Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Infeksionet e frymëmarrjes – çfarë duhet të dimë?

December 1, 2021

Prim.Ass.Dr. Ilir Demiri
infektolog
Klinika Universitare për Sëmundje
Infektive dhe Gjendje Febrile, Shkup

|



Stina e dimrit shoqërohet me shpeshtim të sëmundjeve virale të frymëmarrjes. Arsyeja për këtë janë kushtet në të cilat gjendemi, si për shembull më shumë njerëz në të njëjtën hapësirë të mbyllur e cila nuk ajroset rregullisht, përqendrimi i lartë i lagështisë në ajër e rrjedhimisht në ambiente, ndotja atmosferike dhe mbingarkesa mendore dhe fizike që çon në rënie të imunitetit. Në dimër, trupi funksionon më ngadalë për shkak të të ftohtit, duke u bërë kështu më i ndjeshëm ndaj infeksioneve të frymëmarrjes dhe ftohjeve. Në varësi të mbrojtjes individuale imunologjike dhe psikologjike të organizmit, jo çdo individ reagon dhunshëm apo zhvillon infeksion.

Një tipar i zakonshëm i infeksioneve virale është ngjitshmëria e lartë dhe transmetimi i lehtë i tyre nga një person te tjetri. Është vlerësuar se fëmijët mund të preken nga deri në 12 infeksione virale brenda një viti kalendarik, të cilat mund të pasojnë njëri-tjetrin. Incidenca e tyre zvogëlohet me rritjen.

Në përgjithësi, infeksionet virale më të shpeshta në të gjitha popullatat e rritura janë ato që prekin traktin e frymëmarrjes dhe atë gastrointestinal, me simptomatologji që lind nga organi i prekur, ndërsa tipar i përbashkët i tyre është pafuqia. Në shumicën e rasteve i hasim gjatë ndërrimit të stinëve.

Viruset e frymëmarrjes mund të prekin traktin e sipërm të frymëmarrjes dhe të manifestohen klinikisht si rinit, faringit, tonsilit, laringit, sinusit, si dhe rrugët e poshtme të frymëmarrjes që përfshihen në kuadrin klinik të bronkitit, bronkiolitit dhe pneumonisë. Infeksionet klinikisht më të rënda ndodhin kryesisht te fëmijët më të vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

Infeksionet e frymëmarrjes shkaktohen nga një sërë mikroorganizmash. Shkaktarët më të zakonshëm janë viruset (në 90% të rasteve), si Rhinovirusi, Adenovirusi, Influenza, Paranifluenza dhe më rrallë bakteret dhe kërpudhat.

Mënyrat e transmetimit të infeksioneve të frymëmarrjes

Infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes


Nazofaringiti akut

Inflamacioni akut i hundës dhe fytit njihet gjerësisht si ftohje e zakonshme apo rrufë. Klinikisht manifestohet me teshtitje dhe rrjedhje hunde, fillimisht e lëngshme dhe më pas si mukozë. Nganjëherë shfaqet lodhje dhe kokëdhimbje e lehtë me temperaturë 37 deri në 38 gradë. Sëmundja zgjat rreth një javë. Nuk ka një kurë efektive për të ftohtin e zakonshëm, ndaj është mirë të rrisni imunitetin. Trajtimi është simptomatik, përdoren barna për uljen e temperaturës, kundër dhimbjes së kokës, pika në hundë etj. Kërkohet respektimi i këshillave të mjekut, regjim higjieno-dietik dhe pushim.

Sinusiti akut

Inflamacioni i mukozës së hundës dhe sinusiti manifestohet me dhimbje koke, zakonisht në zonën ku sinusi është prekur nga inflamacioni, dhimbje të fytit, ulje të nuhatjes dhe shijes, vështirësi në frymëmarrje me hundë, si dhe ënjtje të fytyrës dhe të zonës rreth syve. Në terapi përdoret tretësirë fiziologjike nazale dhe barna kundër dhimbjes, si dhe rekomandohet pirja e më shumë lëngjeve dhe lënia e duhanit dhe alkoolit. Inhalacioni mund të ndihmojë në lehtësimin e vështirësive. Zakonisht nuk nevojiten antibiotikë për të trajtuar sinusitin akut kur ai shkaktohet nga një infeksion viral ose fungal.

Laringiti akut

Inflamacioni i mukozës së laringut zakonisht ndodh në dimër dhe në fillim të pranverës, kur vjen deri te ënjtja e telave të zërit dhe ngushtimi i hapjes së laringut. Simptomat përfshijnë kollë të thatë dhe të irrituar, ngjirje zëri, dhimbje të lehta dhe më rrallë, gulçim, dobësi, lodhje dhe temperaturë. Ngjirja e zërit mund të zgjasë disa javë. Rekomandohet pushim, më pak sforcim të telave të zërit, inhalacion i ngrohtë dhe nëse mjeku vendos kështu, këshillohen antibiotikë.

Infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes

Bronkiti akut

Bronkiti akut është një inflamacion akut i mukozës së trakesë dhe bronkeve. Ndodh kryesisht gjatë ose menjëherë pas infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, ftohjeve, dhimbjeve të fytit ose gripit. Bronkiti akut është më i shpeshtë gjatë muajve të dimrit dhe në më shumë se 90 përqind të rasteve shkaktohet nga viruse të ndryshme, si rinoviruset, virusi respirator sincicial, adenoviruset dhe virusi i influencës dhe parainfluencës. Shkaktarët më të zakonshëm në mesin e baktereve janë: Bordatella pertussis, Mycoplasma pneumoniae, Chlamidia pneumoniae.

Pneumonia (inflamacioni i mushkërive)

Pneumonia është një infeksion që ndez mushkëritë dhe mund të prekë njërën ose të dy anët. Ato mund të mbushen me lëng ose material purulent, duke shkaktuar kollitje, ethe, të dridhura dhe probleme me frymëmarrjen. Mikroorganizma të ndryshëm, si bakteret, viruset dhe kërpudhat, mund të shkaktojnë pneumoni. Pneumonia mund të jetë e lehtë, por edhe e rëndë dhe madje kërcënuese për jetën. Më e rëndë është te foshnjat dhe fëmijët e vegjël, njerëzit mbi 65 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore shtesë ose me sistem imunitar të dobësuar.

Gripi

Gripi është sëmundje akute e rrugëve të frymëmarrjes e shkaktuar nga viruset e influencës së tipit A dhe B, e cila zakonisht shfaqet në numër të shtuar ose në formë epidemike gjatë dimrit. Gjatë kësaj periudhe janë të shpeshta edhe infeksionet me viruse të tjera të frymëmarrjes që kanë simptoma të njëjta ose të ngjashme me gripin.

Në praktikë është e vështirë të dallosh nëse bëhet fjalë për grip apo ftohje vetëm në bazë të simptomatologjisë, nëse nuk bëhet vërtetimi laboratorik, gjegjësisht mikrobiologjik i shkakut të sëmundjes. Prandaj, pa një diagnozë të besueshme, këto sëmundje quhen "sëmundje të ngjashme me gripin" (influenza like illnesses – ILI) ose klasifikohen si infeksione akute të frymëmarrjes (ARI).

Gripi është një sëmundje ngjitëse që përhapet drejtpërdrejt nga personi në person, kryesisht përmes pikave të vogla të hedhura nga një person i infektuar gjatë kollitjes dhe teshtitjes ose jo drejtpërdrejt, përmes kontaktit me sekrecionet (lëngjet) respiratore të një personi të infektuar që kontaminon duart e tij ose zonat që ka prekur apo objektet që ka përdorur.

Simptomat e sëmundjes shfaqen 1 deri në 4 ditë pasi virusi të ketë hyrë në trup. Shumica e njerëzve mund ta transmetojnë virusin te një person tjetër 1 ditë para shfaqjes së simptomave dhe 5-7 ditë pas shfaqjes së sëmundjes. Kjo do të thotë që një person mund ta transmetojë virusin përpara se të kuptojë se është i infektuar. Sëmundja ka një fillim të papritur me temperaturë të lartë, dhimbje koke, pafuqi të përgjithshme, rraskapitje, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, skuqje dhe dhimbje fyti, lotim të syve dhe sekrecione nazale, si dhe kollë e cila zakonisht është e thatë dhe joproduktive.

Jo çdo pacient i ka të gjitha simptomat e renditura dhe te disa persona të infektuar sëmundja mund të kalojë pa simptoma (sipas të dhënave të disa studimeve kjo përqindje ndryshon nga 20-30%) ose me simptoma të lehta të ftohjes. Trajtimi i gripit, ashtu si i ftohjeve, është simptomatik, pra trajtohen simptomat, jo vetë sëmundja. Zbatohet një regjim higjieno-dietik (pushim, marrje e më shumë lëngjeve, si pije të nxehta, ushqime të lehta, vitamina dhe minerale), kurse me rekomandimin e mjekut dhe në varësi të ashpërsisë së sëmundjes mund të jepen edhe barna të caktuara antivirale. Terapia me antibiotikë jepet vetëm në rast të infeksioneve bakteriale dytësore që përkeqësojnë ecurinë dhe përfundimin e sëmundjes, pra për trajtimin e komplikimeve nga gripi, vetëm me recetë të mjekut.

Trajtimi i infeksioneve të frymëmarrjes. Çfarë është e drejtë?

Pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm se antibiotikët nuk kanë asnjë efekt mbi viruset dhe nuk duhet të jenë rrugëzgjidhje për ftohjet dhe gripin (90% e infeksioneve të frymëmarrjes janë me etiologji virale). Antibiotikët janë barna që përdoren për të trajtuar infeksionet bakteriale, sepse mekanizmi i tyre bazohet në veprimin bakterial dhe baktericid, që do të thotë se ato, ose vrasin bakteret, ose pengojnë rritjen e tyre.

Përdorimi i panevojshëm dhe i shtuar i antibiotikëve zvogëlon aftësinë e tyre për të vepruar kur veprimi i tyre është vërtet i nevojshëm (infeksionet bakteriale). E gjithë kjo çon në zhvillimin e rezistencës (qëndrueshmërisë) së baktereve ndaj antibiotikut. Me kalimin e kohës, rezistenca rritet dhe numri i antibiotikëve efektivë zvogëlohet.

Gjatë 25 viteve të fundit nuk ka asnjë tendencë në zbulimin e antibiotikëve të rinj dhe përdorimi i tyre në infeksione të rënda, si dhe përdorimi i vaksinave, po zgjasin jetën e njerëzve në mbarë botën. Ndërgjegjësimi për efektet e përdorimit të papërshtatshëm dhe të paarsyeshme të antibiotikëve në nivel global është i lartë, por ende shumë i ulët në vendet ku përdorimi i antibiotikëve nuk është i rregulluar dhe mund të merret pa recetë. Nëse duam që antibiotikët të vazhdojnë të jenë efektivë, duhet t'i përdorim ato në mënyrë të përshtatshme dhe të arsyeshme.

Në të gjitha rastet e infeksioneve respiratore të shkaktuara nga viruset, terapia është simptomatike, që synon lehtësimin e simptomave të organit të prekur. Për dhimbjet e fytit mund të jepen spreje me përbërës analgjetik/antiseptik, pastile, për kongjestionin e hundës jepen dekongjestive, shpëlarje me tretësira të kripura izotonike/hipertonike, ndërsa për dhimbjet dhe temperaturën jepen analgjetikë dhe antipiretikë. Sigurisht, marrja e lëngjeve, frutave dhe perimeve të freskëta si dhe terapia me vitamina është gjithashtu e rëndësishme.

Parandalimi:

Infeksionet e frymëmarrjes parandalohen nga:

Vaksina e gripit siguron një nivel të përshtatshëm mbrojtjeje kundër viruseve dhe gripit, por jo nga llojet e tjera të viruseve. Gabimet më të shpeshta në trajtimin e infeksioneve të frymëmarrjes janë: ulja e temperaturës që nuk i kalon 38.5 sepse ndërhyn në procesin natyral të shërimit, marrja e antibiotikëve pa rekomandimin e mjekut dhe marrja e vitaminave vetëm pasi të ndodhë infeksioni.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.26-28 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>