Farmacistët
Kontakti

<< Prapa

Riniti alergjik gjatë pandemisë COVID-19

December 1, 2021

Dr. Marija Jankulovska
Otorinolaringologe

|



Riniti alergjik është një problem shëndetësor global dhe një nga shkaktarët më të shpeshtë për vizitat te mjeku i familjes. Me ardhjen e virusit të ri Sars-Cov 2, infeksionit me korona dhe mbivendosjes së një pjese të simptomatologjisë mes dy subjekteve, situata bëhet edhe më e ndërlikuar. Paraqitja klinike e rinitit alergjik mund të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme, kurse parimi bashkëkohor i këtij problemi përbëhet nga masat parandaluese dhe aplikimi i terapisë së duhur.

Riniti alergjik klinik shfaqet me simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm, të tilla si hundë e zënë, teshtitje të shpeshta, rrjedhje e një sekrecioni të pastër dhe të tejdukshëm nga hunda, kruajtje e lëkurës së hundës dhe syve, lotim i syve, kollë irrituese dhe gërvishtje në fyt. Simptomat okulare janë më të zakonshme te pacientët me rinit alergjik sezonal. Kur janë të pranishme dy ose më shumë nga simptomat e dhëna dhe të njëjtat zgjasin më shumë se një orë në ditë, duhet të dyshojmë për këtë patologji.

Simptomat shfaqen nga fijet e shumta nervore aferente që gjenden në mukozën e hundës, pastaj përmes mekanizmave e reflekseve, përmes qendrave në pons dhe medulla oblongata, ndodhin përgjigje eferente si teshtitja, kongjestioni dhe lotimi i syve. Kontakti i mukozës së hundës me mjedisin e jashtëm ku ka shumë substanca që shkaktojnë alergji, të ashtuquajturit alergjenë, kontribuojnë në përkeqësimin e simptomave. Të gjitha këto simptoma çojnë në uljen e cilësisë së jetës së përditshme, pacientët ankohen për ulje të përqendrimit, dhimbje koke të shpeshta, ankth dhe lodhje kronike, ndikojnë në aftësinë për të punuar dhe shoqërohen me mungesa të shpeshta nga puna apo shkolla.

Me ndryshueshmërinë e madhe në paraqitjen e simptomave ndërmjet pacientëve të ndryshëm, te disa ato mund të jenë të lehta pa ndikuar në kryerjen e obligimeve të përditshme, deri në të moderuara dhe të rënda, ku ka një ulje të madhe të cilësisë së jetës së përditshme, ulje të gjumit, lodhje kronike, ulje të suksesit në shkollë, ulje të produktivitetit në punë etj.

Është e rëndësishme të përmendet ndryshimi i simptomave te i njëjti pacient gjatë viteve. Arsyeja pse ndodh kështu nuk është ende mjaft e qartë, por sipas disa autorëve nuk lidhet me sasinë e alergjenit të pranishëm në ajër. Këta pacientë shpesh kanë sëmundje të tjera shoqëruese të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes, si astma alergjike, sinusiti kronik dhe polipoza e hundës.

Zënia e hundës, rrjedhja e hundës, gërvishtjet e fytit dhe dhimbja e kokës mund të jenë gjithashtu të pranishme te pacientët me infeksion të COVID-19. Por më shpesh ka simptoma të tilla si ethe, gulçim, të përziera dhe të vjella që nuk janë karakteristike për simptomat e alergjisë.

Dallimi i simptomave të rinitit alergjik dhe COVID-19 bëhet edhe më i ndërlikuar me ardhjen e variantit të ri delta të virusit COVID-19, i cili u izolua për herë të parë në Indi, ku u përhap në masë në prill të vitit 2021. Sipas disa studimeve, simptomat e këtij varianti kanë më shumë mbivendosje me simptomat e rinitit alergjik te popullata e pavaksinuar, por edhe te popullata plotësisht e vaksinuar.

Trajtimi i rinitit alergjik

Në trajtimin e rinitit alergjik aplikohen masa parandaluese dhe procedura terapeutike. Të gjitha trajtimet terapeutike kanë për qëllim kontrollin dhe lehtësimin e simptomave të rinitit alergjik, por jo shërimin e plotë të sëmundjes.

Masat parandaluese

Masat parandaluese përfshijnë mënyrën e shmangies së kontaktit me alergjenët. Gjëja më e rëndësishme në këtë drejtim është shmangia e qëndrimit dhe veçanërisht aktivitetit fizik jashtë në periudhën kur ka përqendrim të lartë të një alergjeni të caktuar. Gjithashtu zvogëloni zonën në shtëpi ku mund të grumbullohet pluhuri, veçanërisht në dhomën e gjumit. Kjo mund të arrihet duke hequr qilimat, perdet e rënda, mobiliet e veshura me susta dhe jastëkët me pupla. Veç kësaj, këshillohet përdorimi i mbulesave të bëra nga materiale hipoalergjike dhe larja e rrobave në një temperaturë mbi 60 gradë Celsius. Ka edhe studime që kanë treguar një ulje të ndjeshme të përhapjes së alergjive te fëmijët që janë ushqyer vetëm me gji që nga lindja.

Masa të tjera parandaluese përfshijnë pakësimin e kontaktit të mukozës së hundës me alergjenin nga mjedisi i jashtëm. Këtu përfshihet përdorimi i tretësirave të kripura që përmbajnë ektoinë, e cila mbulon mukozën e hundës si filtër dhe parandalon kontaktin me alergjenin nga mjedisi i jashtëm. Gjithashtu, pasi të qëndroni në një ambient me sasi të caktuar alergjenësh, ndërroni menjëherë garderobën, bëni dush dhe lani flokët, gjë që do të ulë përqendrimin e alergjenëve në ambientin e ri. Më pas përdorni tretësira të kripura iso dhe hipertonike, duke shtuar substanca të caktuara si aloe vera, kamomil, vaj eukalipti dhe betaglukanë, të cilat kanë efekt të dobishëm në mukozën e hundës, përmirësojnë transportin mukociliar, zvogëlojnë ënjtjen në zgavrën e hundës dhe zvogëlojnë sasinë e agjentëve të inflamacionit.

Procedurat terapeutike

Në trajtimin e rinitit alergjik aktualisht janë të regjistruara disa preparate intranazale dhe sistemike, të cilat me përdorimin e duhur mund të zvogëlojnë shumë simptomat e rinitit alergjik, përkatësisht të mbajnë nën kontroll alergjinë. Këto përfshijnë kortikosteroidet intranazale, antihistaminat intranazale, dekongjestantët intranazalë, kortikosteroidet sistematike, antihistaminat, dekongjestantët, preparatet e kromolinit, antagonistët e receptorëve PAF dhe antileukotrienët, ndërsa në studimet e fundit, vend të rëndësishëm në trajtimin e alergjive zënë edhe probiotikët.

Kur në mesin e simptomave të alergjisë mbizotëron kongjestion i hundës, ilaçi i zgjedhur është kortikosteroidi intranazal. Biodisponueshmëria e sprejit është shumë e ulët, zakonisht nën 0.5%, që do të thotë se veprimi është pothuajse tërësisht lokal, pa efekt sistemik. Ka disa forma gjenerike: betamethasone dipropionate, budesonide, fluticasone propionate, mometasone, triamcinolone acetonide. Secili prej këtyre sprejeve ka përparësi dhe mangësi të caktuara, ndaj është shumë e rëndësishme që ato të merren me rekomandim dhe ekzaminim paraprak nga mjeku otorinolaringolog, për të marrë terapinë më efektive. Mënyra e përdorimit të sprejit të hundës është shumë e rëndësishme, gjegjësisht me dorën e majtë spreji aplikohet në vrimën e djathtë të hundës dhe anasjelltas, me dorën e djathtë në vrimën e majtë të hundës. Kësisoj irritohet më pak mukoza e septumit të hundës, e cila është e pasur me enë gjaku, pasi shpesh me përdorimin e gabuar të sprejit intranazal mund të vijë deri te gjakderdhja e padëshiruar nga hunda. Kur efekti i sprejit nazal nuk është i mjaftueshëm, terapisë i shtohen antihistaminat intranazale (azelastina dhe olapatidina) dhe antileukotrienët në tableta (montelukast).

Kur simptomat mbizotërohen nga sekrecionet dhe rrjedhja e hundës, antihistaminat janë zgjedhja e parë, e ndjekur nga shtimi i antileukotrienëve dhe kortikosteroideve intranazale. Sipas disa rekomandimeve, antihistaminat orale kanë një efekt më të madh se antihistaminat dhe leukotrienët intranazal. Ekzistojnë disa grupe antihistaminash (loratidinat, desloratidinat, citerizinat, levociterizinat, feksofenadinat, difenhidraminat). Çdo antihistaminë ka karakteristikat e veta, ndaj duhet marrë gjithmonë me rekomandimin e mjekut, përsëri për efektin më të madh pozitiv në shëndet. Mënyra e marrjes së ilaçit është gjithashtu shumë e rëndësishme, për shembull feksofenadina nuk duhet të merret me ushqim dhe gjatë marrjes së tij nuk duhet të pihet lëng grejpfruti.

Rol në trajtimin e rinitit alergjik luajnë edhe dekongjestantët oralë dhe nazalë. Për dekongjestantët nazalë (oksimetazolinë, ksilometazolinë, pseudoefedrinë) është shumë i rëndësishëm përdorimi i dozave të duhura dhe në kohë relativisht të shkurtër, jo më shumë se 5-7 ditë, në varësi të rekomandimit të prodhuesit për dekongjestantin e dhënë. Çdo përdorim afatgjatë dhe jo i duhur i këtyre barnave ndikon negativisht në mukozën e hundës dhe mund të çojë në rinit medikamentoz, i cili është një entitet i ri për trajtim dhe është një sfidë e madhe në vete për çdo otorinolaringolog. Kur në simptomat e rinitit alergjik kemi një manifestim të alternuar të obstruksionit dhe sekretimit, kombinimi i bromur ipratropiumit intranazal dhe ksilometazolinës ka një efekt të mirë, por me trajtim të kufizuar në 7 ditë.

Sipas hulumtimeve të fundit, disa shtame probiotikësh (Lactobacilus GG, Lactobacilus reuteri, L. gasseri) kanë efekt në parandalimin dhe trajtimin e rinitit alergjik.  Lidhja midis probiotikëve nuk është ende plotësisht e qartë për shkencëtarët dhe një numër studimesh janë ende në vazhdim, por ka prova që sugjerojnë një lidhje pozitive.

Përveç trajtimit jospecifik medikamentoz, ekziston edhe një trajtim specifik i quajtur imunoterapi. Imunoterapia nënkupton monosensibilizimin me një lloj alergjeni, siç është një lloj poleni ose një lloj alergjeni gjithëvjetor. Nga përvojat e deritanishme, imunoterapia ka efekt më të mirë për polenin e barit dhe pluhurin e shtëpisë. Metoda e imunoterapisë përbëhet nga aplikimi nënlëkuror i një sasie të vogël alergjeni për një periudhë të caktuar kohore. Ekziston edhe imunoterapia nëngjuhësore, e cila përfshin sensibilizimin e alergjenit duke marrë një tabletë nën gjuhë. Qëllimi i imunoterapisë është të zvogëlojë dhe në disa pacientë të mënjanojë plotësisht simptomat e alergjisë.

Për lexim të hollësishëm të këtij teksti, shihni f.6-7 të botimit elektronik të revistës BETTY (DHJETOR 2021).

KALKULATORI DIETIK

Me ndihmën e kalkulatorit të mëposhtëm mund të planifikoni vaktet e përditshme në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Zbuloni më shumë >>

HOROSKOPI MUJOR

Zbuloni horoskopin për muajin aktual.

Zbuloni më shumë >>