Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Vaksinat – SARS-COV-2

May 1, 2021

Spec. Dr. Nikolina Grozdanovska
Specialiste e biokimisë mjekësore
dhe e mjekësisë laboratorike

|

мај 2021 Совети за здравје

Sars-COV-2 është një virus ARN që shkakton sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes, ndërsa vetë sëmundja, nëse shfaqen simptoma, quhet sëmundja e KOVID-19.

Përballë një pandemie të tillë, kur nuk është gjetur ende një ilaç përkatës për trajtimin e sëmundjes së kovidit, rekomandohet që popullsia të vaksinohet në masë të madhe, në mënyrë që të krijohet imunitet kolektiv dhe kështu të ndalohet përhapja e infeksionit.

Konceptin e vaksinimit e kemi të njohur mirë. Vaksinat funksionojnë në mënyrë të tillë që stimulojnë dhe përgatisin mbrojtjen natyrore të organizmit, përkatësisht sistemin imunitar, për t'i njohur dhe luftuar viruset dhe bakteret për të cilat janë të destinuara në mënyrë specifike. Pas vaksinimit, nëse organizmi i njeriut ekspozohet më vonë ndaj atyre mikrobeve që shkaktojnë sëmundje, trupi është i përgatitur me antitrupat e krijuar që t'i shkatërrojë menjëherë ato, duke parandaluar sëmundjen.

Vaksinat janë një mjet i ri kritik edhe në betejën kundër KOVID-19.

Llojet e ndryshme të vaksinave

Ekzistojnë tri qasje kryesore për krijimin e një vaksine. Dallimet e tyre qëndrojnë në atë se nëse përdorin një virus të plotë; vetëm pjesë të një mikrobi që aktivizon sistemin imunitar; ose vetëm materialin gjenetik që jep udhëzimet për të bërë proteina specifike, jo të gjithë virusin.

  1. Qasja me virusin e plotë



Mënyra e parë për të bërë një vaksinë është marrja e virusit që shkakton sëmundjen për t’u çaktivizuar ose asgjësuar me anë të kimikateve, nxehtësisë ose rrezatimit. Kjo qasje përdor teknologjinë që është provuar të funksionojë tek njerëzit, meqenëse kështu bëhen vaksinat e gripit dhe poliomielitit. Mirëpo nevojiten gjithashtu objekte të veçanta laboratorike për të siguruar rritjen e virusit në baza të caktuara, mund të duhet një kohë relativisht e gjatë për t'u prodhuar dhe ka shumë të ngjarë të duhet të administrohen dy ose tre doza.

Vaksina e gjallë e dobësuar përdor një version të gjallë por të dobësuar të virusit. Vaksinat kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) janë shembuj të këtij lloji të vaksinave. Kjo qasje përdor një teknologji të ngjashme me vaksinën e çaktivizuar dhe mund të prodhohet në masë më të madhe. Megjithatë, vaksinat si kjo mund të mos jenë të përshtatshme për njerëzit me sistem imunitar të rënë.

Ky lloj vaksine përdor një virus të sigurt për të ofruar pjesë specifike, të quajtura proteina, nga mikrobi me interes, gjë që ia bën të mundur të shkaktojë përgjigje imunologjike pa shkaktuar sëmundje. Për ta bërë këtë, informacioni për bërjen e pjesëve të caktuara të patogjenit me interes futet në një virus të sigurt. Virusi i sigurt pastaj shërben si platformë ose vektor për shpërndarjen e proteinës në trup. Proteina shkakton përgjigje imunologjike. Shembull i vaksinës së tillë është ajo kundër ebolës dhe ky lloj vaksine mund të zhvillohet me shpejtësi.

  1. Qasja me nën-njësi


Një vaksinë me nën-njësi është ajo që përdor vetëm pjesë shumë specifike (nën-njësi) të një virusi ose bakteri, që sistemi imunitar duhet t'i njohë. Ajo nuk përmban të gjithë mikrobin ose përdor një virus të sigurt si vektor. Nën-njësitë mund të jenë proteina ose sheqerna. Shumica e vaksinave në kalendarin për imunizimin e fëmijëve janë të këtij lloji, si kolla e keqe, tetanusi, difteria etj.

  1. Qasja gjenetike (vaksina me acid nukleik)


Vaksina me acid nukleik përdor vetëm një pjesë të materialit gjenetik, që siguron udhëzime për proteina specifike, jo për tërë mikrobin. ADN-ja dhe ARN-ja janë udhëzime që përdoren nga qelizat tona për të krijuar proteina. Në qelizat tona, ADN-ja shndërrohet së pari në lajmëtarin ARN, i cili përdoret më pas si skicë për të krijuar proteina specifike.

Qasja me acidin nukleik është një mënyrë e re e zhvillimit të vaksinave. Para pandemisë së KOVID-19, askush nuk kishte kaluar ende një proces miratimi të plotë për përdorim tek njerëzit, megjithëse disa vaksina të ADN-së, përfshirë edhe ato për karcinome të caktuara, u ishin nënshtruar testimeve tek njerëzit. Për shkak të pandemisë, hulumtimet në këtë fushë po përparojnë shumë shpejt dhe disa vaksina me mARN për KOVID-19 po marrin miratim për përdorim emergjent, që do të thotë se, përveç përdorimit të tyre në studimet klinike, ato tani mund t'u jepen edhe njerëzve.

Siguria e vaksinave të KOVID-19 për grupe të ndryshme

Vaksinat KOVID-19 testohen në prova të kontrolluara të rastësishme që përfshijnë njerëz të grupmoshave nga më të ndryshmet, të të dy gjinive, të përkatësive të ndryshme etnike dhe ato me probleme të njohura shëndetësore. Vaksinat treguan një nivel të lartë efektiviteti në mesin e të gjitha popullatave. Vaksinat janë të sigurta dhe efektive tek njerëzit me probleme të ndryshme shëndetësore bazë, që lidhen me një rrezik në rritje të sëmundjeve të rënda, duke përfshirë presionin e lartë të gjakut, diabetin, astmën, sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e mëlçisë ose veshkave dhe infeksionet kronike që janë të qëndrueshme dhe nën kontroll.

Personat që duhet të konsultohen me mjekun para vaksinimit janë njerëzit me sistem imunitar të komprometuar, njerëzit e moshuar me dobësi të rëndë, njerëzit me histori reaksionit të rëndë alergjik ndaj vaksinave, personat që jetojnë me HIV dhe gratë që janë shtatzëna ose ushqejnë me gji.

Efektet anësore të vaksinave të KOVID-19

Ashtu si çdo vaksinë, vaksinat e KOVID-19 mund të shkaktojnë efekte anësore, shumica e të cilave janë të buta ose të moderuara dhe kalojnë vetvetiu pas disa ditësh. Vaksinat janë të parapara për t'ju dhënë imunitet pa rrezikun e marrjes së sëmundjes. Është e zakonshme që të ndjeni efekte anësore të lehta deri në të moderuara kur merrni vaksinë, sepse sistemi juaj imunitar e udhëzon trupin të reagojë në mënyra të caktuara, përkatësisht rrit rrjedhjen e gjakut, në mënyrë që të qarkullojnë më shumë qeliza imunologjike dhe rrit temperaturën e trupit tuaj, në mënyrë që ta vrasë virusin. Efektet tipike anësore përfshijnë dhimbjen në vendin e injektimit, ethe, lodhje, dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe diarre, në varësi të vaksinës specifike.

Pas vaksinimit, trupit i duhen disa javë për të ndërtuar imunitet kundër SARS-COV-2, virusit që e shkakton KOVID-19. Pra, është e mundur që një person të infektohet me SARS-COV-2 pak para ose pas vaksinimit dhe megjithatë të sëmuret me KOVID-19. Kjo është për shkak se vaksina nuk ka pasur ende kohë të mjaftueshme për të dhënë mbrojtje.

Zbatoni rekomandimet e sigurisë personale, vini maskë, dezinfektoni shpesh duart, mbani distancë dhe mos u gruponi.

Le ta mposhtim së bashku armikun e padukshëm. Qofshi me SHËNDET!

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.24-25 të botimit elektronik të revistës BETTY (MAJ 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>