Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Obeziteti – problem estetik apo mjekësor?

May 1, 2021

Dr. Natasha Nedeska Minova
specialist internist
Spitali i përgjithshëm “8 Shtatori” - Shkup
departamenti i endokrinologjisë

|

мај 2021 Совети за здравје

Obeziteti është problem që haset gjithnjë e më shumë në ditët e sotme, zakonisht si pasojë e ushqimit të shpejtë dhe të shumtë dhe kohës së tepërt të kaluar ulur dhe shtrirë para televizorit, kompjuterit apo smartfonit. Ky është një problem me rritje të shpejtë në pothuajse të gjitha vendet në zhvillim dhe një problem edhe më i madh në vendet e zhvilluara. Organizata Botërore e Shëndetësisë e quan obezitetin si problem të cilit duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë, bazuar në faktet e mëposhtme:

Mbipesha nënkupton një gjendje ku indeksi i masës trupore (BMI - Body Mass Index) është më i madh se 25, ndërsa kur ky indeks është më i madh se 30 quhet obezitet. Nëse ky indeks është mbi 35 quhet obezitet i rëndë, ndërsa mbi 40 është obezitet morbid. Për të pasur peshë normale të trupit, ky indeks duhet të jetë midis 18.5 dhe 25. Indeksi i masës trupore llogaritet si pesha trupore në kilogram e pjesëtuar me gjatësinë e trupit për katror të shprehur në metra. Në vlerësimin mjekësor të llojit të obezitetit, përveç indeksit të masës trupore, merret parasysh edhe vëllimi i mesit, i cili, nëse është mbi 80 centimetra tek femrat dhe 94 centimetra tek meshkujt, quhet obezitet qendror.

Mbipesha dhe obeziteti mund, ndonëse jo domosdoshmërisht, të përbëjnë një problem estetik për individin, në varësi të perceptimit të tij personal dhe perceptimit të mjedisit. Ka mjedise ku obeziteti konsiderohet shenjë e bukurisë dhe shëndetit. Por, ndonëse nuk mund të diskutohet për shijet kur është fjala për bukurinë, ka njohuri shkencore për efektet e obezitetit mbi shëndetin dhe janë të shumta.

Obeziteti mund të shkaktojë lloje të ndryshme të çrregullimeve në trup, të tilla si shfaqja e diabetit (sëmundja e sheqerit), prediabetit (një gjendje e vlerave të rritura të sheqerit në gjak që nuk klasifikohet ende si diabet, përkatësisht, sheqeri në gjak para ngrënies midis 5.6 dhe 6.9 mmol/l ose sheqeri në gjak pas ngrënies midis 7.8 dhe 11 mmol/l), sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, tromboza, gurët e tëmthit, problemet e fertilitetit, përdhesi, astma, yndyra e mëlçisë dhe konsiderohet të jetë një rrezik në rritje për lloje të caktuara të kancerit (të ezofagut, stomakut, zorrës së trashë, mëlçisë, pankreasit, gjirit, mitrës, vezoreve etj). Në disa lloje të kancerit, ky rrezik është shumë herë më i lartë në krahasim me njerëzit me peshë normale trupore (p.sh. rrezik 7 herë më i lartë i kancerit të ezofagut).

Përveç kësaj, obeziteti është gjithashtu një ngarkesë mekanike për trupin, e bën të vështirë lëvizjen, shkakton probleme të nyjave, dhimbje kronike të shpinës, vështirësi në mbajtjen e urinës dhe gjithashtu mund të shkaktojë të ashtuquajturën apne të gjumit, gjegjësisht ndërprerjen afatshkurtër të frymëmarrjes gjatë gjumit. Përveç të gjitha këtyre problemeve, jo rrallëherë shfaqen edhe probleme psikologjike, të tilla si depresioni dhe ankthi (tensioni, nervozizmi).  Si rezultat i këtyre komplikimeve nga obeziteti, jetëgjatësia e njerëzve me obezitet mund të shkurtohet dhe cilësia e jetës së tyre të ulet. Është pikërisht kjo arsyeja pse disa shoqata mjekësore profesionale e konsiderojnë obezitetin si një sëmundje që duhet trajtuar.

Dihet se obeziteti nuk është vetëm një problem që lind si rezultat mënyrës së gabuar të jetesës. Obeziteti keqkuptohej një kohë të gjatë si problem që vjen për shkak të stilit të gabuar të jetesës, i cili mund të zgjidhet vetëm me parimin “ha më pak, lëviz më shumë”. Një pikëpamje e tillë e obezitetit nuk merr parasysh faktin se kjo gjendje vjen si rezultat i lidhjeve komplekse të më shumë faktorëve sociologjikë, psikologjikë dhe biologjikë. Edhe më i rëndësishëm është fakti se me të ardhur deri te obeziteti, faktorë të fuqishëm neuro-hormonalë i kundërvihen fuqishëm trupit për të mos humbur peshë, gjë që e bën këtë problem të përjetshëm, ku kthimi i përsëritur i peshës së humbur mund të konsiderohet më shumë si rregull sesa si përjashtim. Si rrjedhojë, qasja në trajtimin e obezitetit nuk është aspak e thjeshtë.

Para se gjithash, rekomandohet humbja graduale e peshës. Për njerëzit me obezitet është e nevojshme të bëhet një plan diete i individualizuar, pasi jo çdo dietë është e përshtatshme për të gjithë. Këta individë mund të kenë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, të tilla si rritja e yndyrës së gjakut, rritja e presionit ose rritja e sheqerit në gjak. Aktiviteti fizik gjithashtu duhet të përshtatet me mundësitë e personit me obezitet dhe të mos jetë tepër intensiv në fillim, me çka shmanget ngarkesa e tepërt në organizëm. Dhënia e mbështetjes së duhur psikologjike është po ashtu me rëndësi të madhe.

Në vitet e fundit, agjencitë rregullatore kanë miratuar një numër barnash për trajtimin e obezitetit, disa prej të cilave janë në dispozicion edhe në vendin tonë. Sipas udhëzimeve mjekësore, përdorimi i barnave për trajtimin e obezitetit rekomandohet për njerëzit me indeks të masës trupore mbi 25 nëse kanë sëmundje bashkëshoqëruese, mbi 30 nëse kanë sëmundje bashkëshoqëruese ose obezitet qendror dhe tek të gjithë me indeks mbi 40. Besohet se individët që përdorin barna për trajtimin e obezitetit kanë më shumë gjasa të mirëmbajnë peshën pas humbjes, e cila është një nga sfidat më të mëdha në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Ekziston edhe mundësia e trajtimit kirurgjik të obezitetit me të ashtuquajturën kirurgji bariatrike, e cila përfshin një sërë procedurash që pamundësojnë marrjen e sasive të mëdha të ushqimit. Ky trajtim rekomandohet për njerëzit me indeks të masës trupore mbi 35 me sëmundje bashkëshoqëruese dhe për ata me indeks mbi 40.  Sidoqoftë, pa marrë parasysh se për cilën ndërhyrje bëhet fjalë, kërkohet konsultim me një specialist në fushën e mjekësisë.

Efektet e humbjes së peshës janë të shumëfishta. Edhe me një humbje të moderuar të peshës prej vetëm 5-10%, vërehen efekte të dobishme në parandalimin e diabetit, uljen e sheqerit në gjak, yndyrës dhe presionit të gjakut. Humbja e peshës ndikon pozitivisht në mënjanimin e dhjamit nga mëlçia e dhjamosur, problemet e nyjave, apnenë e gjumit, vezoret policistike etj.

Mund të arrijmë në përfundimin se obeziteti është kryesisht problem mjekësor, edhe atë i rëndësishëm, ndonëse do të ishte më e përshtatshme të quhet sëmundje.  Për këtë arsye, nuk duhet assesi të anashkalohet dhe duhet të trajtohet në kohën e duhur, për të shmangur dëmin e pandreqshëm që mund të ndodhë si komplikim nga obeziteti dhe për të mundësuar një jetë më të gjatë e cilësore.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.6 të botimit elektronik të revistës BETTY (MAJ 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>