Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Besimi në kuptimin e plotë të fjalës!

May 1, 2021

Dr. Mirjana Pehçevska Pop-Iliev
doktoreshë e shkencave të zhvillimit
organizativ, eksperte e zhvillimit
personal dhe organizativ, trajnere profesionale,
këshilltare e karrierës,
Drejtoreshë organizative e Klinikës për
Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile

|

мај 2021 Совети за здравје

Kjo është jeta jonë e përditshme. Me vetëdije ose pa vetëdije, ne i japim vazhdimisht dikujt mundësinë për të marrë pjesë në momentet tona më intime, për të qenë pjesë e botës sonë në të cilën krijojmë një të ardhme, mësim ose konfirmim të vendimeve tona.

Këto ditë mendoj shpesh për besimin. Kuptohet që mendoja edhe para pandemisë, por tani më imponohet çështja e sinqeritetit në qëllimet e njerëzve, gjegjësisht e vërteta e asaj që thonë ata. Situata sot është alarmante, me gjasë nga niveli i lajmeve të rreme që po shpërfaqen kudo në këtë kohë pandemie mbarëbotërore. Nga ana tjetër, besimi është ndoshta në një nivel shumë të lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm tek ata që janë ekspertë në fushën që kërcënon ekzistencën tonë, siç është mjekësia. Në situata ku i lejojmë të tjerët që të marrin vendim për shëndetin tonë, është e sigurt se nuk bëhet fjalë vetëm për besimin në komunikim dhe në kredibilitet, por edhe për sjelljen e pritshme njerëzore që bazohet në hamendje të mbështetura në standardet morale.

Ne komunikojmë çdo ditë, duke treguar besim tek shumë njerëz dhe ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme i japim mundësinë besimit kur dëgjojmë mendime të ndryshme nga tonat, madje edhe më shumë, nëse besojmë se ekziston një qëllim i sinqertë pas asaj që thuhet. Pra, kur dihet se, si e vërteta ashtu edhe besimi janë në një marrëdhënie të pandashme, pse atëherë është e paqartë se kujt t'i besojmë e kujt jo? Këtë çështje e lidhim më shpesh me përvojën tonë ose bindjet e mundshme që i bartim në vete. Por a ka ndonjë gjë që në të cilën besojmë pa kushte?

Besimi dhe respekti i ndërsjellë janë vendimtarë për zhvillimin social dhe afarist. Sa janë të kërcënuara sot këto vlera?

Me të gjitha ndryshimet e mëdha që na kanë ndodhur kohët e fundit, duke përfshirë edhe pandeminë si më të madhin dhe shkaktarin e ndryshimeve të tjera, konfliktet në shoqëri po rriten gjithnjë e më shumë, duke rrezikuar kulturën e besimit dhe respektit të ndërsjellë.

Të gjitha sëmundjet, si ato shëndetësore, sociale, ekonomike, madje edhe prishja e makinës, vijnë për një arsye dhe kjo është shpërbërja. Rrallë mund ta konsiderojmë integrimin si zgjidhje e të gjitha problemeve, por integrimi mes njerëzve është i pamundur nëse nuk ka besim dhe respekt. Nga ana tjetër, është e pamundur që të gjithë të ndajnë të njëjtin mendim dhe të njëjtin interes. Edhe për atë përpjekje të vogël që e bëjmë për t'u përshtatur me njëri-tjetrin, për të qenë të gatshëm të mësojmë nga dikush që mendon ndryshe nga ne ose të paktën të pranojmë se ka edhe mendime të tjera të vërteta, nevojitet besim.

Kohëve të fundit mendoj se ndoshta pikërisht me anë të besimit, i cili është hallka më e rëndësishme për t'u përballur me tërë agoninë që na rrethon, do të mund të lehtësojmë ekzistencën dhe funksionimin tonë në këto ditë mjaft të vështira. Po ballafaqohemi me një bllokadë totale të të gjitha instinkteve tona themelore, ndër të cilat është besimi tek njëri-tjetri. Për më tepër, kemi pushuar së qeni kolektiv, kurse egoizmi dhe individualizmi kanë tejkaluar nivelin më të lartë deri më tani.

A u besojmë njerëzve rreth nesh dhe a na besojnë ata neve?!

Nëse më pyesni nëse u besoj njerëzve, ndoshta duhet të pyes njëherë veten - çfarë do të thotë besimi për mua? Se në kë do të kemi besim, varet nga ajo se ç'mendim kemi për besimin; si e mendojmë, parafytyrojmë dhe e presim besimin. Një gjë e tillë ka të bëjë me ndjenjat tona, perceptimin dhe qëndrimet tona. Ne kemi përvoja të ndryshme të lidhura me besimin. Ka nga ata që u japin shumë shpejt njerëzve një shans, duke u ofruar besimin pa rezerva dhe ka të tjerë që, pavarësisht se kanë besim, përsëri e kontrollojnë informacionin më shumë herë. Shpesh kam pyetur veten nëse ky është në fakt besim i vërtetë. Kam takuar edhe nga ata që thonë vazhdimisht se kanë besim tek njerëzit, por një gjë e tillë nuk pasqyrohet në marrëdhëniet dhe reagimet e tyre. Disa prej nesh shpejtojmë të ndihmojmë me besimin se është e drejtë edhe kur nuk kërkohet prej nesh, vetëm që të përfundojmë të keqkuptuar.

Nuk është aspak e thjeshtë që të ndërtohet besimi. Nuk është e lehtë as për udhëheqësit që vazhdimisht duhet ta meritojnë atë nga pasuesit e tyre. Besimi ndërtohet me vite dhe mjafton vetëm një sekondë për ta humbur - një thënie që e kemi dëgjuar që në vegjëli dhe të cilën njerëzit e përjetojnë në lëkurën e tyre përmes përvojave personale dhe intime. Megjithatë, mua më duket se tani përshkruhet nëpërmjet kësaj gjendjeje të përbashkët, me të cilën, nëpërmjet teorive të ndryshme të konspiracionit apo edhe të dhënave më absurde, kontrollojmë mekanizmin tonë mbrojtës për të shmangur me vetëdije panoramën reale që na rrethon.

Kështu, dyshimi i vazhdueshëm tek njerëzit e tjerë dhe pamundësia për të besuar plotësisht, përbën një agoni të rëndë për ne. Tensioni i vazhdueshëm, drita e kuqe që rri ndezur dhe skanimi i vazhdueshëm i situatave, na thith shumë energji dhe na bën pengje të frikës se mos tradhtohemi.

A i mësojmë fëmijët tanë që të mos u besojnë njerëzve?

Edhe po të mos i mësonim, ata e shohin atë tek ne, çdo ditë dhe në çdo hap që hedhim, në të gjitha përvojat tona që, me dashje ose pa dashje ua kalojmë atyre, duke u krijuar kështu bindje që lidhen me jetën tonë të përditshme. Ashtu siç kanë vepruar prindërit tanë me ne, me qëllimin më të mirë për të na mbrojtur nga frikërat dhe përvojat e tyre të këqija, edhe pse, të jemi të sinqertë, jeta e tyre e përditshme në të kaluarën nuk ngjason aspak me atë të sotmen.

Dhe pikërisht ai besim që e ushtrojmë gjatë gjithë kohës, kur kërkojmë ndihmë nga miqtë tanë më të afërt, kur u huazojmë para, kur i drejtohemi mjekut për këshilla, kur lëmë fëmijët në kopshtin e fëmijëve, kur heqim maskën në mes të pandemisë, sepse i besojmë bashkëbiseduesit se është i sigurt. Pa atë kompleks të quajtur besim, është e pamundur që të funksionojmë si familje, komunitet, kompani...

A i besojmë vetes?

Të ngarkuar me informacionin që na rrethon, duke u besuar njerëzve që janë në jetën tonë të përditshme, duke i besuar asaj që thonë ekspertët, a u besojmë zgjedhjeve dhe vendimeve tona? Ndoshta rrallëherë mendojmë për besimin që kemi për veten tonë, por kjo është “vlera” që ne ia përcaktojmë vetvetes. Se sa do të peshojë fjala jonë dhe sa i rëndësishëm do të jetë hapi ynë, varet nga ajo se sa i besojmë vetes. Realiteti ynë është vetëm një pasqyrë e mendimeve dhe emocioneve tona ndërsa mendojmë, parafytyrojmë dhe përjetojmë çdo ditë.

Ndërsa ishim fëmijë, të gjithë kishim të njëjtin mendim për potencialin tonë, i cili ishte asokohe i pafund. Por ndërsa rriteshim, njerëzit rreth nesh ngadalë por me siguri na bindën se potenciali ynë është i kufizuar, çka na bëri që të pushonim së besuari në aftësitë tona.

Nëse ne nuk i besojmë vetes sonë, si do të na besojnë atëherë të tjerët? Kur të na shohin se nuk po kërkojmë justifikime, por punojmë pareshtur me veten tonë, herët a vonë edhe ata do të infektohen me optimizmin tonë. Dhe atëherë nuk duhet të habitemi se përse na shkon gjithçka për dore, gjë që nuk është ndonjë mrekulli, por vetëm heqja e barrierave tona mendore, që na kishin penguar për t'i vërejtur dhe shfrytëzuar të gjitha mundësitë përpara nesh - mundësitë për të mësuar, për të ecur përpara dhe lart e më lart.

Kështu, duke kërkuar besimin tek të tjerët dhe duke kërkuar vazhdimisht miratim për zgjedhjet dhe vendimet tona, harrojmë se më i rëndësishëm është momenti kur do t'i besojmë vetvetes.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.26-27 të botimit elektronik të revistës BETTY (MAJ 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>