Dr. Taner Hasan
endokrinolog subspecialist
Reparti i endokrinologjisë
IPSH Spitali i Përgjithshëm
"8 Shtator", Shkup
|
Obeziteti përkufizohet si një sëmundje kronike, përparuese dhe e përsëritur, me origjinë multifaktoriale. Kjo sëmundje shoqërohet me një rritje të yndyrnave në trup dhe ndërprerje të funksionit të indit dhjamor, që çon në dëmtim të funksioneve metabolike, biokimike dhe psikosociologjike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), obeziteti pranohet si sëmundje.
Kohët e fundit obeziteti ka marrë përmasa epidemike në mbarë botën, kurse për përcaktimin e tij përdoret
indeksi i masës trupore (IMT), i cili përkufizohet si koeficient i peshës trupore dhe lartësisë në metra katrorë (kg/m2). Sipas këtij indeksi, personat klasifikohen në grupet në vijim: persona me IMT normale: 18.5 - 24.9; masë e tepërt trupore IMT: 25.0 - 29.9; klasa e parë e trashësisë me IMT: 30.0 - 34.9; klasa e dytë e trashësisë me IMT: 35.0 - 39.9 dhe klasa e tretë e trashësisë me IMT: e barabartë ose mbi 40 kg/m2.
Shkaku kryesor i obezitetit është një çekuilibër midis kalorive të konsumuara dhe kalorive të shpenzuara. Ky çekuilibër shkaktohet nga konsumimi i ushqimeve me shumë kalori dhe të pasura me yndyrna dhe sheqerna të thjeshta, mungesa e aktivitetit fizik, stili i jetesës ulur dhe urbanizimi. Nëse tregohet kujdes për të pakësuar ose mënjanuar këto shkaqe, atëherë
obeziteti mund të parandalohet.
Obeziteti është i lidhur me më shumë se 200 probleme shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, kancerin, si dhe sëmundjet gjinekologjike, muskulo-skeletore dhe psikiatrike. Si rezultat i këtyre ndërlikimeve shëndetësore, shkalla e përgjithshme e vdekshmërisë tek njerëzit po rritet. Gjithashtu, këto ndërlikime shëndetësore shkaktojnë shpenzime të mëdha të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta, që vijnë në shprehje përmes uljes së cilësisë së jetës, aftësisë për punë dhe produktivitetit.
Obeziteti duhet trajtuar dhe synimi duhet të jetë ulja e peshës së përgjithshme trupore me 5 deri në 15%. Për ta arritur këtë qëllim, mënyra më adekuate e të ushqyerit është dieta mesdhetare. Kjo dietë mund të përshtatet me një porcion ushqimi në një pjatë. Pjata ndahet në tre pjesë, gjysma e të cilave duhet të përmbajë perime, një e katërta duhet të përmbajë proteina me prejardhje shtazore ose bimore dhe çereku i fundit duhet të përmbajë sheqerna komplekse, duke përfshirë drithërat. Ky duhet të jetë një shembull i ushqyerjes së duhur.
Në rast se ndryshimi i stilit të jetesës dhe dietës nuk i plotëson qëllimet e përcaktuara më parë,
pason terapi me barna ose kirurgji bariatrike. Terapia me barna mund të jepet si injeksion nënlëkuror një herë në ditë ose një herë në javë ose përmes tabletave orale. Krahas efekteve të drejtpërdrejta në uljen e oreksit dhe peshës, barnat kanë edhe efekte pozitive të tërthorta në zemër, enët e gjakut dhe metabolizëm, si dhe efekte psikosociologjike. Për më tepër, terapia me barna mundëson ruajtjen e humbjes së peshës, e cila është e një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh se një nga problemet kryesore pas humbjes së peshës është prirja e trupit për të rifituar peshën e humbur. Terapia me barna është tashmë në përdorim në vendin tonë.
Njerëzit obezë duhet të konsultohen me mjekun e tyre për mundësitë e terapisë së obezitetit. Nëse terapia konvencionale është e pasuksesshme, si zgjidhje e fundit mund të përdoret kirurgjia bariatrike. Kirurgjia bariatrike përfshin ndërhyrjen në lukth për të ulur konsumimin e ushqimit. Kjo metodë terapeutike përdoret më shpesh te personat obezë morbid, IMT-ja e të cilëve është mbi 40 kg/m2, ose IMT-ja e të cilëve është e barabartë ose mbi 35 kg/m2 dhe kanë një ose më shumë probleme shëndetësore shoqëruese.
Mund të thuhet se obeziteti, me gjithë ndërlikimet serioze të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta, është ende një sëmundje e parandalueshme që mund të trajtohet. Trajtimi i obezitetit nuk duhet anashkaluar, sepse obeziteti është në radhë të parë një problem serioz shëndetësor dhe vetëm në radhë të dytë një problem i mundshëm estetik.
Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.16 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2021).