- Nga "Super Zvezda" në atë që e shohim sot... Cila ishte ajo që ishte vendimtare për t'u futur në këtë profesion?
Që në moshë të re më pëlqente të këndoja dhe të kërceja. Dëgjoja muzikë dhe në të njëjtën kohë sajoja ndonjë koreografi timen, ndaj nuk u desh shumë kohë që prindërit e mi të vinin re se isha i talentuar. Duke qenë se në atë kohë ishte aktiv festivali i fëmijëve “Super Zvezda”, më çuan në audicion, ku u anëtarësova menjëherë dhe interpretova si soliste për tre vjet rresht. Në ndërkohë më regjistruan në QSHSHBM “Ilija Nikolovski-Luj” për të ndjekur arsimin fillor në muzikë dhe balet. Më vonë, në vitin 2019, pasoi performanca ime e parë në "Makfest", ku e fillova karrierën muzikore profesionale.
2. Pate një vit mjaft të frytshëm dhe ishe aktuale me shumë këngë. Cilit sukses iu gëzove më së shumti? Çfarë do të veçoje?
Të gjitha këngët e mia janë veçanërisht të dashura për mua, por si më të suksesshmen do ta veçoja "Një ditë do të kalojë", e cila solli një tingull të ri në skenën muzikore maqedonase dhe përmes së cilës më njohu publiku i gjerë. Sigurisht, si sukses të madh do ta veçoja edhe performancën në “Makfest” me këngën “Shpirt”, e cila fitoi çmimin për interpretimin më të mirë vokal.
3. Meqenëse je e talentuar në shumë fusha dhe krahas të qenit nxënëse, ke edhe angazhime profesionale, si arrin të gjesh ekuilibrin që të çon në një organizim të suksesshëm?
Gjithmonë bëj plan për të gjitha angazhimet dhe aktivitetet që kam gjatë ditës, qoftë në kuadër të shkollës apo jashtë saj. Angazhimet e ngutshme janë gjithmonë në rend të parë, ndërsa me të gjitha të tjerat përpiqem të merrem në ndërkohë. Deri tani e kam përballuar me sukses këtë.
4. Çfarë është ajo që dëshiron të bie në sy dhe të respektohet nga publiku?
Siç e thashë edhe më parë, meqenëse solla një tingull të ri në skenën muzikore maqedonase dhe lash gjurmë, të cilën publiku e vuri re, do të doja të eci në atë drejtim dhe t'i qëndroj besnike identitetit që kam filluar të krijoj.
5. Duke qenë se je balerinë, si do të bëje një paralele mes këndimit dhe baletit?
Mendoj se baleti më ndihmon shumë me estetikën, si në skenë, ashtu edhe në vizualizimin e videove, ndaj në të ardhmen do të përpiqem me aq sa mundem që në projektet e mia t’i bashkoj këto dy arte.
6. Si çlodhesh? Çfarë është ajo që të mbush me energji dhe të frymëzon?
Çlodhja më e mirë për mua, sigurisht, është dëgjimi i muzikës, ndonjëherë në kombinim me vizatimin ose ushtrimet fizike për shtrirje dhe nxehje të trupit. E gjithë kjo është burim frymëzimi dhe më përmbush plotësisht, si dhe më jep energji për t’i kryer të gjitha obligimet dhe aktivitetet gjatë ditës.
7. Çfarë do të thotë për ty një "mënyrë jetese e shëndetshme"?
Duke qenë balerinë, parapëlqej të bëj një jetë të shëndetshme, që do të thotë shumë stërvitje, shumë lëngje dhe ushqim të shëndetshëm, të përbërë nga shumë fruta dhe perime. Por shëndeti mendor i një personi është po aq i rëndësishëm sa edhe shëndeti i tij fizik. Shëndeti mendor ndikon në shprehitë tona të të ngrënit dhe aktivitetin fizik.
8. Cila është shprehia e parapëlqyer e shëndetshme për ty?
Përveç faktit që ushtrimet, nxehja dhe shtrirja e trupit janë një domosdoshmëri, ato janë edhe shprehia ime e parapëlqyer e shëndetshme.
9. Ke tashmë ndonjë plan në fushën e muzikës për këtë vit?
Aktualisht jam duke punuar në disa projekte të reja dhe me këtë tashmë kam filluar të realizoj planin për këtë vit. Kam planifikuar shumë bashkëpunime të reja, si me artistë të rinj, ashtu edhe me producentë dhe autorë të rinj, një numër më të madh performancash dhe shpresoj që të mbaj koncertin tim solo.
10. Çfarë dëshiron t'u rekomandosh të gjithë atyre që duan të merren me muzikë apo ndonjë art tjetër, por nuk kanë ende guxim dhe motivim të mjaftueshëm?
Më e rëndësishmja është të kesh dëshirë dhe dashuri për atë që dëshiron të bësh, si dhe këmbëngulje, shumë punë, disiplinë, vetëbesim, madje edhe heqje dorë nga disa kënaqësi, për të fituar shprehi që do të të motivojnë dhe do të të inkurajojnë të arrish qëllimin që ia ke vendosur vetes.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-12 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHKURT 2022).