Shkruan: Aleksandar Vasilevski
Historian arti / Filmolog
Si zakonisht, gjërat e mira përfundojnë shpejt dhe nuk kishte përjashtim as me shfaqjen përfundimtare të wunderkind-it muzikor të titulluar MOBY DOC, i cili ishte kurora e Festivalit të Filmit Muzikor „Shkupi Sinema Siti“.
Gjatë ditëve të festivalit u shfaqën filmat për botën e errët të Nik Kejvit, bilbilit të nënvlerësuar nga Njuporti, Ella Fitcxherald, legjendat e pank rok-ut maqedonas "Badmintons"-it dhe nuk ishin përjashtuar as bonvivan-ët e Manastir "Foltin" dhe rokerët kumanovarë "Hip".
Megjithatë, këtë përmbledhje do ta fokusoj tek ylli i muzikës Mobi dhe dokumentarin për të. Mobi vjen nga një familje modeste dhe që në fëmijërinë e hershme ai përballet me tjetërsimin prindëror nga babai i tij, i cili gjen shumë më tepër kënaqësi në shoqërinë e gotës se sa në dhënien e dashurisë për djalin dhe gruan e tij.
Kështu argumentet e ndërsjella bëhen realitet i përditshëm.
Në pamundësi për të përballuar përgjegjësinë si prind, një mbrëmje, i dërrmuar totalisht, vendos për një lëvizje frikacake dhe e fut makinën në humnerë me shpejtësi të madhe, duke e lënë gruan e tij 23-vjeçare të ve.
Në vorbullën e vetmisë, Mobi e gjen lumturinë tek dashuria ndaj kafshëve dhe siç përmend në disa raste, kafshët janë ato që nuk mund ta tradhtojnë një njeri, ndryshe nga njerëzit që jo vetëm e tradhtojnë, por edhe e zhgënjejnë.
Në ditët e shkollës së mesme, Mobi përballet me ankthet demonike të LSD-së dhe ka gjashtë muaj sindromë post-traumatike dhe në pamundësi për të përballuar rikthimet nga udhëtimet që ka, ai e lë shkollën dhe qëndron në shtëpi nën mbrojtjen e nënës së tij, e cila i mjekon me vigjilencë plagët e tij (akoma të hapura).
Dashuria e dytë që e rikthen në jetë është muzika, ku gjen frymëzim dhe fuqi krijuese nën ndikimin e pank rok-ut dhe grupeve si "Klesh", "Blek Fleg", "Stuxhis", "Misfits"...
Ai vendos për një lëvizje të guximshme, radikale dhe e kthen një fabrikë të braktisur në një punishte muzikore dhe e përdor atë për të krijuar muzikë, dhe së shpejti largohet nga ajo adresë anonime falë një pune si DJ në diskotekën elitare “Mars”.
Puna e palodhur sjell sukses, dhe kështu nis bashkëpunimi i tij me Dejvid Boj, (që do të veçoja skenën kur Mobi paraqitet në koncertin lajf të Dejvid Boj) dhe vijon në një një shoqëri private që përbëhet nga festa ditëlindjesh, dreka dhe vizita të ndërsjella koncertesh.
Nga ana tjetër, mendoj se Mobi e konsideronte Boin si babain e tij, sepse ai nuk e ka pasur ndjenjën për babain e tij biologjik më parë.
Më pas vjen periudha e dehjeve, kur dita bëhet natë dhe kënaqësitë hedoniste të kombinuara me kokainën dhe bukuroshet e striptistet e famshme të playboy arrijnë maksimumin e tyre.
Për shkak të sasisë së informacionit që u përfaqësua në film, pothuajse do të harroja skenën më domethënëse në të cilën regjisori Dejvid Linç lavdëron muzikën e tij me një admirim të madh entuziast, ndërsa Mobi kthen të njëjtën masë duke marrë si lajtmotiv titullin nga TUIN PIKS, një prej këngëve të tij.
Me kalimin e viteve, muzika e Mobit është bërë sinonim i muzikës së mirë dhe dëshmi për këtë është pjesëmarrja e tij në festa të rëndësishme të festivaleve muzikore si "Primavera", "Exit", "Mayday" e shumë të tjera, ku publiku përgjigjet me duartrokitje dhe brohoritje të fuqishme dhe një lloj magjepsie dashurie.
Në një nga skenat përmbyllëse, Moby është vendosur në një majë shkëmbore, e cila përfaqëson fitoren e tij mbi të gjitha agonitë dhe traumat gjatë rrugëtimit të tij të trazuar të jetës dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të vazhdojmë të presim kryevepra të reja muzikore, sepse, siç thotë Moby, kjo është ëndrra jonë.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24-25 të botimit elektronik të revistës BETTY (Maj 2022).