik. Sipas nevojës, mund të merret edhe ibuprofen.
Nëse simptomat zgjasin më shumë se 7 deri në 10 ditë, atëherë zakonisht është i nevojshëm kontroll mjekësor dhe terapi antibiotike.
Sprejët dhe pikat vazokonstriktore për hundë përdoren gjithashtu për të larguar edemën dhe inflamacionin e mukozës së hundës dhe sinuseve paranazale.
Shkruan:
Dr. Spec. Zoran Maksimoviq, Koçan
KALKULATORI DIETIK
Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.