Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Sindroma e fshikëzës tepër aktive (SPAM)

December 1, 2021

Dr. Ivica Stojanovski
specialist urolog, SPQ "8 Shtatori" Shkup

|



Sindroma e fshikëzës tepër aktive (SPAM) përkufizohet si "një nevojë e papritur dhe e ngutshme për të urinuar me ose pa mosmbajtje urgjente, zakonisht e shoqëruar me urinim të shpeshtë ditën dhe natën, në mungesë të infeksionit të traktit urinar (UTI) ose ndonjë patologjie tjetër të dukshme". Kjo është një gjendje që e hasim gjithnjë e më shumë në praktikën tonë të përditshme. Simptomat më të zakonshme të (SPAM) janë urinimi i shpeshtë, që shoqërohet me shpeshtësi të shtuar të urinimit ditën dhe natën dhe përfshin më shumë se tetë urinime në 24 orë ose 2 ose më shumë vizita në tualet gjatë gjumit, urinimi urgjent, që paraqet një nxitje të fortë dhe të papritur për të urinuar e cila është vështirë të vonohet dhe mosmbajtja urgjente që paraqet një humbje të papritur të pavullnetshme të urinës. Këto simptoma sugjerojnë aktivitet të tepruar të fshikëzës, por mund të rezultojnë në mbajtje të urinës dhe forma të tjera të mosfunksionimit të fshikëzës dhe uretrës.

Shkaqet e hiperaktivitetit të fshikëzës nuk janë të përcaktuara mirë, por mendohet se ka disa faktorë që kontribuojnë në këtë gjendje. Anomali të ndryshme neurologjike dhe anatomike urinare të traktit të poshtëm urinar dhe çrregullime të tjera mund të shkaktojnë dhe/ose të përkeqësojnë aktivitetin e tepruar të muskujve të fshikëzës.

Sindroma e fshikëzës tepër aktive (SPAM) ndikon ndjeshëm në jetën e miliona njerëzve. Simptomat e lidhura me SPAM-in mund të çojnë në kufizimin e aktiviteteve sociale, si pasojë e shmangies së shoqërisë dhe shmangies së udhëtimit për shkak të paarritshmërisë së tualetit, pastaj kufizime psikologjike, duke përfshirë depresionin, fajin, frikën, mungesën e vetëbesimit dhe kufizime profesionale, si mungesa në punë, ulja e produktivitetit dhe dalja në pension të parakohshëm. Ajo gjithashtu mund të ndikojë ndjeshëm në aspektet shtëpiake, fizike dhe seksuale të atyre që vuajnë prej saj. Fatkeqësisht, shumë prej tyre nuk duan të flasin hapur për gjendjen e tyre me familjarët apo të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Faktorët e rrezikut

Ka disa faktorë rreziku për sindromën e fshikëzës tepër aktive si: a) mosha më e madhe; b) gratë me lindje të shumëfishta ose të vështira; c) gratë në menopauzë ose me ndryshime hormonale; d) diabeti; e) mbipesha; f) sëmundjet obstruktive të sistemit të frymëmarrjes; g) presioni i lartë i gjakut; h) insuficienca kronike e veshkave; i) inflamacion i fshikëzës; j) çrregullime të sistemit nervor qendror dhe periferik; k) shtatzënia; l) prostata e zmadhuar. Edhe meshkujt që kanë kryer operacion në prostatë mund të kenë rrezik më të lartë të SPAM, si rezultat i kontrollit të dëmtuar nervor të muskujve të fshikëzës apo dyshemesë së legenit ose traumave mekanike të drejtpërdrejta në dyshemenë e legenit.

Diagnoza

Sindroma e fshikëzës tepër aktive (SPAM) është një gjendje e zakonshme dhe vlerësimi i pacientit duhet të fillojë me një vlerësim të masës në të cilën kjo gjendje ndikon në jetën e tij të përditshme.  Një histori e plotë mjekësore, prania e infeksioneve të shpeshta të traktit urinar, sëmundjet neurogjene dhe kirurgjikale dhe një rishikim i plotë i terapisë me barna, janë thelbësore për të kuptuar përvojën individuale të pacientit me SPAM.

Ekzaminimi fizik mund të sqarojë gjendjet themelore mjekësore që kontribuojnë në shfaqjen dhe zhvillimin e simptomave. Ekzaminimi duhet të përfshijë një ekzaminim të përgjithshëm fizik, me vëmendje të veçantë ndaj ekzaminimit neurologjik dhe ekzaminimit të dyshemesë së legenit. Duhet të vlerësohen edhe segmentet e palcës kurrizore nga S2 në S4, ku ndodhet qendra e urinimit motorik. Ekzaminimi i dyshemesë së legenit duhet të vlerësojë shenjat e atrofisë, prolapsin e organeve të legenit, vlerësimin e forcës së muskujve të dyshemesë së legenit dhe çdo anomali anatomike, duke përfshirë divertikulin uretral.

Testimi laboratorik përfshin analizën e sedimentit urinar, kulturën e urinës dhe përfundimisht citologjinë e urinës, nëse gjatë analizës së urinës janë të pranishme simptomat irrituese të fshikëzës dhe ka mikrohematuri të konsiderueshme. Infeksionet e traktit urinar dhe gjendjet kronike irrituese të fshikëzës mund të paraqiten si SPAM. Matja e urinës së mbetur në ultrasonografi mund të ndihmojë në përjashtimin e mosmbajtjes me tejmbushje tek meshkujt.

Ekzaminimet urodinamike mund të indikohen për ekzaminim të mëtejshëm të fshikëzës tepër aktive në pacientët me simptoma refraktare, operacione të mëparshme rindërtuese të legenit, duke përfshirë operacionet kundër mosmbajtjes, sëmundjeve neurologjike ose mosfunksionimit urinar. Metoda të tjera përfshijnë elektromiografinë apo EMG, uretrocistoskopinë dhe cistografinë, ndërsa urografia me CT dhe MR kryhen në raste të jashtëzakonshme.

Mjekimi

Trajtimi për SPAM-in dhe mosmbajtjen urinare përfshin ndryshime në stilin e jetës, terapi fizike, barna apo ndërhyrje kirurgjike. Ndryshimet në stilin e jetës dhe masat dietike përfshijnë zvogëlimin e marrjes së alkoolit dhe kafeinës, të cilat irritojnë fshikëzën urinare, pakësimin e përdorimit të barnave të tilla si antihipertensivët, diuretikët, sedativët dhe antidepresivët, humbjen e peshës, zvogëlimin e marrjes së lëngjeve para gjumit, uljen e aktivitetit të rëndë fizik dhe stërvitjen e fshikëzës, që përfshin planifikimin e urinimit çdo 2-3 orë. (11)

Terapia fizike nënkupton praktikimin e rregullt të ushtrimeve Kegel, që kontraktojnë muskujt pubokokcigeal dhe paravaginal dhe elektrostimulimin që kryhet në qendra shumë të specializuara duke implantuar të ashtuquajturin "pacemaker".

Terapia me barna përfshin trajtimin me barna antikolinergjike, të cilat janë agjentët farmaceutikë më të dëshiruar dhe trajtimi i parë për mosmbajtjen urgjente dhe SPAM-in. Barnat antimuskarinike bllokojnë në mënyrë selektive receptorët muskarinikë M2 dhe M3 në fshikëzën e urinës, duke ulur kështu aktivitetin e tepërt të saj dhe duke rritur kapacitetin e fshikëzës, me çka ulet ndjenja e urgjencës. Agonistët beta-adrenergjikë, si mirabegroni, i cili vepron mbi receptorët beta-3 adrenergjikë të muskujve të fshikëzës për relaksimin e saj, janë gjithashtu një mundësi për trajtimin farmakologjik.

Së fundi, natyrisht, trajtimi kirurgjik në zgjidhjen e mosmbajtjes urinare, i cili është një rikthim i pozicionit normal të mbështetjes së segmentit vezikouretral dhe përdoret kryesisht për mosmbajtjen urinare nga stresi.

Qëllimi i të gjitha këtyre metodave është të zvogëlohet nervozizmi i fshikëzës duke relaksuar muskujt ose duke forcuar sfinkterët dhe muskujt e diafragmës urogjenitale.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.4-5 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>