Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

ZBULIMI I HERSHËM I KANCERIT TË PROSTATËS: ÇELËSI PËR SHËNDET DHE JETË TË GJATË

November 1, 2025

KANCERI I PROSTATËS ËSHTË TUMORI MË I ZAKONSHËM SOLID TE BURRAT DHE SHKAKU I DYTË KRYESOR I VDEKJES NGA KANCERI NË POPULLATËN MASHKULLORE.
Megjithatë, nëse zbulohet në kohë, mundësitë për shërim të plotë janë jashtëzakonisht të larta. Pikërisht për këtë arsye, zbulimi i hershëm luan një rol vendimtar në luftën kundër kësaj sëmundjeje.
Në praktikën moderne urologjike ekzistojnë disa metoda për skrining dhe diagnostikim që mundësojnë zbulimin e kancerit të prostatës madje edhe përpara se të shfaqen simptomat.

PSE ËSHTË E RËNDËSISHME DIAGNOZA E HERSHME
Kanceri i prostatës shpesh zhvillohet ngadalë. Në fazat e hershme zakonisht nuk shkakton simptoma, dhe kur shfaqet, sëmundja zakonisht ka përparuar. Për këtë arsye, kontrollet e rregullta janë thelbësore – ato mundësojnë zbulimin e karcinomës përpara se të bëhet agresive ose të përhapet përtej prostatës.

METODAT PËR ZBULIM TË HERSHËM
Testi PSA (Antigjeni specifik i prostatës)

Ky është një test i thjeshtë laboratorik i gjakut që mat përqendrimin e PSA-së – proteinë që prodhohet natyrshëm nga prostata. Nivelet e larta mund të tregojnë për:
Inflamacion (prostatit)
Hiperplazi beninje (zmadhim të prostatës)
Ose kancer të prostatës.

Është e rëndësishme të dihet se niveli i lartë i PSA-së nuk do të thotë menjëherë kancer, por kërkon vlerësim të mëtejshëm. Ndonjëherë edhe nivelet e ulëta të PSA-së mund të lidhen me kancer, sidomos nëse rriten me kalimin e kohës. Prandaj, monitorimi i vazhdueshëm është i rëndësishëm.

Ekzaminimi rektal digjital (DRE)
Megjithëse nuk është ekzaminimi më i këndshëm, ai është i thjeshtë dhe shumë i dobishëm. Urologu përmes rektumit e ndjen prostatën për të përcaktuar:
nëse është e zmadhuar,
nëse ka formë jo të rregullt ose nyje,
nëse është e dhimbshme në prekje.
Kombinimi i testit PSA dhe DRE rrit cilësinë e diagnostikimit, veçanërisht te burrat me PSA normal, por me shqetësime klinike.

Rezonanca magnetike multiparametrike (mpMRI)
Kjo është metoda më moderne dhe jo-invazive për vizualizimin e prostatës. Ajo krijon një pamje të detajuar të indeve dhe identifikon zonat potencialisht kancerogjene. MRI zakonisht përdoret kur:
PSA është i lartë, por nuk është e qartë nëse duhet bërë biopsi, pas një biopsie negative, por ekziston ende dyshim.
mpMRI gjithashtu ndihmon për të shmangur biopsitë e panevojshme dhe për të synuar vendndodhje të sakta nëse është e nevojshme marrja e indit.
Biopsia e prostatës
Nëse testet paraprake tregojnë rrezik për kancer, urologu mund të propozojë biopsi – marrje të mostrave të vogla nga indi i prostatës për analizë mikroskopike.
Ajo kryhet në mënyrë ambulatore me ndihmën e ultrazërit ose MRI-së. Edhe pse mund të tingëllojë e frikshme, biopsia është një procedurë relativisht e shpejtë dhe e sigurt, dhe mënyra e vetme për të përcaktuar nëse ekziston kancer dhe sa agresiv është.

Kur duhet të fıllonı me skrınıngun
Rekomandimet e përgjithshme janë:
nga mosha 50 vjeç për burrat pa histori familjare të kancerit të prostatës,
nga mosha 45 vjeç për burrat që kanë familjarë të prekur (atë, vëlla me kancer prostate),
nga mosha 40 vjeç nëse ekziston rrezik i lartë (faktorë gjenetikë, origjinë afrikano-amerikane).
Skriningi përfshin testin vjetor PSA dhe DRE, ndërsa kohëzgjatja dhe frekuenca përcaktohen nga mjeku sipas rrezikut individual.

PËRFUNDIM
Kanceri i prostatës është një sëmundje që mund të mposhtet, por vetëm nëse zbulohet në kohë.
Me metodat moderne të diagnostikimit si PSA, DRE, MRI dhe biopsia, sot kemi mundësinë të zbulojmë ndryshime edhe shumë të vogla përpara se sëmundja të bëhet e rrezikshme.
Thirrje për të gjithë burrat: Mos prisni simptomat. Kontrollohuni në kohë. Skriningu mund t’ju shpëtojë jetën.

 

Shkruan
Spec. Dr. Nerhim Tufekçioski
Urolog në Spitalin Klinik “8 Shtatori” – Shkup

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>