Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Intervistë me Tamara Todevska – “Energji që të pushton”

December 1, 2021


  1. Viti i kaluar ishte një vit i mrekullueshëm për ty nga ana profesionale. Për çfarë do ta mbash mend më shumë?


Nga ana profesionale, për koncertet në amfiteatrin në Ohër dhe Herakle. Ajo ishte një arritje e madhe, ndonëse shumë e pasigurt në shumë aspekte, sepse ndodhi për herë të parë që kur po përballemi me një pandemi globale. Kam pasur raste të tjera për të qenë e lumtur dhe jam sinqerisht e kënaqur me atë se sa kam arritur të përmbush në këtë situatë. Edhe këtë vit iu përkushtova punës në studio, ku regjistrova këngën "Porok", e cila është një ndër të shumtat që i kam regjistruar, por e vetmja që e kam publikuar, duke qenë se jam duke përgatitur një album të plotë pa afat publikimi. Ka edhe një ngjarje që më gëzoi shumë, e cila është koncerti në Kala me rastin e 30 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë, ku këndova këngë të pavdekshme maqedonase dhe bashkëpunova me orkestrën e filarmonisë, Shoqatën e Muzikantëve Jazz dhe mjeshtrin Emin Xhijan.



  1. Temperamenti yt i pashtruar pasqyrohet vazhdimisht në këngët e tua, si dhe në pamjen tënde fizike. Sidomos në vitin që lamë pas, ka pasur periudha kur u paraqite me një stil më ndryshe, por edhe në formë të mirë. Si do ta përshkruaje të gjithë procesin e transformimit?


Nuk besoj se pas kësaj do të doja një tjetër transformim. Deri tani kam pasur shumë përpjekje për ta mbajtur formën në gjendje të mirë dhe nuk ka shkuar mbarë, sepse gjithçka ishte e lidhur me afate dhe kohën e lirë. Këtë herë përpiqem që jetesën e shëndetshme dhe sportin ta bëj shprehi të përditshme, me qëllim që të kem energjinë për të cilën kam aq shumë nevojë, si për rritjen e fëmijëve, ashtu edhe për angazhimet e mia profesionale. Por më duhet të them se nuk më pëlqen shtypja që na vihet ne femrave nga mediat për sa i përket pamjes sonë. Skena botërore ka një qasje pak më ndryshe dhe këto shtypje synojnë të nxisin muzikantët dhe këngëtarët që të jenë rehat me pamjen e tyre, edhe kur janë mbipeshë. Ajo që duhet të jetë fokusi i publikut dhe i medias është kënga dhe nëse ajo që këndojmë të prek shpirtin.



  1. Çfarë do të thotë për ty "jetesë e shëndetshme"?


Për mua, jetesë e shëndetshme, përveç shprehive të shëndetshme, është edhe një ditë e mirëorganizuar. Një ditë në të cilën do të kem kohë për familjen dhe për çlodhje. Jetesa më e pashëndetshme që e kam bërë ndonjëherë ishte kur nuk ndalesha duke punuar. Por isha edhe shumë më e re, kështu që doja të argëtohesha. Tani argëtimi im më i madh është të dal në natyrë me familjen.

  1. Si nënë e dy fëmijëve, çfarë shprehish të shëndetshme dëshironi t'u kalosh Hanës dhe Darenit? Të njëjtat gjëra që çdo nënë dhe baba do t'ua kalonte fëmijëve të vet. Por ajo që dua t'u mësoj është që të kenë empati dhe të dinë se fakti që ata kanë privilegjin të kenë gjithçka që duan, nuk bie nga qielli, por se fitohet me mund dhe meritë. Dua që të kenë vlerat të cilat unë i çmoj tek njerëzit.




  1. Çfarë bën në kohën e lirë? Çfarë të frymëzon dhe të relakson?


Unë fle kur jam vërtet e lirë dhe ajo ndodh vetëm kur bashkëshorti im shkon me fëmijët në Gjevgjeli për fundjavë te gjyshërit. Atëherë kam dy miq që më shoqërojnë: Netflix dhe dhoma e gjumit. Asisoj kohe të lirë kam rrallë.

  1. A je qejflie e të ngrënit dhe nëse të duhet të veçosh ndonjë kuzhinë botërore, cila do të ishte ajo?


Kam ndryshuar. Nuk jam qejflie e të ngrënit dhe nuk i admiroj specialitetet si dikur. Tani ushqimi për mua është një mjet energjie dhe një paketë lëndësh ushqyese të nevojshme për ta kaluar ditën dhe për t'i plotësuar të gjitha nevojat ushqyese. Kjo ka ndodhur që kur e ndryshova mënyrën e të ushqyerit dhe përparësitë në jetë. Më pëlqen që çdo dy javë të gostitemi të gjithë me një vakt të veçantë në shtëpi ose në restorant dhe pastaj përsëri jam unë ajo që ha vetëm sallatën.

  1. Meqenëse ushtron rregullisht, çfarë do të doje t'u thuash të gjithë atyre që u mungon motivimi?


Sado herë që të hiqni dorë nga sporti, nuk është kurrë vonë për të filluar përsëri.



  1. Cilat janë planet e tua muzikore për vitin 2022?


Profesionalisht, ndryshe nga më parë, nuk kam plane, por kam dëshira për të përmirësuar procesin e krijimit të muzikës. Mendoj të bashkëpunoj me muzikantë me të cilët do të punoj së bashku në krijimin e muzikës sime. Më vjen mirë që pas një sërë suksesesh mund t'i jap vetes lirinë e krijimtarisë dhe të shoh se çfarë do të sjellë një qasje e tillë.



  1. Për fund, cilat janë dëshirat e Hanës dhe Darenit nga Baba Dimri?


Hana nuk është shumë e emocionuar për Baba Dimrin, sepse mendon se ai nuk mund t'i japë diçka më tepër se ajo që do të kërkojë prej nesh. Duket sikur e kemi llastuar. Për Darenin do të jetë interesante, sepse është në një moshë kur fëmijët i gëzohen për herë të parë mysafirit nga Laponia dhe dhuratave që do t'i sjellë ai.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.10-13 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>