Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Fibromialgjia – një ndjesi dhe dhimbje më ndryshe në të gjithë trupin

February 1, 2022

Dr.med.sci. Maja Milovançeva-Popovska
Interniste-nefrologe
IPSH Promedika Medikal Centar

|

фев-2022

Fibromialgjia (FM) është një gjendje shëndetësore që shkakton dhimbje dhe ndjeshmëri të përhapur ndaj prekjes në të gjithë trupin. Dhimbja shfaqet dhe zhduket dhe ecën nëpër trup. Sëmundja është kronike, afatgjatë, e lodhshme, rraskapitëse dhe krijon ankth emocional dhe mendor. Ajo zvogëlon cilësinë e jetës, por përgjithësisht konsiderohet një gjendje beninje.

Fibromialgjia është rezultat i një ndryshimi në mënyrën se si trupi "komunikon" me palcën kurrizore dhe trurin. Njerëzit me fibromialgji janë më të ndjeshëm ndaj dhimbjeve sesa njerëzit e tjerë, kurse gjendja quhet përpunim jonormal i perceptimit të dhimbjes. E përshkruar si një çrregullim i intensifikimit qendror të dhimbjes, fibromialgjia shkakton rritje të ndjeshme të dhimbjes në tru. Për më tepër, personi mund të ketë sëmundje të tjera kronike ose dhimbje kronike, si endometriozë, probleme me tretjen, sindromën e zorrës së irrituar, cistit intersticial, mosfunksionim të nyjës temporomandibulare dhe vulvodini.

Shkaqet se pse zhvillohet fibromialgjia janë të paqarta dhe dallojnë në njerëz të ndryshëm. Supozohet se ekziston një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë, sepse nuk mjafton vetëm gjenetika. Të përfshirë janë sistemi nervor, truri, palca kurrizore dhe nervat që transmetojnë informacion. Megjithatë, zakonisht ekziston një faktor shkaktar për shfaqjen e fibromialgjisë, si një ngjarje stresuese ose traumatike, një aksident me makinë, një lëndim i përsëritur, stresi i përsëritur i nyjave, një operacion, një infeksion viral, obeziteti, stresi emocional, lindja e fëmijës, një ndarje, vdekja e një të dashuri etj.

Personat me fibromialgji kanë ndryshime në mënyrën se si sistemi nervor qendror ua përpunon mesazhet e dhimbjes. Ata kanë një çekuilibër kimik, nivele të ulëta të serotoninës, noradrenalinës dhe dopaminës në tru. Këto hormone janë të rëndësishme në përpunimin e mesazhit të dhimbjes nga pjesë të ndryshme të trupit, në rregullimin e humorit, oreksit, gjumit, sjelljes dhe përgjigjes ndaj stresit. Ndryshimet në nivelin e hormonit kortizol, që lëshohet kur trupi është nën stres, gjithashtu kontribuojnë në zhvillimin e fibromialgjisë.

Fibromialgjia ka prirje të trashëgohet në familje. Gjenet janë përgjegjëse që disa njerëz reagojnë më shumë ndaj ndjesive të dhimbshme dhe janë të prirur ndaj problemeve të tjera shëndetësore që e shoqërojnë fibromialgjinë.

Simptomat më të zakonshme janë dhimbja dhe mpirja (në mëngjes) në të gjithë trupin, ndjeshmëria e lëkurës dhe muskujve ndaj prekjes dhe presionit, lodhja, depresioni, ankthi, problemet e gjumit (personi zgjohet i lodhur), probleme me të menduarit, kujtesën dhe përqendrimin, kokëdhimbje me tension, migrena etj. Simptoma të tjera janë një ndjesi shpimi gjilpërash ose mpirje e krahëve dhe këmbëve, probleme me tretjen, dhimbje barku, fryrje, sindroma e zorrës së irrituar, refluksi gastroezofageal, menstruacione të dhimbshme, dhimbje të legenit, fshikëza nervoze e kështu me radhë. Simptomat që lidhen me sindromën e nyjave temporomandibulare janë dhimbje në fytyrë dhe nofull, zhurma në vesh dhe kërcitja e nofullës.

Fibromialgjia është e vështirë për t'u trajtuar dhe nuk ka shërim për të. Trajtimi, barnat, ndryshimi i stilit të jetesës dhe terapitë plotësuese kanë për qëllim lehtësimin e simptomave, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe funksionimin e përditshëm. Personi duhet të mësojë se si të balancojë aktivitetet dhe pushimin e nevojshëm, të dëgjojë trupin, të mos e teprojë dhe të mos shkojë përtej kufijve të mundësive. Aktiviteti i tepërt dhe stresi përkeqësojnë simptomat dhe rrisin rrezikun e zhvillimit të depresionit. Caktoni kohë çdo ditë për relaksim, meditim, ushtrime të frymëmarrjes. Ndryshimet e stilit të jetesës duhet të bëhen pjesë e rutinës suaj të përditshme.

Barnat - kundër dhimbjes, kundër depresionit.

Aktiviteti fizik - ushtrime aerobike, not, ecje, çiklizëm, ushtrime shtrirëse, ushtrime forcuese. Mund të filloni me tai chi, joga apo pilates. Filloni ngadalë dhe me përpjekje të lehta, duke rritur gradualisht aktivitetin. Ushtrimet rrisin qëndrueshmërinë, përmirësojnë forcën e muskujve, kondicionin fizik dhe depresionin. Njerëzit janë më pak të lodhur, në humor më të mirë, funksionojnë më mirë dhe iu përmirësohet cilësia e jetës.

Shprehi të shëndetshme gjumi - fibromialgjia pengon gjumin e thellë dhe sjell lodhje ekstreme dhe nivele më të larta të dhimbjes, ndaj është shumë e rëndësishme të shkoni në shtrat dhe të zgjoheni në të njëjtën kohë, duke shmangur kafeinën, nikotinën dhe ushqimet e rënda para gjumit dhe duke fjetur në një dhomë të qetë dhe të errët.

Ndihmë psikologjike.

Akupunkturë, kriopraktikë.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.14-15 të botimit elektronik të revistës BETTY (SHKURT 2022).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>