Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Vitaminat në pediatri

December 1, 2021

Dr. Jasna Jermilova
Mjeke pediatre
IPSH Medika MIM

|



Vitaminat janë komponime organike të përbëra që kanë një rëndësi të madhe për funksionimin normal të organizmit të njeriut. Sipas tretshmërisë, ndahen në të tretshme në ujë apo hidrosolubile dhe të tretshme në yndyrë apo liposolubile.

Në grupin e vitaminave të tretshme në ujë bëjnë pjesë vitamina C dhe vitaminat e kompleksit B, ndërsa të tretshme në yndyrë janë vitaminat A, D, E dhe K. Burimi kryesor i vitaminave janë produktet ushqimore, me përjashtim të vitaminës D e cila prodhohet në lëkurë nën ndikimin e rrezeve UV, dhe vitaminave K, B2 dhe biotinës, që prodhohen nga bakteret në zorrë të trashë.

Vitaminat nuk kanë veti të depozitohen në organizmin e njeriut, përveç vitaminës B12 e cila depozitohet në mëlçi, prej nga rrjedh edhe nevoja për marrjen e tyre të përditshme me ushqim. Duke marrë parasysh specifikat e trupit të fëmijës, i cili është vazhdimisht në fazën e rritjes dhe zhvillimit, arrijmë në përfundimin se mungesa e vitaminave, por edhe teprica e tyre, mund të ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e fëmijës. Megjithatë, nëse ushqimi është i rregullt dhe i duhur, rrallëherë vjen deri te dëmtimi i shëndetit të fëmijës. Çrregullimet janë përgjithësisht të rralla dhe ndodhin vetëm në kontekstin e sëmundjeve të ndryshme që komprometojnë marrjen dhe shpërndarjen e tyre në organizëm.

Karakteristike për popullatën e fëmijëve është dieta e ndryshme për një moshë të caktuar. Në vitin e parë të jetës, më saktë në 5 deri në 6 muajt e parë, dieta e foshnjës është kryesisht qumështore. Fëmijët që ushqehen me gji marrin doza optimale të të gjitha vitaminave, përveç vitaminës D, ndërsa fëmijët që konsumojnë qumësht formulë zakonisht nuk kanë nevojë për plotësim shtesë të vitaminave, duke qenë se ajo siguron marrjen optimale.

Pas muajit të gjashtë, kur fillohet me një dietë joqumështore, fëmija i plotëson nevojat për vitamina nga dieta. Nëse fëmija ushqehet me qumësht lope që nuk ka sasi të mjaftueshme të vitaminës A dhe C, plotësimi është i domosdoshëm. Theksoj se nevojat për vitamina te fëmijët e lindur para kohe dhe tek ata me peshë më të ulët të lindjes janë më të mëdha, ndaj edhe këtu plotësimi është i domosdoshëm.

Vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet vitaminës D, e cila është një faktor i rëndësishëm në metabolizmin e kalciumit dhe fosforit, në funksionin e qelizave bazë, në imunitet dhe funksionin hormonal. Mungesa e vitaminës D kontribuon në sëmundje të rënda të sistemit skeletor, rakit dhe osteopeni te fëmijët dhe osteomalaci te të rriturit Përveç sëmundjeve të sistemit skeletor, mungesa e vitaminës D është shpesh shkaku i disa sëmundjeve autoimune, alergjive dhe sëmundjeve të zemrës.

Nga pikëpamja biologjike, burimi kryesor i vitaminës D janë rrezet e diellit. Nën veprimin e tyre vjen deri te krijimi i kësaj vitamine në lëkurë, e njohur si vitamina D3. Mirëpo, frika e arsyeshme nga rrezitja si shkak për paraqitjen e sëmundjeve malinje në lëkurë ka ulur burimin bazë të vitaminës D, duke imponuar kështu nevojën për plotësimin e saj shtesë. Sipas pikëpamjeve bashkëkohore, marrja e rekomanduar e vitaminës D është në kontekstin e moshës, kështu që për moshat 0 deri në 18 vjeç nevojiten 400 IU në ditë, kurse për ata mbi 18 vjeç nga 600 deri në 800 IU. Nevoja për plotësimin e vitaminës D është e domosdoshme në vitin e parë të jetës dhe është 400 IU në ditë, pa marrë parasysh me çfarë qumështi ushqehet fëmija. Pas vitit të parë dhe duke pasur parasysh klimën dhe shprehitë tona, plotësimi rekomandohet vetëm në muajt e ftohtë, në mënyrë periodike deri në vitin e tretë.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>