Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Rezistenca është aftësi që mësohet

May 1, 2021

Katerina Zlatanovska Popova
këshilltare e certifikuar për
zhvillim të karrierës

|

мај 2021 Совети за здравје

Kriza e shkaktuar nga virusi korona, e cila ka më shumë se një vit që na është bërë pjesë e jetës së përditshme, njëherësh ka ndryshuar përgjithmonë jetët tona. Lufta nuk po zhvillohet vetëm në fushën e shëndetit, virusi dhe pandemia kanë prekur edhe ekonominë. Biznese të shumta nga sektorë të ndryshëm, si turizmi, hoteleria, industria e aviacionit, industria e tekstilit, arsimi, si dhe shumë profesione dhe vende pune janë ripërcaktuar dhe mbyllur, ndërsa mënyra se si kemi punuar, komunikuar dhe kontaktuar deri më tani, është zhvendosur në masë të madhe në botën virtuale.

Kur ballafaqohemi me një sëmundje që është në vete rraskapitëse, e rëndë, e pasigurt dhe afatgjatë, pyetja e vërtetë që shtrohet është se si t’i mbijetojmë pandemisë me të gjitha vendet e punës të humbura, jetesën e rrezikuar, me të ardhura të ulura ose pa të ardhura fare, me borxhe të hapura dhe një të ardhme të pasigurt.

Pandemia dhe të gjitha zhvillimet që lidhen me të, na treguan se sa të cenueshëm jemi, por në të njëjtën kohë, na kujtuan se rezistenca është mbase një nga aftësitë më të rëndësishme të cilën duhet ta forcojmë dhe në të cilën mund të mbështetemi në çdo moment të jetës sonë.

Nëse duam të gjejmë përgjigjen e pyetjes “Si t’i mbijetojmë pandemisë?”, është me rëndësi të madhe të kthehemi në vlerat tona, në tiparet tona personale, gjegjësisht aftësitë që na shërbejnë në jetë si mjete për mbijetesë.

Çfarë është në fakt rezistenca apo qëndrueshmëria? Nëse është dhuratë, si ta gjejmë brenda vetes; nëse është aftësi, si ta zhvillojmë atë; nëse është pjesë e qenies sonë, si ta ndërtojmë dhe ta zhvillojmë?

Rezistenca ose qëndrueshmëria (ang. resilience), është aftësi që ne njerëzit e ndërtojmë, e forcojmë dhe e plotësojmë pas çdo “stuhie” ose çdo momenti të vështirë në jetën tonë. Për t'jua paraqitur në mënyrë figurative, imagjinoni një dru, trungu dhe degët e të cilit përkulen dhe lakohen para çdo stuhie, shiu, moti të lig apo ere, por më pas arrijnë të drejtohen, të degëzohen dhe të gjelbërohen përsëri. Rezistenca në fakt na ndihmon që të kapërcejmë sfidat dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme të zhvillohet vazhdimisht dhe pandërprerë, sepse çështja nuk është se a do të ballafaqohemi me një “stuhi” në jetë, ajo që është në të vërtetë e rëndësishme është të jemi të vetëdijshëm se kur të ballafaqohemi me “stuhi”, do të dimë se si të ngrihemi dhe të vazhdojmë të marrin frymë.

Lajm i mirë është se aftësitë mund të ndërtohen dhe ushtrohen, ashtu si muskujt në trupin tonë, ndaj ju mund të filloni të punoni çdo ditë për të forcuar rezistencën dhe qëndrueshmërinë tuaj. Ja disa teknika praktike se si të ndërtoni rezistencën:

  1. Kini parasysh se jeta juaj përbëhet nga disa segmente të ndryshme, siç janë puna, jeta private, jeta shoqërore, familja më e ngushtë dhe më e gjerë, miqtë, shkolla, shëndeti... Organizojini ata dhe shkruani secilin në një kolonë të veçantë, ndërsa më pas specifikoni për secilin se çfarë po ju ndodh aktualisht në atë segment. Do të vini re se secili segment është i ndryshëm në faza dhe momente të ndryshme të jetës suaj dhe në secilin segment përballeni me lloje të ndryshme sfidash, prandaj është vendimtare që të shqyrtohen veç e veç. Në këtë mënyrë ju do të keni një pasqyrë të qartë se ku të drejtoni energjinë tuaj, çfarë duhet të ndryshoni dhe përmirësoni, cilin segment duhet ta forconi në atë moment.

  2. Identifikoni aktivitetet që janë brenda kontrollit tuaj dhe në të njëjtën kohë, veçoni faktorët që janë jashtë kontrollit tuaj. Kjo do t'ju hyjë në punë sa herë që ta gjeni veten para një problemi dhe duke u përpjekur për ta zgjidhur atë. Mbani në mend se zgjidhjen duhet ta kërkoni gjithmonë në suaza të asaj që është nën kontrollin tuaj dhe mbi të cilën mund të ndikoni. Atë që është jashtë kontrollit tuaj nuk do të mund ta ndryshoni kurrë, ndaj as mos u mundoni fare.

  3. Cilat janë aftësitë (grupi i aftësive) në të cilat jeni të mirë nga natyra? Cila nga këto aftësi ju ndihmon më së shpeshti që të zgjidhni sfidat dhe problemet?

  4. Cilat janë aktivitetet që ju mbushin me energji dhe humor të mirë? Çfarë ju përmbush dhe ju kënaq?

  5. Çfarë ju forcon? Ku ose nga kush e merrni forcën tuaj?

  6. Çfarë është ajo që ju sjell pasion? Ku e gjeni motivimin?

  7. Çfarë ju sjell dashuri, çfarë është ajo që ju bën të fortë?


Bëni vetes një listë dhe provoni që të ndani të paktën 20% të kohës suaj çdo javë, për t'ua kushtuar aktiviteteve që ju bëjnë të lumtur.

Si ndikon lumturia në përmirësimin e rezistencës? Nëse kemi parasysh se jeta përbëhet nga cikle të vazhdueshme të përsëritura të stresit dhe mëkëmbjes, faza e mëkëmbjes duhet të përbëhet nga gjëra që ju mbushin me energji, ju sjellin kënaqësi apo thjesht ju bëjnë të lumtur. Sa më shumë gjëra në jetën tuaj që arrini t'i kontrolloni, aq më e fortë dhe më e madhe bëhet rezistenca juaj ndaj të gjitha ndikimeve dhe sfidave që ju sjell jeta.

Së fundi, më lejoni t'ju jap zemër që të ëndërroni. Pavarësisht nga situata e tanishme dhe nga ndodhitë në jetën tuaj, mos harroni se çdo gjë ndryshon; pas çdo dimri, pa marrë parasysh se sa i gjatë dhe i vështirë të jetë, vjen gjithmonë pranvera. Ka gjithmonë një periudhë të re në të cilën ju keni mundësinë të përpiqeni për të realizuar ëndrrat tuaja, të jetoni jetën ndryshe, të përvetësoni aftësi të reja që do t'ju ndihmojnë të gjeni një punë të re ose thjesht të përpiqeni që të përmbushni jetën me gjëra të vogla që do t'ju bëjnë të lumtur dhe do të forcojnë rezistencën tuaj.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.22-23 të botimit elektronik të revistës BETTY (MAJ 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>